Flet Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve
Si e shpjegoni rritjen e numrit të vetëvrasjeve vitet e fundit në vendin tonë?
Shoqëria ka evoluar me hapa të mëdha dhe për rrjedhojë janë rritur edhe problemet, në aspektin social të individit, në marrëdhënie me të tjerët, në aspektin familjar etj., sepse është shumë e rëndësishme se si e shohim zhvillimin e atij individi në mjedisin social në të cilin jeton. Sa i përket rritjes së numrit të vetëvrasjeve, janë shumë faktorë të cilët mund të tregojnë se pse ndodhin vetëvrasjet e pse po bëhemi një shoqëri e cila po e përqafon këtë fenomen.
Një ndër këto arsye është pamundësia e individit për të realizuar qëllimet që vendos në jetë. Shumica prej nesh kanë dëshira e qëllime, që në disa raste janë të paarritshme. Nuk po flas për qëllime të mëdha, por sipas nevojave që kemi, në këtë mjedis që jetojmë: qëllime bazike për individin.
Siç është jetesa me një stabilitet ekonomik, mjedis i qetë, me marrëdhënie sociale të vendosura drejt midis grupit social në të cilin ai bën pjesë. Ndonjëherë mosrealizimi i këtyre e çon individin në fenomenin e vetëvrasjes, sepse e sheh veten të pashpresë; nuk realizon asnjë nga këto qëllime dhe e gjen veten pa statusin që mendonte të kishte në shoqëri, pa mundësinë për të mbajtur një familje etj., pa marrë parasysh që edhe vetë kërkesat e vendosura nga shoqëria, mund të jenë të papërballueshme nga individi.
Po faktorë të tjerë që ndikojnë?
Një tjetër faktor që ndikon është edhe çrregullimi psikologjik. Flasim për depresionin, i cili është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale, ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë kemi një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes.
Duke thënë se jetojmë në një shoqëri globale, detyrimisht ky globalizim ka sjellë të mirat dhe të këqijat e veta. Në këtë rast, individualizimi, i cili në rastin tonë ka ardhur pas një periudhe të gjatë kolektiviste. Pra, momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj.
Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë. Që do të thotë se po evidentohen gjithnjë e më shumë individë me komunikim më pak të gjithanshëm, njerëz pesimistë. Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike. Ne jemi në një epokë të jetës post-moderne dhe individualiste njëkohësisht, që ndër vështirësitë që ka sjellë për individin janë arritja e qëllimeve si një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh varfërinë etj.
A ka ndarje apo dallime në moshë, gjini?
Për mendimin tim, nga pikëpamja moshore më të rrezikuarit janë adoleshentët dhe ne duhet të kemi kujdes të madh, sepse mosha e tyre është delikate. Studimet e fundit nxjerrin moshën 14-25 vjeç si më të prekur nga ky fenomen. Të tjera studime e kanë çuar deri në moshën 29-vjeçare. Është edhe mosha e rritur e vonë e prekur, arsyet se pse e marrin këtë akt i diferencojnë.
Adoleshentët, duke jetuar në periudhën e zhvillimit shpërthyes të individit dhe formimit të personalitetit, janë lehtësisht të ndikueshëm nga faktorët socio-ekonomikë. Konkretisht, edhe në Shqipëri, ideja e adoleshentëve për të konkurruar për status: veshje, teknologji, para, makina luksoze, udhëtime etj., i vë ata nën një trysni që shpesh i çon në vetëvrasje. Edhe rrjetet sociale janë një faktor negativ në këtë mes, pasi u ofron mundësi ekspozimi të gjerë, nga ku një pjesë nuk mundet të arrijë të ketë të njëjtat. Ne si ekspertë e quajmë si dukuri “të pasurit të gjithçkaje”. Por jo të gjithë arrijnë t’i kenë dhe frustrohen. Presioni social shpesh bëhet i fortë dhe mund të ndikojë në marrjen e vendimit të vetëvrasjes.
Sa i përket moshës së rritur të vonë, ose të moshuarit, janë kryesisht të prekurit edhe nga sëmundja e depresionit, ose ajo kategori të cilët jetojnë vetëm, Duke qenë se gjithnjë e më shumë familja po shpërbëhet në bërthama më të vogla, dhe nuk është si familja e dikurshme patriarkale, shpesh të moshuarit mbeten vetëm. Në kushtet e mungesës së përkujdesjes dhe të pamjaftueshmërisë së të ardhurave (pensionit) për të kaluar muajin, i çon në vetëvrasje.
Në moshën e mesme, ky fenomen ndodh më rrallë, arsyet janë: çrregullime të sjelljes psikologjike, trauma si humbja e një personi të dashur dhe arsyet ekonomike. Në këtë grup-moshë arsyet ekonomike janë më të mëdha që e detyrojnë të vetëvritet. Persona të tillë, të gjendur përpara përgjegjësisë për të mbajtur një familje, kushteve të vështira të jetës, pagës së ulët ose papunësisë, mospërballimit të shpenzimeve, pamundësisë së strehimit, etj., gjejnë si zgjidhje të vetme vetëvrasjen. Por, duhet pasur parasysh që një familje që humbet kryefamiljarin përballet edhe më keq me vështirësinë financiare.
Çfarë mund të bëjë shteti shqiptar në këtë drejtim?
Ajo çfarë mund të bëhet është të pasurit të politikave sociale në nivel më të mirë. Çfarë dua të them me këtë? Në rastin e një familjeje në nevojë, adresimi i vendit të punës, pagesa e ndihmës ekonomike, banesat sociale, akses në shëndetësi falas etj. Për fëmijët: libra dhe mjete shkollore falas etj. Duhet pasur parasysh se në shëndetin e një shoqërie ka ndikim të konsiderueshëm niveli i papunësisë, i varfërisë, krizat ekonomike që përjetojnë familjet shqiptare, vështirësitë në aksesin e shëndetësisë, siguria, kriminalitetit, vrasjet, vjedhje etj.
Presioni i rrjeteve sociale
Edhe rrjetet sociale janë një faktor negativ në këtë mes, pasi u ofron mundësi ekspozimi të gjerë, nga ku një pjesë nuk mundet të arrijë të ketë të njëjtat. Ne si ekspertë e quajmë si dukuri “të pasurit të gjithçkaje”. Por jo të gjithë arrijnë t’i kenë dhe frustrohen. Presioni social shpesh bëhet i fortë dhe mund të ndikojë në marrjen e vendimit të vetëvrasjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.