Ajo që e bën të veçantë një vend të vogël apo lagjet antike të një qyteti janë shtëpitë, e fshehura mes rrugicave që lidhen mes tyre nga rrugë të vjetra apo ura të ndërtuara shumë kohë më parë.
Kur këto shtëpi janë me ngjyra ato krijojnë një atmosferë unike duke i dhënë një ndjesi magjepsëse qytetit.
Vendet apo lagjet e një qyteti shumëngjyrësh bëhen kështu shpesh dëshmi e kulturës lokale. Hundredrooms ka bërë një përzgjedhje të vendeve dhe qyteteve me ndërtesat më shumëngjyrëshe dhe të gjalla në botë.
Një labirint ngjyrash në Calpe – Kjo ndërtesë e famshme e projektuar nga arkitekti Ricardo Boffil është një labirint ngjyrash – e kuqe, blu dhe rozë. Ajo ndodhet në qytetin bregdetar të Calpe, Spanjë. Pranë saj ndodhen disa struktura të tjera të projektuara nga i njëjti arkitekt, ndër të cilat La Muralla Roja tërheq vëmendjen e një numri të madh kureshtarësh.
Shtëpitë me viza në Aveiro – Janë pa dyshim shtëpitë me ngjyra më të famshme në Portugali. E njohur edhe si “Venecia Portugeze”, Costa Nova do Prado në zonën Aveiro, karakterizohet nga “palheiros”, që janë pikërisht këto shtëpi të mrekullueshme të ndërtuara në shekullin XIX për pushuesit.
Lagjja La Boca, Buenos Aires – Një lagje e pasur me ngjyra që tërheq shumë turistë. Një ndër rrugët më të famshme është Via Caminito, e cila i mahnit turistët me ngjyrat e ndezura të shtëpive dhe grafitet nëpër fasada.
Shtëpitë në Burano – Ishulli i Buranos ndodhet shtatë kilometra nga Venecia dhe spikat për ngjyrat e bukura të shtëpive që pasqyrohen përgjatë kanaleve të gjatë të këtij vendi të mrekullueshëm.
Një puzzle me shtëpi në Vjenë – Hundertwasserhaus është një kompleks rezidencial – shumë origjinal, i ndërtuar mes viteve 1983 – 1986. Ky është një puzzle i vërtetë ngjyrash – që është projektuar, më shumë se sa nga një arkitekt i famshëm, nga një fëmijë me një fantazi të zjarrtë.
Fasadat e Notting Hill – Të ecësh në këtë zonë të famshme të Londrës është një dhuratë e vërtetë për sytë e turistëve. Këtu gjenden shumë shtëpi të vogla pranë njëra-tjetrës, të lyera me ngjyra të ndezura e pasteli. E gjithë kjo pamje pasurohet me kopshte të vogla dhe lule përpara dyerve prej hekuri të shtëpive.
Shtëpitë shumëngjyrëshe në Valparaíso – Valparaíso (Kili) është një qytet – port magjepsës, ku shtëpitë shumëngjyrëshe krijojnë një peizazh që të lë pa fjalë, i cili nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e një turisti.
Cinque Terre – Ndër vendet e mrekullueshme në Cinque Terre, në bregdetin e Ligurias – është edhe Vernazza, në të cilin shtëpitë e peshkatarëve janë të lyera me ngjyra të forta dhe të bukura për t’u parë.
Lagjja franceze në New Orleans –Bëhet fjalë për lagjen më antike të qytetit amerikan New Orleans. Këtu gjenden shtëpi të shumta me ngjyra-ngjyra, shumë prej të cilave me ballkone dhe arkitekturë tipike të epokës së kolonizimit.
Shtëpitë e peshkatarëve në Cudillero, Asturias – Në këtë port të Asturias, në veri të Spanjës, ka shumë shtëpi të vjetra peshkatarësh, që me ngjyrat e forta e të larmishme krijojnë një atmosferë skenike, të denjë për filma romantikë.