Vendimi i Gjykatës së Lartë, Dhoma e Avokatisë: Katër hapat që duhet të ndiqen për deklarimin e pagesës së TVSH

08/11/2017 8:00 AM 0 komente

Pasi Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që rrëzoi pjesërisht aktin administrativ sipas të cilit avokatët do të duhet të paguanin TVSH nga zero, Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka sqaruar edhe një herë hapat që duhet të ndiqen tashmë nga këta profesionistë në zbatim të ligjit.

Në një njoftim të fundit të saj Dhoma sqaron se vendimi i Gjykatës së Lartë i hap rrugë klasifikimit të avokatëve në kuptimin tregtar, sipas rregullit klasik të ndarjes, në avokatë subjekte të biznesit të vogël dhe në avokatë subjekte të biznesit të madh.

Kufiri ndarës i këtij klasifikimi lidhet me qarkullimin vjetor që realizon çdo avokat, sipas të cilit avokatët që kryejnë një volum xhiro vjetore deri 5 milionë lekë (të reja) në vit, janë subjekte të tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe përjashtohen nga detyrimi për të deklaruar dhe paguar TVSH, ndërkohë që ata avokatë që realizojnë xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë në vit, kanë detyrimin të jenë subjekt i pagesës së TVSH.

Katër hapat që duhet të ndiqen pas vendimit të Gjykatës

Duke qenë se deri më sot avokatet kanë qenë subjekte të pagesës së TVSH me kufi xhiro zero lekë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë ju rekomandojmë të ndiqni procedurat si më poshtë:

  1. Çdo avokat në mënyrë individuale, ose përfaqësuesi i tij, duhet te paraqitet pranë zyrës së drejtorisë rajonale tatimore ku duhet të kontaktojë inspektorin e tatimeve që mbulon aktivitetin e tij dhe të kërkojë ndryshimin e statusit, nga subjekt i pagesës së TVSH në subjekt biznes i vogël, pavarësisht formës juridike person fizik apo juridik.
  2. Pasi të ketë marrë miratimin për këtë qellim duhet të drejtohet tek operatorët e mirëmbajtjes së kasave fiskale, për të bërë ndryshimin e aparatit, për prodhimin e kuponit me TVSH zero.
  3. Pas këtyre dy proceseve të para, të paraqitet pranë drejtorive rajonale tatimore për të dorëzuar bllokun e faturave tatimore të tërhequra dhe të papërdorura nga ana e tyre, ndërkohë që duhet të pajisen me blloqet tatimore me emërtimin “Fature e Thjeshte Tatimore”. Blloqet e faturës së thjeshtë tatimore nuk tërhiqen nga autoriteti tatimor, por blihen në shitje të lirë në pika të autorizuara të qytetit
  4. Me këtë rast detyrimi i deklarimit online pranë organit tatimor reduktohet një herë në çdo tre muaj dhe kufizohet vetëm me deklarimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimin në burim.
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz