Kursimi duket se është kthyer në një nevojë dhe/ose “stil jetese”. Për të kursyer, portali i famshëm i udhëtimeve dhe turizmit “TripAdvisor” ka krahasuar çmimet në 48 vende në të gjithë botën dhe ka krijuar një klasifikim.
Për pushime sa më ekonomike duhet të përqendroheni në Azi dhe Europën Lindore. Kështu dikton “TripIndex City”, klasifikimi i faqes së udhëtimeve më të madhe në botë “TripAdvisor”. “TripIndex” llogarit koston e një nate duke marrë parasysh çmimet për dy persona në një hotel me pesë yje, një darkë, një udhëtim me taksi vajtje-ardhje dhe një qëndrim për dy net, një hotel me katër yje, në periudhën nga qershori deri në gusht.
Duke vazhduar më tej me renditjen zbulojmë se Azia zë pesë vende nga dhjetë destinacionet kryesore me kosto të ulët, ndërsa tre gjenden në Europën Lindore dhe dy në Afrikë.
Kush i bën llogaritë teksa zgjedh një destinacion veror, duhet të mbajë mend Vietnamin dhe kryeqytetin e tij të bukur Hanoi. Vitin e kaluar ishte qyteti i dytë, tani renditet i pari me një kosto prej 111 eurosh. Një darkë e shoqëruar me verë për dy persona mund të llogaritet për një çmim mesatar prej 24,10 euro.
Në vendin e dytë sërish një vend i Azisë, Xhakarta në Indonezi, që në klasifikimin e vitit 2014 ishte 19 pozicione më poshtë. Në këtë vend mund të shpenzoni shumë pak për të shpenzuar, sidomos nëse do të zgjidhni të udhëtoni me taksi: kushton 2.10 euro për vetëm 3 km. Shtojmë këtu se nëse bëjmë një bilanc për të gjitha “zërat”, atëherë kostoja do të llogaritej në 115 euro.
Me 115,79 euro, vendin e tretë e zë Sharm el Sheikh, një vendpushim turistik në Detin e Kuq.
Kthehemi sërish në Azi. Vendi që renditet i katërti është Bangkoku, kryeqendra e Tajlandës. Në qytetin mbi lumin Chao Phraya mund të shpenzoni 117,69 euro. Bangkoku ka hotelet që kushtojnë më pak me një kosto për natë në vetëm 62,23 euro.
Destinacioni i pestë gjendet në Europë dhe është kryeqyteti bullgar, Sofja. Në të ju mund të shpenzoni në natë 136,16 euro.
Për vendin e gjashtë duhet të ndryshojmë kontinent sepse gjendet në Afrikë dhe është Cape Town, kryeqyteti i dizajnit për vitin 2014, me një kosto prej 138,23 për të gjitha zërat, në natë. Në qytetin e Afrikës së Jugut do të shpenzoni vetëm 4 euro për dy kokteje, një çmim vërtet fantastik.
Destinacioni i shtatë është sërish në Azi dhe ai është Mumbai, kryeqyteti ekonomik dhe financiar i Indisë, ku do të shpenzoni 138,41 euro në natë.
Vendi i tetë shkon për Malajzinë dhe më saktë për kryeqendrën Kuala Lumpur, me një kosto prej 141,97 eurosh në natë.
Vendin e parafundit në klasifikim e mban Praga, që fiton 11 vende në krahasim me vitin 2013. Në qytetin e Malá Strana dhe të urës Carlon do të shpenzoni 143,47 euro në natë. Renditjen e mbyll një tjetër destinacion në Europë dhe është Budapesti i Hungarisë. Për një ditë pushimi në qytetin e bukur mbi lumin Danub duhet të shpenzoni plot 145,35 euro.
Ja çfarë këshillojnë portalet më të rëndësishme të turizmit
“Tripadvisor” sjell vendet më të vlerësuara
“Tripadvisor” sjell një listë me vendet më të vlerësuara për sa u përket hoteleve më të veçantë. Kriteret e përzgjedhjes kanë qenë arkitektura, shërbimi, përdorimi i teknologjisë dhe numri i turistëve që zgjedhin çdo vit të pushojnë në këto struktura. Në vend të parë të listës është renditur një hotel që dikur ka qenë një godinë historike në Machu Picchu. Nata atje varion nga 400 dollarë në mijëra. Ndërkohë vende të tjera me hotelet më të veçanta janë: India, Afrika, Himalajat, Karaibet, Turqia dhe Meksika.
“Lonely Planet”, kryesojnë Turqia dhe Greqia
Greqia dhe Italia vazhdojnë të jenë dy nga vendet që tërheqin mjaft turistë gjatë sezonit turistik për shkak të atraksioneve të tyre, kuzhinës spektakolare dhe kulturës që këto vende kanë. Kjo është arsyeja pse “LonelyPlanet” i liston mes dhjetë vendeve më të mira të Europës për t’u vizituar gjatë këtij viti. Të tjera destinacione që kanë përbërë këtë listë janë: Italia, Skocia, Norvegjia, Republika Çeke, Franca, Sllovenia, Danimarka, Spanja dhe Anglia.
Më ekonomikët sipas “Trivago.it”.
“Trivago.it” ka hartuar një listë me 20 vendet të cilët kanë koston më të ulët për të qëndruar gjatë verës. Kosi në Greqi dhe Budapesti në Hungari kanë zënë vendet e para për çmimet me të ulëta të qëndrimit për një natë në hotelet e këtyre destinacioneve. Të tjera vende ekonomike dhe shumë të bukura për të pushuar këtë verë janë listuar “Sunny Beach” në Bullgari, Valencia, Berlini, Talini, Rimini, Costa Brava në Spanjë, Palma de Majorca dhe Amsterdami.
Studimi, kthim te destinacionet e vjetshme
Një studim britanik ka treguar se këtë vit, më shumë se 5 milionë europiane do të pushojnë sërish në të njëjtin vend ku ishin edhe sezonin e kaluar. Megjithëse një pjesë e konsiderueshme e turistëve europianë do të zgjedhin shumë destinacione të veçanta e të reja për të kaluar pushimet e tyre, por nuk do të mungojnë edhe ata të cilët do të preferojnë të shkojnë në të njëjtin destinacion që e kanë vizituar edhe më parë. Dy nga dhjetë të anketuarit do të preferoje të qëndrojnë në të njëjtin resort ku kanë qëndruar një vit më parë. Pothuajse 2 në 5 britanikë të anketuar do të shkojnë në të njëjtin plazh ndërkohë që çereku do të argëtohen në të njëjtin pub. Këtë vit disa prej preferencave kryesore të turistëve europianë do të jenë ishujt Tenerife, Parisi, Florida, Benidomi, Turqia dhe Majorka.
Këshilla udhëtimi para se të nisesh
Zgjidh valixhet me rrota, sepse kështu i thjeshton gjërat. Sidomos kur do të duhet të lëvizësh shumë gjatë udhëtimit.
– Mos harro karikuesin e aparatit fotografik dhe të telefonit. Mund të humbasësh kujtime të mrekullueshme.
– Mos merr me vete rroba që duhen hekurosur. Në fakt, mos bli fare rroba të tilla.
-Nëse ke një telefon të thjeshtë në shtëpi, merr atë me vete dhe jo iPhone-n e shtrenjtë (përveç rastit kur këtë të fundit do ta përdorësh edhe si aparat fotografik).
– Nëse të shkon në mendje të paketosh diçka bëje menjëherë, se më vonë mund të harrosh.
-Mos dil nga shtëpia pa u siguruar se i ke me vete pasaportën dhe
dokumente të tjera.
-Përpara se të marrësh një libër me vete, për ta lexuar gjatë udhëtimit ose kur je duke pritur nëpër stacione, shfleto disa faqe të tij dhe sigurohu që nuk është i mërzitshëm.
-Pavarësisht nga madhësia, kurrë mos merr më shumë se dy valixhe apo çanta me vete.
Kur të mbërrish
-Mbaj me vete një shishe uji, pasi në shumë vende uji kushton shtrenjtë.
-Mos u largo nga askund pa blerë një suvenir lokal. Fjalët i merr era, suveniret jo.
-Kurrë mos konsumo fast-food si turist, sado i uritur të jesh. Sidomos në verë, kur mundësia për t’u helmuar është më e madhe.
-Kurrë mos e mbaj portofolin në xhepin e pasmë dhe mos e hiq çantën nga krahu. Edhe kur je në bar, vendose çantën poshtë këmbëve ose mbaje në prehër, pasi me dhjetëra turistë të shkujdesur vidhen çdo ditë nëpër lokale e restorante.
-Pasaportën lëre në xhepin e valixhes, e cila ka më pak mundësi të humbasë, sesa çanta e vogël e shpinës. Bëj gjithashtu kopje të pasaportës, për çdo rast.
-Nëse udhëton me makinë, kurrë mos lër gjëra të shtrenjta brenda, si për shembull laptopin.