Eksportet e veshjeve dhe këpucëve iu rikthyen rritjes dyshifrore. Pas efekteve të krizës financiare, fabrikat rikthehen të forcuara. Por, nëse kthejmë pas kokën 24 vite më parë, shohim një industri që vazhdon të mbetet prapa, larg ciklit të mbyllur të prodhimit, sidomos industria tekstile.
Ecuria e eksporteve në dy vitet e fundit tregon se sipërmarrjet e veshjeve dhe këpucëve i kanë hedhur pas krahëve efektet e krizës financiare ndërkombëtare. Këto efekte gati e gjunjëzuan sektorin mes viteve 2009-2012, përmes vonesës së pagesave deri në 90 ditë dhe uljes së porosive deri në mbylljen e dhjetëra ndërmarrjeve në gjithë vendin.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, në shtatë muajt e këtij viti, eksportet e grupit të mallrave “veshje-këpucë”, u rritën 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në vlerën e 51.7 miliardë lekëve.
Në “shkëlqimin” e sektorit ka ndikuar edhe dobësimi i rritjeve të eksporteve në tërësi. Sipas INSTAT, eksportet në total për këtë periudhë u rritën 7.6%. Rritja me ritme më të shpejta e eksporteve “veshje-këpucë” bëri që pesha e tyre në total të rritet me 5 pikë përqindje, duke arritur në 34%. Pas shumë kohësh, për nga vlera e eksporteve, ky sektor i afrohet industrisë së rëndë me grupin e mallrave “minerale, lëndë djegëse e energji elektrike”.
Ecurinë e mbarë e pohojnë edhe vetë sipërmarrësit, të cilët pranojnë se po marrin më shumë porosi nga vjet, ndërsa është përmirësuar edhe ritmi i pagesave për punë.
Flamur Hoxha i kompanisë së prodhimit të kamishave, “Kler”, sipërmarrës i hershëm në këtë sektor tregon se “ka një rritje të interesit të kompanive tregtare nga Gjermania, Holanda dhe Austria”.
Kreu i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika, pranon se ka një shtim të interesimit të vërejtur që vitin e kaluar e që vazhdon edhe këtë vit. “Me interes po e shikojnë vendin tonë kompani gjermane, të cilat interesohen mbi të gjitha për veshjet e punës”.
Disa fabrika raportojnë rritje të aktivitetit për këtë vit. Në fabrikën “Kler” të z. Hoxha, puna është rritur me 5%.
Sipas të dhënave të tregtisë, rimëkëmbja filloi që gjatë vitit të kaluar, kur eksporti i tekstileve dhe këpucëve u rrit 12%, pas rënies prej 4% në vitin 2011.
Rikthehet optimizmi
Nuk janë vetëm shifrat ato që flasin për industrinë. Vizitat e shtuara të të huajve në këta muaj kanë bërë më optimistë sipërmarrësit për të ardhmen e aktiviteteve të tyre. Pyetja në është forcim i industrisë vendase, apo një përmirësim i klimës në Europë, nuk merr një përgjigje të qartë e përgjithësuese.
Sigurisht që Europa po shënon një rimëkëmbje të lehtë, ashtu sikurse edhe disa kompani shqiptare kanë ecur përpara për të ofruar diçka më shumë për klientët e tyre.
Flamur Hoxha është i bindur se biznesi ka bërë një punë të madhe në promovimin e sektorit. Sipas tij, “është bërë një pasqyrim objektiv i realitetit, ndaj nga tregu i huaj ka një këndvështrim më real nga ai çfarë perceptohej më parë”.
Ai thekson njëkohësisht se ka një uri reale nga tregu europian. Europa po kërkon të afrohet rreth vetes, e Shqipëria bën pjesë në tregjet e preferuara të rajonit.
Pasi u larguan nga Kina, në periudhën e kërcimit të çmimeve të naftës, e cila i shtrenjtoi kostot, kompanitë europiane po largohen tani edhe nga periferitë gjeografike të Europës. Ukraina është një treg tërësisht i pasigurt, por edhe nga Rumania, kompanitë po fillojnë të largohen për shkak të rritjes së kostove.
“Shumë kompani që preferojnë Shqipërinë, kanë punuar në Bullgari, Rumani e Ukrainë. Të gjitha këto kompani janë porositës nga Holanda, Gjermania, Austria”, sipas përfaqësuesve të sektorit.
Pse po shihet me më shumë interes Shqipëria, kur deri më tani Bullgaria e Rumania kanë marrë kompanitë me më emër?! Përgjigjja gjendet te kostot e punës. Si në Bullgari edhe në Rumani, kostot janë rritur gradualisht. Rumania ka humbur shumë pikë në konkurrueshmërinë me hyrjen në Bashkimin Europian, ndërsa edhe kriza ka bërë punën e saj. Për të ulur sa më shumë kostot e transportit, tregtarët europianë po tërhiqen jo vetëm nga Kina, apo Azia në tërësi, por edhe nga tregje pak më të largëta, por që gjenden në Europë.
Por, pas krizës, porositësit nuk janë më ata që kërkojnë të bëhet qepje e modeleve të gatshme të veshjeve, apo këpucëve.
Fabrikat shqiptare ishin “paralajmëruar” që me ardhjen e krizës, që tregu nuk do të ishte më ai i mëparshmi. Madje që gjatë kësaj periudhe, dhe vetëm për të mbijetuar nga kriza, kompanitë u përpëlitën të shtojnë proceset e punës, të gjejnë klientë të rinj. Themi kështu, pasi shumë pak kompani kanë arritur të bëjnë hapa cilësorë realisht të kënaqshëm. Tashmë jeni në një kohë, kur shumë porositës po kërkojnë produkt të gatshëm. Kësaj kërkese i përgjigjen vetëm një “elitë”, siç e quan vetë industria, atë grup kompanish që kanë arritur të sigurojnë një prodhim përfundimtar, duke blerë lëndën e parë jashtë.
Pra, nëse flasim për mbyllje të ciklit të punës, vazhdojmë të mbetemi larg, edhe pse kemi një sektor që po zhvillohet prej një çerekshekulli. Industria e këpucëve ka ecur më përpara në këtëdrejtim, ndërsa ajo e tekstileve ka mbetur prapa.
Kjo nuk do të thotë që kompanive t’u mohohet hapi cilësor i shtimit të vlerës së punës, përmes rritjes së proceseve të përpunimit. Hap që e shikon në fabrika, por e ndien edhe në bisedat mes shumë sipërmarrësve, të cilët tashmë kanë alergji nga fjala “fason-punë me material porositësi”.
Krahas fabrikës “Sam”, e cila prej vitesh është shndërruar në një eksportues të mirëfilltë të veshjeve sportive, në këtë drejtim kanë ecur edhe prodhues të veshjeve të brendshme, kryesisht në Shkodër e Berat. Fabrikat e mëdha po orientohen drejt punimit paralel për klientë, e prodhim për eksport të drejtpërdrejtë me emër të tyre. E tillë është edhe kompania “Kler”, e cila prej dy vitesh prodhon këmisha të personalizuara dhe po eksporton edhe përmes shitjeve online.
“Donniana” është sipërmarrja tjetër, e prodhimit të këpucëve, që vitet e fundit po i “gëzohet” avantazheve të mbylljes së ciklit, rritjes së vlerës së shtuar e deri te dalja direkt në tregjet e huaja, pa ndihmën e partnerëve të dikurshëm italianë.
Mbyllje e ciklit apo jo, duhet pranuar se kriza i tronditi kompanitë në kuptimin e mirë të fjalës, duke i nxjerrë më të forta në treg, ndonëse kjo fortësi është e brishtë.
Një tjetër efekt pozitiv i krizës vjen nga jashtë. Shumë subjekte në Europën problematike për kompanitë shqiptare nuk arritën t’i mbijetonin krizës. Ndaj është momenti për industrinë që të mësojë nga e kaluara dhe të mos gabojë në kontratat e reja që nënshkruan me jashtë.
Fenomeni:
Fabrikat orientohen drejt punimit paralel, punë me porosi e prodhim për eksport
Veshje-këpucë, një industri e brishtë
Pa i mohuar asnjë hap të hedhur me sakrificë në drejtim të zhvillimit, në kushtet e një tregu të vështirë e pa ndonjë politikë të drejtpërdrejtë mbështetëse, e gjithë industria e veshjeve dhe këpucëve duket një sektor i mbetur prapa. Një prej përfaqësuesve të industrisë e quan në gjendje amorfe dhe ky duket i vetmi përkufizim i mundshëm, në përpjekjen tonë për t’i dhënë një emër, një industrie të cilën revista e ka trajtuar shpesh e për fat të keq, sa herë i është rikthyer (përfshirë edhe këtë artikull) e ka gjetur po me të njëjtat probleme.
Sipërmarrësit vazhdojnë të vënë në dukje çështjen e punonjësve të pakualifikuar.
Me pak përjashtime, panorama e përgjithshme është ajo e një industrie të copëzuar, që punon për klientë të vegjël (e në vend që ky të ishte një favor, pasi porositë e vogla zakonisht i lidhim me porositë cilësore), mbetemi sërish te nivele të ulëta përpunimi, çmime të ulëta të punës, ndonëse kostot nga makineritë e vjetra janë të larta.
Gjendja amorfe është pjesë e sipërmarrjes, por edhe e industrisë në tërësi.
Kërkimi i një numri të saktë kompanish, ashtu si edhe i një numri të plotë të punonjësve është një mision i pamundur. Flitet për 100 mijë të punësuar, por rezultojnë më pak në regjistrat e punës. Edhe vetë përfaqësuesit e biznesit nuk kanë një përgjigje. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ato të pushtetit lokal (komuna, bashki) raportojnë numra të ndryshëm të kompanive, ndaj është e kotë të ndalemi tek numri 350 apo 450 fabrika, pasi shifra mund të jetë shumë më e madhe.
Një gjendje e tillë të vështirëson të kuptosh se çfarë po ndodh në industri, ku po ndodh zhvillimi i mirë apo i keq, të ndihmon njëkohësisht t’u japësh përgjigje disa pyetjeve: Pse sipërmarrësit ende sot ankohen për fuqinë punëtore të pakualifikuar? Përse kompanitë me emër nuk erdhën këtu por shkuan në Serbi, Rumani a Bullgari? Përse paga minimale është tejet minimale për kushtet e jetesës? E mbi të gjitha, përse pas 20 vitesh, pjesa dërrmuese e sektorit nuk e ka fituar ende pavarësinë nga porositësit?
Një kompromis i heshtur, në dëm të të gjithëve rezulton të ketë qenë informaliteti. Fajtorë për këtë janë qeveritë ndër vite, të cilat shpesh kanë folur për sektorin, por pak, ose aspak e kanë ndihmuar. Por, pjesa më e madhe e fajit rezulton të bjerë mbi sipërmarrjen, e cila në këto vite zgjodhi të jetë konkurrent i sipërmarrjeve të pandershme, infomale, shpesh të zhvilluara në bodrumet e pallateve apo kapanonët e harruar ku dera kyçej për t’iu shmangur kontrolleve tatimore, apo inspektorëve të punës. E ndërsa abuzuesit fituan aq pak sa synuan, humbësit më të mëdhenj janë pikërisht kompanitë që zgjodhën këtë nivel të ulët konkurrence.
Kjo shpjegon makineritë e vjetra në ndërmarrje, pagat e ulëta, nivelin e ulët të konkurrueshmërisë me rajonin, pavarësisht avantazheve dhe mungesën e presionit të mjaftueshëm për të mbyllur me kohë ciklin e prodhimit.
Por, zhvillimi i një industrie ende pa një fizionomi të qartë, shpjegon edhe faktin përse sektori nuk u trondit aq sa ç’pritej nga ekspertët në periudhën e pas krizës.
Monitor ka shkruar në vitin 2010 për mbylljen e disa fabrikave në Gjirokastër e Korçë, për shkak të efekteve të krizës në Greqi, ndërsa kompanitë raportonin ulje të porosive deri në 50% nga tregu më i madh porositës për në Itali.
Por, të paktën në nivel shifrash zyrtare, dëmi i krizës financiare në këtë sektor ishte i ulët.
Sipas të dhënëve të Institutit Shqiptar të Statistikave, në vitin 2009, vit kur filloi të ndihej efekti i krizës financiare ndërkombëtare eksporti ra vetëm me 1.1% krahasuar me një vit më parë, me një vlerë prej 48.3 miliardë lekësh.
Një tjetër rënie erdhi në vitin 2011, kur eksporti i grupit të mallrave veshje-këpucë ishte 4% më pak se një vit më parë.
Parë ndër vite, ecuria e eksporteve ka qenë në rritje. Por, po të shohim më në detaj, kuptojmë si është zbehur pesha e këtij sektori në totalin e eksporteve. Ritmet e rritjes nuk kanë qenë ato të eksporteve në tërësi. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, është i dukshëm hendeku i krijuar mes eksporteve në tërësi dhe atyre të tekstile-këpucëve në dhjetë vitet e fundit, për shkak të ritmeve të ndryshme të rritjes.
Në vitin 2004, pesha e eksporteve të tyre shënonte një rekord prej 70% të barrës së eksporteve, ndërsa vitin e kaluar, kjo peshë është përgjysmuar.
Rastet ndryshe
Nëse sektori ka shumë probleme, nuk do të thotë të mungojnë rastet që shkëlqejnë e mund të shërbejnë si shembull për t’u ndjekur. E tillë është Marlotex, e cila me logo që kombinon emrat e familjes sipërmarrëse, me ngjyrat e bardha dhe bojëqiell të veshjes së Nënë Terezës, e ka filluar rreth dy vite më parë, me katër makina qepëse të vendosura në një ambient të vogël në Berat. Ka mjaftuar vetëm kjo periudhë për të punësuar qindra vajza të komuniteteve të ndryshme të kësaj zone e për të punuar për kompani me emër në Francë e gjetkë. Mjafton një takim i shkurtër me sipërmarrësin shqiptar, investitor i hershëm në Francë, për të kuptuar vizionin ndryshe të sipërmarrjes. Ky vizion nuk ndalet në objektiva të shkurtër të pagës së ulët të punonjësve, apo makinerive që kushtojnë sa më pak të jetë e mundur. Por një vizion që shkon deri në blerjen e mundshme të një kompanie jashtë vendit.
Prania e kësaj industrie iu bë e ditur edhe vetë Papa Françeskut, i cili mori si dhuratë nga fabrika e Beratit një shall të Nënë Terezës.
Investimet sociale nuk mungojnë në sektorin që jo pa të drejtë shpesh është kritikuar si “skllavërues”.
Edhe kompania “Sam” prej vitesh përdor standardet europiane të punës. Vendosja e sipërmarrëses Mimoza Vojka në anën e përgjegjësisë sociale, ku punonjësit e saj të kenë më pak orë pune në javë se kolegët e tyre në fabrika veshjesh.
Mangësi e mundësi të mëdha
Duke bërë hapa të vegjël, rruga përpara ka mbetur ende e gjatë. Për këtë arsye, sektori ka ende shumë hapësira ku ka mundësi të zhvillohet. Mbetet e tillë rritja e proceseve të punës, formimi i punonjësve, gjetja e klientëve cilësisht të mirë dhe investimet në makineri për të ulur kostot e prodhimit. Studimet e pakta të bëra na tregojnë se një shërbim të plotë prodhimi e ofrojnë rreth 5% e ndërmarrjeve, prerje prodhim 85% e tyre. Edhe procesi i mekanizimit të prerjes është mbrapa, pasi më shumë se 70% e ndërmarrjeve aplikojnë prerjen manuale.
Mes avantazheve dhe dizavantazheve renditen shumë, ndonjëherë varet edhe nga këndvështrimi për t’i grupuar ato. Afërsia gjeografike me BE-në mbetet gjithnjë në krahun e avantazheve, por nuk mund dhe nuk duhet të shihet më si i tillë krahu i lirë i punës. Përveçse është një avantazh që e humbasim me afrimin drejt Bashkimit Europian, vetë kompanitë nuk duhet të synojnë paga minimalisht të ulëta, pasi komprometojnë cilësinë dhe rendimentin e prodhimit.
Faktorëve negativë u shtohet edhe rritja e pritshme e çmimit të energjisë, e cila, sipas përfaqësuesve të sektorit, do të rëndojë më tej kostot.
Mundësitë
Potencial në dizenjim, zhvillimin e produktit
Pas Kinës, edhe tregje të afërta si Rumania e Bullgaria kanë rritur kostot e produktivitetit.
Nivel i lartë interesi nga partnerë europianë, pas efekteve të krizës financiare.
Rritja e Bulgarisë dhe Rumanisë
Hapësirat te vlera e shtuar
Rreziqet
Rreziku i rritjes së kostos, me integrimin në BE
Luhatja e punonjësve në aktivitete të tjera
Konkurrencë e lartë nga vendet e rajonit
Produktiviteti i ulët dhe niveli i ulët i specializimit janë probleme kyçe të konkurrueshmërisë në të ardhmen
Rreziku i rritjes së çmimit të energjisë elektrike
Paketa për fasonin, mes fakteve dhe iluzionit
Sektori i veshje-këpucëve (për të mos i përgjithësuar të gjithë nën termin fason) dukej ndër më të favorizuarit e këtij viti, pasi mori vëmendjen e qeverisë aq sa për të prezantuar një paketë të veçantë fiskale, e cila ofron lehtësi, për efektin e të cilave kompanitë duan edhe pak kohë për t’i vlerësuar. Themi kështu, pasi tatimfitimi edhe për ta u rrit në 15% nga 10% që ishte më parë, ndonëse 5% do t’u rimbursohet. Sektori ka kërkuar lehtësi edhe në procedurat administrative, kryesisht ato doganore, dhe do të duhet të presim hyrjen në fuqi të kodit të ri doganor, për të kuptuar nëse ndryshimet e bëra do të lehtësojnë udhëtimin e tyre. Ata nuk parashtruan ndonjë kërkesë për rimbursimin e TVSH-së, pasi vetë qeveria premtoi rimbursimin e saj për 30%. Por gjatë verës, disa kompani filluan të ankohen për vonesat në rimbursim, që iu vunë në dukje qeverisë edhe nga përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Për marketingun e tyre jashtë, sipërmarrësit vazhdojnë të kërkojnë mbështetje financiare për të marrë pjesë në panairet ndërkombëtare madje edhe një agjenci të veçantë që të kujdeset vetëm për këtë sektor.
Çfarë kërkojnë prej kohësh kompanitë nga qeverisja
Qeveria mund të krijojë një agjenci pikërisht për këtë sektor, për të mbështetur industrinë me politika specifike.
Përmirësimin e procesit të rimbursimit të TVSH-së
Mbështetje specifike për të tërhequr kompanitë e mëdha (Dikur nga Lindja e Mesme. Tani nga Europa Lindore (Ukrainë, Bullgari)
Kredi afatgjata për investime për të rritur cilësinë dhe paraqitjen e produktit.
2011-a, kur kompanitë sakrifikuan
Përfaqësuesit e biznesit pohojnë dhe shifrat zyrtare tregojnë se në vitin 2011, sipërmarrjeve u është dashur të punojnë me kosto më të ulëta se më parë, edhe pse në vendin tonë kanë mbizotëruar historikisht çmimet e ulëta të punës. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2011 kompanive iu desh të importonin më tepër sasi për të siguruar pak më shumë të ardhura.
Sipas kreut të Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika, kjo ishte periudha kur sipërmarrjet luftonin për të mbijetuar në treg, e zbritën në kostot minimale të tyre. Nëse disa fabrika u mbyllën plotësisht (kryesisht ato që operonin me porositës grekë), të tjera pranuan të punojnë me humbje në këmbim të mbijetesës.
Gjika thekson se edhe vitin e kaluar, çmimet janë ulur më tej. Në mënyrë direkte, apo indirekte, vlera e punës zbriti në gati 20% sipas Gjikës. Nëse porositësit nuk kanë arritur të ulin me tej çmimin e punës për njësi, ata kanë shtuar njësitë e porosisë për të njëjtin çmim, ose kanë shtuar punën e sipërmarrjeve, duke u kërkuar të sigurojnë vetë materiale, aksesorë për realizimin e punës.
Një vit më vonë, duket se as kësaj forme nuk i kanë rezistuar uljet e pritshme të importit të lëndëve të para, të cilat siguruan më pak punë për kompanitë e rrjedhimisht më pak fitime. Sipërmarrësit flasin për ulje të fitimeve që i kalon 9% në 2012-n. Krahasuar me një vit më parë, sipas Institutit të Statistikave, eksportet ranë 3.5% në vlerë e 4.5% në sasi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.