Velipojë-Ulqin: Paralele turizmi

27/03/2012 16:03 0 komente

Ulqini ndjehet i kërcënuar prej konkurrencës së turizmit nga Shqipëria. I mësuar me pushues të përvitshëm, në vitet e fundit Ulqinit i janë rralluar pushuesit nga Kosova, të cilët, duke përfituar nga tregu i ndërtimeve edhe të paligjshme në bregdetin e Durrësit, kanë blerë apartamente pushimi, duke iu larguar me shumicë bregdetit malazes. Nga Velipoja (komuna bregdetare e Shkodrës), bregu i detit shtrihet nga aty drejt Veriut, për t u ndalur së pari në Ulqin, në Malin e Zi, duke u ndarë përmidis një delte të bukur, natyrore dhe të virgjër, ku derdhet lumi Buna. Bregdeti 30 km i gjatë në tokën shqiptare, vazhdon përgjatë atij ulqinak me një gjatësi prej 44 km të tjerë. E gjithë kjo mrekulli natyrore, me të njëjtin ekosistem, paraqet dy pamje të ndryshme zhvillimi. Një virgjëri thuajse drejt shkatërrimit në Velipojë, ndërsa në Ulqin një varfëri, krahasuar me plazhet e tjera malazese si Budva, Hercegnovi etj. Një grup gazetarësh ekonomikë, me ndihmën e GTZ-së, organizuan një udhëtim mediatik përgjatë bregdetit verior, që ndan dy shtetet, për të parë zhvillimin e turizmit në të dy anët e kufirit. Kur gjendesh në të dy anët e bregut, kupton se ndërsa njohim didaktikisht se turizmi është zhvillim dhe përmirësim i jetesës për banorët e dy zonave, modelet që paraqiten për turizmin në të dy anët, kanë mangësi, ndonëse të natyrave të ndryshme, por që gjithsesi, kanë të përbashkët faktin se infrastruktura turistike, ndonëse me ndryshime të thella, nuk është e plotë. Megjithatë, secila pjesë ofron diçka ndryshe nga pjesa tjetër dhe pushuesi është në fund të fundit, ai që mund të zgjedhë më të mirën për vete. Çfarë ofron Velipoja sotNjë bregdet të virgjër, një rezervat pylli 700 ha me florë dhe faunë të pasur, një ishull që mban emrin e perandorit austriak, Franc Jozef, një grykë delte përmes lumit Buna që mund të shëtitet me barkë në një lagunë rreth 300 ha, që quhet Laguna e Villunit, do t i dhuronte çdonjeriu mjaft surpriza. Në një miniguidë nën emrin Velipoja, kryer me asistencën e GTZ-së, ofrohet informacion i plotë për 97 hotele që ka plazhi, çmimet e akomodimit të të cilave variojnë nga 7 deri në 35 Euro nata. Peshku, ngjala dhe çdo gjë tjetër, të ofrohet i freskët në restaurantet e shumta. Por rruga për të shkuar deri në Velipojë është ende e vjetër dhe me gropa aty-këtu, pa folur për ndërprerjen e herëpashershme të dritave… Krahasuar me plazhet e tjera të bregdetit të Adriatikut, plazhi i Velipojës patjetër që mbetet më i veçantë përsa i përket bregut të gjerë ranor, të paprekur nga ndërtimet e paligjshme, siç ka ndodhur në plazhet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, ku përveç tyre, vjedhjet e rërës për ndërtuesit e paligjshëm kanë shkatërruar vlerat me të cilat një turist shqiptar ka qenë i mësuar. Në komunën e Velipojës burimet natyrore janë të rralla, pasi ka rreth 1000 ha tokë bujqësore, e cila është mjaft prodhuese, falë ekosistemit natyror që ka, ku lumi i Bunës, mali dhe deti, bashkohen në një deltë natyrore të mrekullueshme me një plazh që shtrihet në 30 km gjatësi. Po të krahasohet më tej me plazhin e Golemit dhe të Durrësit, plazhi i Velipojës gjithsesi, mbetet zona e virgjër në pritje të investimeve ligjore dhe të studjuara. Në vitet e fundit, Velipoja, duket se po i shmanget traditës së vjetër të të quajturit plazh i shkodranëve dhe ka nisur të kombëtarizohet edhe më shumë, falë zhvillimit të një tendence të re moderne, që kërkon aventurën turistike, e ku shqiptarët së fundi, kanë nisur të shijojnë bukuritë turistike të Shqipërisë në çdo cep. Po Ulqini…?Ulqini, me një bregdet për plazhe turistike prej 12.5 km të gjatë, me një vijë bregdetare 44 km të gjatë, shfrytëzon sot vetëm 4% të plazheve. Mungesa e një plani urbanistik pengon seriozisht zgjerimin e tregut turistik, pasi atje nuk mund të bëhet as edhe një ndërtim i paligjshëm. Gjithçka përsa i përket infrastrukturës turistike dhe hotelerike, ka mbetur siç ka qenë në vitet e kohës së ish Jugosllavisë. Në Ulqin ndodhet edhe plazhi i njohur për nudizmin, plazhi Ada, ku pushues gjermanë, nordikë kryesisht, kanë qenë frekuentuesit më të mëdhenj, pasi tani atë po e frekuentojnë edhe shqiptarët dhe ku së fundmi, shoqëria turke Gintash ka ofruar investime të mëdha hotelerike. Me turizëm hotelier modest ende, por me turizëm familjar shumë të zhvilluar (Ulqini ka 26 mijë banorë dhe në çdo shtëpi, ka dhoma për pushues sezonalë), çmimet që ofrohen në Ulqin, janë shumë më konkurruese nga ato që ofrojnë hotelet e vogla të Velipojës, apo edhe më tej në plazhet shqiptare. Në Ulqin mund të gjesh dhoma në hotele, që variojnë nga 5-20-30 euro/nata, ndërsa në shtëpitë, ku bëhet turizëm familjar prej vitesh, mund të gjesh nga 4-10 euro/nata, çka flet për atë që në këtë qytet mund të pushojnë kategori të ndryshme pushuesish, me nivele të ndryshme të ardhurash. Por edhe infrastruktura e zhvilluar, ku nuk mungojnë dritat, uji, rrugët e mira, një shërbim i shpejtë dhe i lirë taksie etj., janë elemente që bëjnë të këndshëm pushimin, ndërsa pushuesit i ofrojnë gëzim dhe qetësi. Pushteti lokal i Ulqinit ka një strategji turizmi, por vetë qyteti ende nuk ka të miratuar planin urbanistik nga Qeveria e Malit të Zi, çka po pengon që turizmi të zhvillohet sipas standardeve të sotme botërore. Sipas strategjisë, deri në vitin 2020 Ulqini parashikohet të ketë 30 mijë shtretër hotelesh turistike. Turizmi i organizuar prej 50 vjetësh në plazhet e Malit të Zi është bërë i njohur vitet e fundit edhe për shqiptarët. Por mes plazheve të Budvës, Hercegnovit, Kotorrit etj., plazhi i Ulqinit mbetet më i varfëri nga të tjerët për nga ana e investimeve, çka flet për një diskriminim të vërtetë ose, siç e quan vetë kryetari i komunës së Ulqinit, Nimani, mbeturina të së kaluarës komuniste. Përparësi dhe mangësi që ofrojnë dy plazhet verioreTë dy plazhet e ngjashme për nga ekosistemet natyrore, të afërta gjeografikisht, me mundësi të mëdha shkëmbimesh turistike, vuajnë nga dallimet e tyre jo të pakta. Nga që vetë turizmi është konkurrencë, lufta bëhet me kushtet e akomodimit, ushqimit, argëtimit, llojshmërisë së turizmit, shërbimeve etj. Po ku afrohen dhe ku largohen plazhet fqinje?Bregdeti i Velipojës numëron sot rreth 500 ndërtime të paligjshme, të bëra në funksion të pushimit në buzë të detit, kanë nga një, dy, tre deri në 5 kate. GTZ, brenda këtij sezoni veror, do të publikojë planin urbanistik të Velipojës, do të vendoset në qendër të fshatit, çka merr rëndësi të madhe, pasi çdo njeri që do të dojë të ndërtojë duke u njohur me këtë plan, nuk do të guxojë të hedhë paratë në vendin më të gabuar. Së shpejti do të botojmë një broshurë si dhe hartën e Velipojës, që është pjesë e programit ekonomik dhe nxitjes së punësimit në Veriun e Shqipërisë. Shoqata e Hotelerisë e ngritur këtë vit në Velipojë, po kërkon rritjen e cilësisë së shërbimeve. Këtë vit, me ndihmën e GTZ-së për të rritur cilësinë e shërbimeve, u zhvilluan kurse trajnimi për guzhinën, pritjen, akomodimet etj., nën kujdesin e një eksperti gjerman për turizmin dhe puna ka ecur shumë mirë. Hap pas hapi, puna do të vazhdojë, me qëllim zhvillimin sa më të plotë të turizmit në Velipojë, thotë Edlira Kruja, përgjegjëse për programin ekonomik në zonën e veriut në Shkodër. Çmimet e akomodimit në zonat turistike në Shqipëri vazhdojnë të jenë të larta. Tek ne, në turizmin hotelier është investuar në mënyrë spontane, pa plane urbanistike dhe në të shumtën, pa leje ndërtimi, duke ndërhyrë dhe prishur bukuritë natyrore. Kështu ka ndodhur në Golem, Divjakë, Durrës, Vlorë, Ksamil, Tushemisht etj. Një biznesmen i zgjuar në këto lloj kushtesh, do të luftonte me çmimet e ulëta për akomodimin, guzhinën dhe shërbimin, çka realisht nuk po ndodh. Kështu ndodh që në një plazh ku mungon rëra, ku niveli i ndotjes është i lartë, siç janë plazhet e Durrësit, Golemit, Tushemishtit, Ksamilit etj., akomodimi kushton edhe më shtrenjtë nga sa mund ta gjesh në Ulqin, duke variuar nga 15-35 euro/nata. Nga ana tjetër, mungesa e prodhimeve ushqimore Made in Albania përbën një mangësi të madhe për turizmin në Shqipëri. Tokat e lëna djerrë në Shqipëri nga fërmerët, nuk krijojnë kushte për thithjen e turizmit, ku kulinaria tradicionale përbën një konkurrent të fuqishëm për përparësi turistike në çdo cep të Botës. Nivelet e larta të importeve ushqimore, përqindja e ulët e sektorit prodhues ushqimor në vend, është një mangësi që shfrytëzohet lehtësisht nga turizmi në Malin e Zi, ku ushqimet janë 100% prodhim vendas, natyrale, dhe që vitet e fundit, bile, po orientohen drejt prodhimit BIO. Ndërsa në Ulqin turizmi hotelier është më i organizuar, me infrastrukturë më të mirë se në Shqipëri. Krahasuar edhe me plazhin e Velipojës, çmimet që ofrohen për fjetje janë më të ulëta se në Shqipëri, argëtimi është i garantuar, si dhe shumë shërbime të tjera. Por ajo që çalon në plazhet e Ulqinit është cilësia e ulët e gatimit, çka përbën një argument për të zgjedhur Shqipërinë për pushime, por edhe cilësia e ulët e shërbimit, që të krijon një ndjesi bezdisje të panevojshme për ditët e pushimit, çka të bën të zgjedhësh ndryshe. Promocioni që po bëjnë vitet e fundit shqiptarët e shtetit amë, ka ndikuar në uljen e fluksit të turistëve të Kosovës, thotë me shqetësim kryetari i komunës së Ulqinit, Fuad Nimani, i cili nuk mund të pranojë se bregdeti i vendit të tij nuk është më i bukur se ai i Shqipërisë. Por shoqëria private turisike Riviera humbi vitin e kaluar 2 milion USD nga ulja e numrit të turistëve kosovarë, një humbje që nuk po duket se do të kapërcehet lehtë. Mungesa e planit urbanistik, e investimeve të pakta në krahasim me qytetet e tjera bregdetare, vlerësohen si pikat më të dobta të pushtetit lokal për zhvillimin e turizmit në Ulqin. Megjithatë, nga biznesmenët malazesë dhe ulqinakë pranohet se gjithë ekonomia në Malin e Zi ka orientim turizmin, agroindustrinë dhe përpunimin e drurit, tri drejtime, që ndikojnë direkt në zhvillimin e turizmit. Tek ne, ende nuk ka prioritete të sakta se ku do të orientohet ekonomia shqiptare, duke dëmtuar me spontaneitet vetë turizmin. GTZ: promotore e strategjive turistike Shqipëri – Mali i Zi GTZ është hartuesja e strategjive të zhvillimit të turizmit për periudhën 20-vjeçare në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Dy strategji që duket se nga zbatimi i tyre, do të krijojnë një shtrat të gjerë turistik në një bregdet dhe kushte klimaterike të tilla, që do të mund të tërheqin shumë turistë veriorë europianë dhe botërorë në një të ardhme. Se sa e afërt do të jetë kjo kohë, këtë askush nuk mund ta thotë sot. Gjithçka varet nga shpejtësia për ta kapur kohën. Në Ulqin, ende nuk ka zbritur strategjia e GTZ-së. Ndërsa në Shqipëri, puna ka nisur. Vetë programi ekonomik gjithpërfshirës që ka nisur të zbatohet në plazhin e Velipojës, është një model zhvillimi turistik dhe i ekonomisë rurale, që flet se mbarësia ka nisur.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.