Këshillit të Ministrave ka miratuar disa ndryshime në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, sipas propozimit të ministrit të Energjisë dhe Industrisë.
Sipas kwtyre ndryshimeve, “Për koncesionet e hidrocentraleve deri në 15 MW, në kontratë përfshihen kushtet e përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë. Kur e kërkon koncesionari, operatori i energjisë elektrike që është ngarkuar me këtë detyrim detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto hidrocentrale nëpërmjet një kontrate afatgjatë. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike do të llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë e do të shpallet prej tij në fillim të çdo viti, në bazë të formulës së mëposhtme:
Çmimi shitjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent /kWh X koeficientin 1.1 (kur është i aplikueshëm) X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.
– Me çmim mesatar të vitit përkatës të bursës hungareze HUPX të energjisë elektrike kuptohet çmimi mesatar vjetor, i ponderuar për produktin në bandë për vitin, për të cilin ERE do të miratojë tarifën përkatëse, siç publikohet nga bursa e Hungarisë HUPX në faqen e internetit:www.hupx.hu), më 1 dhjetor të vitit kur ERE merr vendimin për miratimin e çmimit.
– Koeficienti 1.1 llogaritet dhe përfshihet vetëm për përcaktimin e çmimit të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe merr në konsideratë reduktimin e humbjeve teknike në këtë rrjet si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve në rrjetin energjetik të tensionit të mesëm dhe/ose të ulët.
– Me normë mesatare të shkëmbimit euro/lekë të vitit të fundit kuptohet kursi mesatar vjetor i këmbimit nga euro/lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin në të cilin ERE merr vendimin.”.
Më parë, KESH ua blinte energjinë HEC-eve private me çmim të favorizuar, 10% më të lartë sesa tregu, çka kishte krijuar një barrë të rënduar financiare për KESH. Nga ana e tij KESH u detyrohet hidrocentraleve private rreth 50 milionë euro pagesa të prapambetura, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Në vitin 2013, HEC-et private dhe ato me koncesion prodhuar rreth 10% të totalit të energjisë gjithsej.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.