Ndryshimi te bankat qendrore më të rëndësishme është vetëm një hap larg. Fuqitë në rritje të bankave qendrore po nxjerrin në pah një lloj të ri drejtuesi
Kur George H.W. Bush humbi presidencën e tij pas katër vitesh në detyrë, ai fajësoi për këtë, Alan Greenspan, i cili nuk i uli normat e interesit gjatë vitit zgjedhor. “Unë isha ai që e riemërova atë, ndërsa ai më zhgënjeu”, tha z. Bush për Kryetarin e Rezervës Federale, shkruan The Economist.
Janet Yellen nuk mund ta zhgënjejë dhe ta lërë në baltë Presidentin Donald Trump. Ajo kryesoi takimin e saj të fundit të komitetit të përcaktimit të normave të interesit të Rezervës Federale javën e kaluar, duke ia lënë postin pasardhësit të zgjedhur, Jerome Powell, i cili do të shërbejë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në të dyja drejtimet, si për sa i përket ndryshimit në një prej posteve më të rëndësishme ashtu edhe personit me të cilin ai u zëvendësua, Amerika duket se po vendos një lloj të ri drejtuesi që të tjerët ka shumë të ngjarë ta ndjekin pas.
Por vëmendja duhet të përqendrohet edhe te bankat e tjera qendrore, të cilat janë një hap larg ndryshimeve të mundshme. Këtu mund të përmendim Haruhiko Kuroda, kreun e Bankës së Japonisë i cili, ose do të riemërohet ose të zëvendësohet nga dikush tjetër në muajin prill. Zhou Xiaochuan pritet të japë dorëheqjen nga posti i Guvernatorit të Bankës Popullore të Kinës, pas 15 vitesh. Ndryshime të mëdha priten edhe në Bankën Qendrore Europiane (BQE).
Mandati tetëvjeçar i zëvendëspresidentit të saj, Vitor Constancio, përfundon në maj të këtij viti. Ai është një nga katër vendet e punës që do të jenë në dispozicion dy vitet e ardhshme, në Bordin Ekzekutiv të BQE-së (që përbëhet nga gjashtë anëtarë), duke përfshirë këtu edhe pozicionin më të lartë të mbajtur nga Mario Draghi.
Mundësitë më të mëdha janë se drejtuesit e Bankave Qendrore që mund të ndjekin modelin “Yellen” (që vijnë nga bota akademike, që bazohen në modele ekonomike dhe që nuk ndikohen nga politika) nuk do të jenë të favorizuar.
Ndoshta, drejtuesit e rinj të bankave qendrore, si z. Powell, do të jenë ekspertë të qeverisjes dhe do të anojnë më shumë nga zgjidhja praktike e situatave sesa nga ana teorike. Ata priren që të kenë një mbështetje dhe përkrahje më të madhe nga politikanët.
Dhe është më se e natyrshme që politikanët duan të jenë sa më pranë bankierëve qendrorë. Kjo gjë vjen kryesisht si pasojë e rritjes së fuqisë së bankierëve që prej krizës financiare të viteve 2007-‘08, pjesërisht sepse qeveritë nuk kanë qenë në gjendje për të vepruar. Bankat qendrore i mbajtën tregjet e kreditit në gjendje pune, shpëtuan nga bankat dhe u dhanë besim tregjeve të lëkundshme.
Dhe që prej asaj kohe, atyre u janë dhënë fuqi për të rregulluar bankat dhe për të ruajtur stabilitetin financiar. Instinkti i politikanëve për të emëruar një prej tyre në postet drejtuese do të përforcohet në Europë nga “tregtia e zakonshme” midis anëtarëve të Eurozonës. Spanja beson se është momenti i duhur që ajo të marrë një prej posteve të larta të BQE-së, konkretisht po pretendon për postin e zëvendëspresidentit.
Nëse këtë post do ta fitonte vërtet një spanjoll, atëherë në postin që aktualisht e mban z. Draghi do të emërohej dikush nga Europa e Veriut (ndoshta pse jo edhe një gjerman), në mënyrë që të ruhej ekuilibri midis qendrës dhe periferisë së Eurozonës.
Franca do të humbasë një post, kështu që duhet të fitojë një tjetër. Dhe kështu me radhë. Por nuk ka gjasa që dikush me cilësitë e znj. Yellen apo të z. Draghi, të dalë nga një proces kaq i çrregullt.
Rënia e Guvernatorit të Bankës Qendrore nuk duhet të jetë shkatërrimtare. Z. Zhou ka pasur ndikim të madh, mbi një sërë reformash ekonomike, edhe pse Banka Popullore e Kinës nuk ka autonomi mbi politikën monetare. Pavarësia, nganjëherë, mund të jetë thjesht një kurth.
Derisa z. Kuroda u emërua në vitin 2013 si shef i saj, me mbështetjen e shprehur të Kryeministrit, Shinzo Abe, Banka e Japonisë ishte e gatshme për të luftuar deflacionin në mënyrë agresive, pjesërisht sepse kishte frikë se do të komprometonte pavarësinë e saj.
Më se e qartë
Megjithatë ka ende disa arsye të mira për t’u shqetësuar. Një banke qendrore të pavarur mund t’i besohet më lehtë, që do të veprojë më shpejt për të frenuar inflacionin. Ky besim gjithashtu i jep asaj liri të ulë normat e interesit kur ekonomia të shënojë rënie. Problemet e ndryshme që mund të lindin nga lulëzimi i ekonomisë botërore dhe i çmimeve të larta të aseteve mund të trajtohen më së miri vetëm nga ekspertët, madje duke u distancuar nga politika.
Ajo që bankat qendrore kanë nevojë nuk është emërimi i zyrtarëve që janë më pak të prirë për t’i zhgënjyer politikanët në pushtet. Ajo ka të bëjë me një mendim të ri rreth asaj se si të arrihet që bankat qendrore të jenë më të përgjegjshme ndaj elektoratit, por njëkohësisht duke i mbrojtur ato nga presioni i përditshëm politik.