Privatizimi i Bodrumit të Vjetër në Rahovec është një nga historitë e pakta të suksesit në Kosovë. I privatizuar në vitin 2006 nga familja Haxhijaha nga Rahoveci, podrumi ka vazhduar me sukses veprimtarinë, ku më shumë se 90 për qind të prodhimit e ka të destinuar për eksport.
Fidan Haxhijaha, menaxher i eksportit në Verarinë “Bodrumi i Vjetër”, ka treguar për gazetën “Zëri”, të arriturat e kësaj ndërmarrje që pas privatizimit, nga këta të fundit.
Ai ka treguar se kur bodrumi ka kaluar në pronësi të ndërmarrjes “Haxhijaja”, ka qenë në gjendje shumë të keqe, afër shkatërrimit, mirëpo me punën e familjes, siç ka treguar ai, është rinovuar dhe sot është në këtë gjendje të shkëlqyeshme.
Sipas tij, kompania deri më tani ka investuar diku mbi 3 milionë euro ndërsa në këtë vit, ai ka treguar kanë rritur investimin në disa projekte të tjera të krijimit të sallave të degustimit dhe përmasimit mbushjes së verave në shishe me mbushtore të reja.
Kapaciteti i prodhimit, 4 milionë litra
Siç ka treguar Haxhijaha, kapaciteti i prodhimit është përafërsisht 4 milionë litra në vit. Po ashtu, sipas tij, kjo kompani posedon edhe 6 hektarë vreshta të veta të trashëguara nga familja të cilat ua kanë dhënë në shfrytëzim të afërmve të tyre.
Ai ka thënë se gjithë rrushin që e përpunojnë e marrin nga fermerët e komunës së Rahovecit. Në verari, sipas Haxhijahës, janë të punësuar rreth 30 punëtorë, me kontratë, ndërkaq në sezon bëhen rreth 70. Ai ka treguar më tej, se veraria, Bodrumi i Vjetër, jashtë vendit eksporton pothuajse të gjithë kapacitetin jashtë vendit, diku rreth 90 për qind.
“Vendet që më së shumti eksportojmë janë Kroacia, Shqipëria, Bosnja, Holanda, Belgjika”, ka thënë ai. Po ashtu, ai ka treguar se bashkëpunim kanë edhe me Kinën, po ashtu dhe në Afrikë, përkatësisht në Nigeri.
“Vetëm gjatë vitin 2013, jashtë vendit, kemi eksportuar diku deri në 400 mijë litra, edhe pse nuk e di saktësisht, mirëpo përafërsisht kjo është sasia, që kemi eksportuar jashtë vendit dhe jemi shumë të kënaqur, sepse vera preferohet shumë në këto vende ku eksportojmë dhe ata janë të kënaqur me cilësinë e verës, e kjo na bën që të punojmë edhe më shumë”, është shprehur ndër të tjerash Haxhijaha. Ai ka treguar se për momentin janë duke prodhuar disa lloje të verave.
180 mijë euro subvencion
Haxhijaha, më tej ka treguar se konsumi i verërave në Kosovë nuk është edhe aq i kënaqshëm krahasuar me vendet në të cilat eksporton Bodrumi i Vjetër. Ndërkaq, sa u përket subvencioneve, Haxhijaha ka treguar se këtë vit kanë pasur një subvencion nga Qeveria e Kosovës.
“Këtë vit, kemi pasur subvencion dhe viti 2013, ka qenë ndihma e parë nga Qeveria e Kosovës, vlera e grandit marrë si subvencion nga Qeveria e Kosovës, ka qenë diku rreth 180 mijë euro. Ndërkaq, më herët gjithçka çka kemi bërë i kemi bërë me forcat tona”, është shprehur Haxhijaha.
Po ashtu, ai ka treguar se lëndën e parë e marrin prej fermerëve lokalë dhe me ta kjo ndërmarrje ka kontratë me ta.
“Për përpunimin e rrushit ne bashkëpunojmë me fermerët, ua japim pesticidet, preparat për stërpikje, po ashtu u japim edhe derivate për traktorët e tyre dhe pastaj me pranimin e rrushit ne bëjmë kompensimin e asaj vlere, e që të gjitha këto preparate i marrin prej Sllovenisë, që janë me një çmim konkurrent me tregun e barnatoreve të vendit”, ka thënë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.