‘Veliera’ zgjon nga gjumi durrsakët në mbrojtje të trashëgimisë

17/02/2017 9:22 AM 0 komente

Projekti i bashkisë Durrës për një shesh të ri prej betoni në hyrjen e portit detar ka hasur në kundërshtinë e qytetarëve, arkitektëve dhe të shoqërisë civile- ndërsa gjykata administrative i dha të drejtë shqetësimit të shoqërisë civile duke vendosur pezullimin e punimeve.

Kur kanë kaluar dy javë nga zbulimi i topave mesjetarë gjatë punimeve për ndërtimin e “Velierës” së Durrësit, çështja e vlerave arkeologjike të zonës nuk është më vetëm problem i specialistëve.

Zhvillimet në mbrojtje të vlerave të kulturës kombëtare në qytet përditësohen vazhdimisht, duke përfshirë në to qytetarë, arkitektë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të mërkurën në mesditë, bashkia e Durrësit organizoi një dëgjesë publike për të sqaruar pozicionin e saj përballë atyre që kryebashkiaku Dako, i ka quajtur “akuza të pavërteta në lidhje me investimin e bashkisë dhe sidomos pas akuzave që janë hedhur në drejtimin tonë për shkatërrim të vlerave arkeologjike”.

I ndodhur para presionit publik 2-javor të emrave të njohur të kulturës në shkallë vendi, Dako ka premtuar mbështetjen e plotë për përfundimet që do të paraqesin arkeologët pas gërmimit, duke kërkuar njëkohësisht kohën e nevojshme për ndryshimet e projektit deri në hapjen e nënkalimit për automjetet përballë hyrjes tradicionale të portit.

Ndërkohë, territori i gërmimit arkeologjik është kthyer në një vend të përditshëm pelegrinazhi qytetar. Ata vizitojnë çdo ditë sipërfaqen e rrethuar, informohen dhe ndjekin nga afër punimet, ndërsa kronikat televizive dhe ato të gazetave i kanë dhënë gërmimit në qytetin bregdetar një valencë kombëtare.

Lëvizja e këtyre ditëve, ku bashkë me shoqërinë civile dhe qytetarët durrsakë, u përfshinë edhe Shoqata e Arkitektëve si dhe arkeologë e historianë nga Durrësi e Tirana, i ka shërbyer ndjeshëm ndërgjegjësimit të opinionit qytetar, si pjesë e vendim-marrjes për investimet e ardhshme.

“Kjo është një sfidë e vazhdueshme, që lidhet me objektet arkeologjike, me historinë apo edhe me mjedisin në qytetet ku jetojmë,” u shpreh Lorisa Ylli, një nga protestueset e grupimit shoqëria civile.

Në vendzbulim, arkeologët janë të kujdesshëm në konkluzionet e tyre. Pas ditëve të para me tensionin që krijon prania e përhershme e mediave, si dhe pyetjet e pafund të qytetarëve, gjithçka po gjen qetësinë e nevojshme për trajtimin historik të materialit arkeologjik.

Arkeologu Edi Shehi, i cili mbikëqyr punimet vëzhgon edhe lëvizjet e mjeteve të rënda të firmës zbatuese në pjesën tjetër të territorit të gërmuar.

Arkeologu Edi Shehi | Foto nga : Gëzim Kabashi
Arkeologu Edi Shehi | Foto nga : Gëzim Kabashi

“Beteja” mes palëve është përqëndruar jo pak në termat “Zona A” dhe “Zona B”, si kufi ku fadromat janë gati të rrafshojnë çdo objekt, pavarësisht nga mosha që ka, ç’ka e ka detyruar studiuesin Moikom Zeqo të kërkojë aplikimin e një “moratoriumit për mbrojtjen e vlerave arkeologjike të Durrësit”.

Prof. Shehi thotë se aktualisht vëmendja arkeologëve që monitorojnë gërmimin është përqendruar në një banesë të periudhës otomane, me sipërfaqe prej rreth 160 metra katrorë.

“Tashmë në dy prej mjediseve shihen qartë dyshemetë e dhomave,” thotë Shehi për BIRN, duke nënvizuar se në njërën prej kthinave ndodhet edhe topi i dytë, që u zbulua disa ditë më parë së bashku me një sasi të madhe gjylesh.

Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe ata të firmës ndërtuese sot kanë nisur pastrimin e sipërfaqes lineare jashtë mureve të godinës. Arkeologët duan të gjejnë shtresën e fundit arkeologjike, e njëkohësisht po sondojnë për objekte të mundshme brenda dhomave të ndërtesës së periudhës otomane.

Sipas historianëve durrsakë, dy grykat e zjarrit- një nga të cilat është identike me tre topat e tjerë që shërbejnë prej vitesh si dekoracion pranë bustit të heroit Mujo Ulqinaku, janë përdorur dy shekuj më parë për mbrojtjen bregdetare. Për rrezikun që vinte nga goditjet e artilerisë nga anijet ushtarake shfrytëzoheshin përveç topave në banesë, edhe ata që instaloheshin mbi bedenat e Torrës veneciane. Gjithçka ndodhte në kohën e pushtimit otoman, dhe arsenali ushtarak dukej se furnizohej nga Republika e Venedikut.

Nga burimet e shkruara dhe fotot e fillimshekullit të kaluar në territorin mes Bankës së Shtetit (sot Banka Kombëtare Tregtare) dhe Torrës mesjetare shihen tre godina masive, por ende nuk ka një konkluzion të qartë se cilës prej tyre i përkasin themelet e zbuluara gjatë punimeve për realizimin e projektit 6 milionë dollarësh.

Pranë territorit të gërmimit ka gjithmonë kureshtarë, të cilët sjellin edhe mendimet e tyre, jo vetëm për zbulimin, por edhe për projektin “Veliera”.

Ata e kanë mirëpritur deklaratën e djeshme të kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili u shpreh pro të gjitha ndryshimeve që do të kërkojnë arkeologët dhe historianët. Megjithëse e quajnë të vonuar reagimin e kryebashkiakut, një pjesë e mirë e qytetarëve janë kundër realizimit të një “projekti të panevojshëm si Veliera”.

Por siç u shprehën edhe përfaqësuesit e Shoqërisë Civile në protestën e tyre të fillimshkurtit, tërheqja e bashkisë nga pozicioni i parë konsiderohet si një mundësi për zbatimin e legjislacionit në të ardhmen.

Shumë më të ashpër në gjykimin e tyre, janë përfaqësuesit e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, FMTK dhe të Shoqatës së Arkitektëve. Ata kërkojnë pezullimin përfundimtar të punimeve në sipërfaqen e Zonës A të Rriskut Arkeologjik, ndërsa i konsiderojnë dëgjesat publike që po organizon Bashkia e Durrësit si një zhurmë për t’u fshehur pas relacioneve konfuze të institucioneve që nuk kanë bërë detyrën.

“Ligji për trashëgiminë kulturore është eksplicit dhe i qartë: në zonën e mbrojtur “B” nuk lejohet asnjë lloj punimi pa përfunduar gërmimi arkeologjik. Atëherë, çfarë do sqarojnë në dëgjesë Bashkia Durrës kur në zonën B, punimet vazhdojnë me ritme frenetike pavarësisht vendimit (po aq të vonuar) të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për t’i ndaluar ato,” shprehen përfaqësuesit e FMTK.

Dëgjesa publike e mbajtur nga bahkia Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi
Dëgjesa publike e mbajtur nga bahkia Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi

“Vlerat historike të Durrësit duhet të prevalojnë në çdo gjykim apo shqyrtim të projekteve private dhe publike. Durrësi ka pasur fatkeqësinë që në vite të përjetojë nënvleftësimin, dëmtimin dhe shpesh herë, shkatërrimin e vlerave historike, arkitektonike dhe të trashëgimisë kulturore,” deklaroi Shoqata e Arkitektëve.

Një vendim paraprak i Gjykatës Administrative të Durrësit u jep të drejtë shqetësimeve të specialistëve dhe shoqërisë civile. Të enjten, gjykata vendosi pezullimin e punimeve për projektin “Veliera”.

Qytetarët autoktonë të Durrësit kujtojnë se deri para 3-4 dekadash, zbulimi dhe ruajtja e objekteve arkeologjike kishin vetëm një emër, atë të bashkëpunëtorit të vjetër shkencor, Vangjel Toçi.

“Amfiteatri, termat romake “Bukuroshja e Durrësit” e shumë monumente që dëshmojnë për historinë e lashtë të qytetit janë zbuluar dhe ruajtur në vite nga prof. Vangjeli,” kujton 85-vjeçari Ali Bardheti. Edhe ligji i vitit 1964 për mbrojtjen e nëntokës muze të Durrësit është iniciuar prej tij. Mjaftonte emri i këtij njeriu si simbol ndershmërie dhe profesionalizmi, që qytetarët të bashkëpunonin me specialistët arkeologë.

Juristi Rajmond Tasho kujton se situata e krijuar së fundmi mund të shmangej lehtë, nëse do të respektohej legjislacioni shqiptar, i cili parashikon kryerjen e sondazheve arkeologjike në të gjithë zonën A të rriskut arkeologjik në Durrës.

“Nëse punimet në sipërfaqen prej 12 mijë metra katrorë do të ishin monitoruar që në fillim, pas nënshkrimit të një kontrate mes investitorit, firmës zbatuese dhe institucioneve të kulturës, gjithçka do të ishte shumë më transparente-shprehet Tasho.

Sidoqoftë, dy javët e ngarkuara të fillimshkurtit të këtij viti i kanë shërbyer të gjithë pjesmarrësve të interesuar për zgjidhjen e çështjes “Veliera”. Megjithëse investime të tilla të mëdha që kanë dëmtuar jo pak nëntokën muze të Durrësit ka patur edhe në raste të tjera, kjo është hera e parë që angazhimi qytetar dhe ai intelektual janë dëgjuar deri në nivelet e Parlamentit shqiptar.

Gëzim Kabashi | BIRN | Durrës

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz