Zhvlerësimi i euros në Shqipëri, ose shprehur më saktë forcimi i lekut, në kuota historike, ndryshimi me shpejtësi, ditë pas dite dhe në masë të ndjeshme, ishte një sjellje jo shumë natyrale.
Por mjaftoi pikërisht një deklaratë e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që institucioni përgjegjës për politikën monetare në vend do të ndërhynte në treg, për të blerë euron e tepërt dhe ndoshta më shumë si rrjedhojë e deklarimit të ndërhyrjes reale ndodhi rizhvlerësimi i menjëhershëm i lekut (rritja më e lartë historike ditore e euros në vend) duke treguar se statusi i krijuar javët e kaluara ishte i ekzagjeruar.
Arsyet e këtij forcimi të lekut mund të jenë reale e lidhen si me ndikimin e ekonomisë informale e ndonjëherë edhe atë kriminale, sikurse e përmendin analistë të besueshëm,ashtu edhe menjë fluks, mbase i jashtëzakonshëm, i të ardhurave nga turizmi. Këtë vit po duket sedo të kemi vizitorë të shumtë, veçanërisht nga rajone me të ardhura të larta që, me sa duket, nuk do të lërë pa u shprehur me prurjet në euro, duke forcuar monedhën lokale ndaj asaj europiane. Fakti që ky forcim i lekut bëhet më i ndjeshëm në sezonin e verës e bën këtë faktor edhe më të besueshëm.
Nuk mund të mohojmë as faktin që forcimi i lekut mund të vlerësohet si pozitiv për një numër jo të vogël pagamarrësish e pensionistësh në një vend si yni, ku tregu dominohet nga jo pak produkte bazë të ardhura nga importi,kryesisht nga vende të Eurozonës, e për të cilat forcimi i lekut do të luante rolin e rritjes së fuqisë blerëse.
Nga ana tjetër,një sjellje e tillë nuk duket normale për një vend në zhvillim, me ekonomi ende të dobët, e ku aktiviteti prodhues, sidomos eksporti e për pasojë punësimi, do të nxitej më shumë nga një zhvlerësim i moderuar e gradual i monedhës lokale. Për më tepër, kur luhatjet janë të shumta e me hapa të mëdha e ndonjëherë edhe me kërcim, kjo nuk ndihmon në krijimin e një atmosfere stabiliteti, që është domosdoshmëri për çdo biznes por edhe për cilindo individ që ka depozita apo investime në njërën monedhë apo tjetrën.
Nuk duhet të neglizhojmë këtu edhe faktorin psikologjik në ndryshimet e shpeshta e luhatjet me kërcim të kursit të shkëmbimit të monedhave Euro/Lek, dhe efektin që ka në nxitjen e veprimeve ndonjëherë spekulative, me gjithë pasojat ndonjëherë negative për ata që ndërmarrin veprime apo pozicione afatshkurtra.
Ndaj, nuk mund të mos përshëndetet Banka e Shqipërisë që,duke vlerësuar këtë situatë të jashtëzakonshme, bëri ndërhyrjen e duhur e që rezultoi mjaft efektive, duke sjellë menjëherë ndryshim kahu në favor të rivlerësimit të euros.
Nisur nga sa më lart e duke vlerësuar rolin e veçantë të Bankës së Shqipërisë në përcaktimin e politikës monetare të vendit, por edhe të ruajtjes së ekuilibrave të qëndrueshëm makroekonomikë, do të veçonim disa elemente që e bëjnë të ndjeshëm veprimtarinë ekonomike të vendit nga luhatjet e pakontrolluara e me kërcim të menjëhershëm të kursit të këmbimit Euro/Lek.
Ndër këto do të veçonim, së pari, faktin që vendi ynë ka një numër të madh emigrantësh që sjellin euro si kontribut mbështetës për familjarët e tyre,por jo rrallë, edhe për t’i depozituar në bankat në Shqipëri, për të përfituar një nivel interesi pak më të lartë se në vendin ku ata punojnë dhe ndryshimet e shpejta e të konsiderueshme veçanërisht në zhvleftësim të euros ndikojnë për të frenuar prurjen apo depozitimin.
Një fakt tjetër janë të ardhurat në buxhet, të cilat sa kohë që në masën më të madhe vijnë si pasojë e TVSH të produkteve të importuara me zhvleftësimin e euros, do të çonin në rënie të tyre. Për pasojë, do të ndikonin negativisht në rishpërndarje, duke penalizuar shtresat që përfitojnë nga rishpërndarja e këtyre të ardhurave në formën e shërbimeve të ofruara për publikun, apo qoftë edhe duke rritur deficitin, që do të ndikonte e do të prekte më shumë shtresat më pak të mbrojtura.
Sa i takon biznesit, do të veçonim si më të penalizuarit eksportuesit e produkteve apo shërbimeve. Këtu do të përfshiheshin edhe ata të prodhimit me fason apo call center, të cilët mbase nuk kanë marzhe shumë të larta fitimi dhe një dobësim i theksuar e i menjëhershëm i Euros ndaj Lekut i detyron të rishohin modelin e biznesit e,ndonjëherë, mund të rrezikojë ta bëjë të pamundur zhvillimin e aktivitetit specifik në Shqipëri.
Nuk mund të mos përmendim edhe një dozë pasigurie që psikologjikisht krijon tek e gjithë popullata, luhatja e madhe në kursin e këmbimit Euro/Lek, kur vlerësojmë shkallën e përdorimit të monedhës europiane në jetën e përditshme e në përdorimin e gjerë në transaksionet ekonomike pothuaj nga gjithë qytetarët e vendit, por veçanërisht në zonat kufitare.
Të rreshtuara kështu, argumentet nuk duket se mbështesin zhvlerësimin e euros. Përkundrazi, vendi mund të ketë nevojë për të mbajtur një regjim dhe politika monetare që çojnë në mënyrë të moderuar në zhvlerësimin e lekut. Inflacioni i moderuar nga zhvlerësimi i lekut do të shkonte në favor të nxitjes investimeve dhe do të rriste shanset për më shumë punësim real. Në një vend si Shqipëria, që ka rritje ekonomike të moderuar, dhe ritmi i rritjes së punësimit është i ngadaltë e ku konsumi mbetet potencial, punësimi është objektiv madhor që, gjithsesi, mbetet fuqiplotë për çdo qeveri dhe çdo bankë qendrore në çdo kohë.
Shpresojmë që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të mbikëqyrë me kujdes këtë element të ndjeshëm të tregut e të ekonomisë shqiptare, si kursi i këmbimit Euro/Lek dhe të garantojë, sikurse edhe me mekanizmat e tjerë,sigurinë e nevojshme dhe stabilitetin e domosdoshëm makroekonomik, për të cilin interesohen të gjithë aktorët e operatorët ekonomikë, por edhe investitorët potencialë e më gjerë, e gjithë popullata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kjo logjike e nderhyrjes se BSH ne parim qendron, duket sikur do te kete efekte positive ne ekonomi duke mbrojtur tregun. Ne te vertete eshte e kunderta. Ky veprim i BSH eshte nje shkelje e hapur e parimit te tregut te lire. Luhatjet e forta te kursit te kembimit duhen marre si nje e keqe nga e cila te nxirret nje mesim per vulnerabilitetin e ekonomise. Exportet eshte e vertete qe cenohen, por nga ana tjeter i ben te mirat me te arritshme per masen e madhe te popullsise ne nje vend me rroga skandaloze. Perse exportuesit kerkojne nderyrje vetem… Read more »