Kush paguan më pak nuk do të marrë më shumë. Me skemën e re të sigurimeve shoqërore të gjitha vitet e punës vlejnë…
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj diskutoi në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore.
Veliaj ka theksuar se përfituesit në skemën e pensioneve po rriten për shkaqe demografike, si plakja e popullsisë. Nga ana tjetër, numri i kontribuuesve është ulur. “Duhen të paktën 3 kontribuues për 1 përfitues, ndërsa aktualisht jemi pothuajse në raportin 1:1”, tha Veliaj.
Sot deficiti i skemës është 430 milionë dollarë dhe subvencionohet nga buxheti, ndërkohë që distanca mes shpenzimeve e kontributeve sa vjen e po thellohet.
“Jemi në situatën që shteti ka shteruar paratë për këtë subvencion. Jemi në situatën, ku ose falimenton skema ose duhet ta reformojmë”, paralajmëroi ministri.
“Do parashikojmë rritje të pensioneve për të gjithë ata që janë në skemën aktuale. Ne nuk prekim për poshtë, por prekim për lart. Pra të rritim pensionet aktuale, kurse për pensionet e reja është e qartë që do marrë më shumë. Reforma hyn në fuqi në 1 janar 2015″.
“Skema e re përfshin shumëzimin e viteve të punës me pagën mesatare të secilit, – tha Veliaj, – Me skemën e re të gjitha vitet e të punësuarve vlejnë, kurse nevojtarët do të përfitojnë një pension social. Ende pa hyrë në fuqi, kjo formulë ka dhënë efekt psikologjik tek njerëzit për faktin se u kemi thënë atyre se e kanë vetë në dorë pensionin. Në këto 23 vitet e fundit, sipas ligjit të vitit 1993, ai që paguante energjinë apo taksat paguante edhe për atë që nuk paguante. Kjo gjë do të ndryshojë.”
Ministri shtoi se pas vitit 2032 vitet në universitet do të quhen vite punësimi.
Në Komision u diskutua edhe për atë kategori specialistsh të cilët bëjnë dy punë. Kjo dispozitë nuk ka ndryshuar dhe në ligjin aktual është e lejueshme.
Kryetari i Komisionit Erion Braçe e mbylli diskutimin duke bërë me dije se ditën e hënë dhe të martë Komisioni do të vijojë me shqyrtimin nen për nen të projektligjit.
Gjatë ditës së djeshme, në raportimin në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Veliaj tha se do të propozojë një skemë të re sigurimesh shoqërore, e cila parashikon një rritje graduale të sigurimeve çdo dy muaj.
Ai theksoi se në vitin 2032 gratë do dalin në pension në moshën 63-vjeçare. Gjithashtu ministri bëri me dije se nga 1 janari nuk do të ketë pension të pjesshëm.