Vendi me ndotjen më të lartë të ajrit synon importin e veturave të vjetra

03/07/2018 2:39 PM 0 komente

Propozimi për heqjen e kufizimit për importin e veturave të vjetra po kundërshtohet nga ekspertë të komunikacionit, përderisa deputetët që kanë filluar iniciativën thonë se kjo është kërkesë e qytetarëve.

Gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit, Kosova dhe sidomos kryeqyteti Prishtina, ishin në krye të qyteteve botërore me ndotjen më të lartë të ajrit.

Përveç termocentraleve që furnizojnë tregun më të madh në vend me energji e cila sigurohet përmes djegies së thëngjillit, veturat e vjetra në qarkullim ishin potencuar si shkaktari kryesor i kësaj ndotjeje.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, ditë më parë deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në Kuvendin e Kosovës kanë miratuar propozimin për ndryshimin e disa neneve të Ligjit për Automjete.

Lejimi i importit të veturave paraqitet në nenin 44, në të cilin thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet dhe që nuk plotësojnë standardin “euro katër” .

Mërgim Lushtaku, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike, parashtrues i kërkesës tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo iniciativë ka ardhur pas shqetësimeve të qytetarëve, respektivisht atyre me kushte të vështira socio- ekonomike. Ai tha se as në shtetet e Bashkimit Evropian, nuk ka një kufizim të tillë.

“Në disa shtete të Bashkimit Evropian, ka kufizime me standarde të ndryshme, siç është moslejimi i veturave që ndotin ajrin, që rrezikojnë qytetarët në komunikacion. Por, gjithmonë në import standardi minimal është euro-katër dhe kontrollet e rrepta të sigurisë”, tha Lushtaku.

Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit po kërkohen ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Automjete, ku është ndaluar importi i veturave të vjetra, pasi ishte konsideruar se vjetërsia e tyre është një ndër shkaktarët kryesorë të numrit të madh të aksidenteve dhe ndotjes së ambientit.

Nol Dedaj, profesor i Komunikacionit në Kolegjin UBT, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se iniciativa për ndryshimin e ligjit është shumë e vogël në krahasim me nevojën e sigurisë në komunikacion.

Dedaj, pajtohet se tregu i Kosovës ka nevojë për freskim me automjete të reja, në mënyrë që në të ardhmen faktori automjet të mos jetë shkaktar i aksidenteve. Por, që sipas tij, në Kosovë problem kryesor është mirëmbajtja e automjeteve apo kontrollet efikase teknike para zhdoganimit të veturës.

Pavarësisht se Dedaj nuk është i kënaqur më ligjet që kanë të bëjnë me komunikacionin dhe automjetet, ai dyshon se ndryshimet në këtë ligj, do të ndodhin vetëm për përfitime nga grupe të caktuara të interesit.

“Dyshoj se ka interesa, pasi nuk janë përshirë të gjitha elementet që duhet t’i kenë ndryshimet e vjetërsisë së automjeteve. Do të thotë ka qenë një interes jashtëzakonisht i madh, jashtë institucioneve tona për të ndryshuar këtë pikë”, tha Dedaj.

Në tregun e veturave duhet të ketë kufizime të vjetërsisë, pasi konsiderohen mjete jo të sigurta në komunikacion, thotë edhe Besim Gashi, qytetar nga Prishtina.

Ai shprehet se kushtet ekonomike i detyrojnë qytetarët që të blejnë më tepër vetura të përdorura.

“Dëshira ime është që të vozis veturë të re. Por, pavarësisht ndotjes së ambientit, unë vozis veturë të përdorur, pasi që vetura është domosdoshmëri”, thotë ai.

Për veturat e reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, që nga zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, në vitin 2016, nuk paguhen taksa doganore.

Kurse për veturat e përdorura, taksa doganore paguhet 9 për qind nga 10 për qind sa ka qenë më herët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz