Si teknologjia, kjo shpikje e madhe e njerëzimit, ka prekur modele të ndryshme biznesesh në Shqipëri. Disa prej tyre kanë rënë pre e saj dhe nuk mundën të mbijetonin, të tjera kanë pasur zhvillim të vazhdueshëm, të ndihmuar nga tre ‘www’ e famshme. Në mjedisin shqiptar, ai që ka parë zhvillim nga përdorimi i teknologjisë, është biznesi i shitjeve me pakicë dhe agjencitë e udhëtimeve. Ndërsa bizneset e dikurshme të DVD dhe CD kanë pësuar ndryshim total; print-i është një tjetër sektor ndër vite i rrezikuar…
Nga Deada Hyka
Teknologjia ka bërë një rrugë të gjatë 50 vitet e fundit; kemi parë lindjen e internetit, rritjen e përdorimit të telefonave celularë ‘smartphone’ dhe lloje të tjera të elektronikës dhe pajisjeve të ndryshme, shumë prej të cilave ekzistojnë për shkak të internetit. Interneti mendohet të jetë një nga shpikjet më të mëdha që kemi parë ndonjëherë, i bën kaq gjëra shumë më të lehta dhe kjo pjesë vijon të përmirësohet. Pikërisht për shkak të gjithë teknologjisë së re, disa modele të vjetra të biznesit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike përgjithmonë, shumica e këtyre bizneseve vazhdojnë të lulëzojnë, por disa prej tyre janë në “fije të perit” ose kanë pushuar së ekzistuari.
Agjencitë e udhëtimeve
Turizmi do të jetë gjithmonë një industri e madhe, edhe me ndryshimet e shumta që ka parë ndër vite, sidomos me ardhjen e internetit. Në të shkuarën, mënyra më e lehtë për të rezervuar një udhëtim apo të zgjasje një udhëtim pune ishte patjetër përmes një agjenti udhëtimesh. Në të kundërt do të duhet ta bëje vetë, gjë që kërkonte një kohë të konsiderueshme, në telefon apo të shkoje vetë, ku dhe shpesh planet nuk të rezultonin siç duhet. E gjitha kjo ka ndryshuar drastikisht. Website e udhëtimeve ju ndihmojnë që të rezervoni për pak minuta, kjo përfshin gjithçka: fluturimin, hotelin, makina me qira, e shumë të tjera, vetëm me një kartë krediti. Në disa vende në botë, kjo ka bërë që një pjesë e agjencive turistike të fillojnë të mbyllen.
Megjithatë, ka ende njerëz të cilët nuk janë komod në përdorimin e internetit për të tilla shërbime dhe u drejtohen agjencive.
Në një komunikim për “Monitor”, tre agjenci udhëtimesh në Tiranë, Union Travel, Matias Travel dhe Kalemi Travel, thonë se interneti ka pasur ndikim të menjëhershëm në këtë sektor në treg. Sipas tyre, një pjesë e të interesuarve, shpeshherë komunikojnë me kompaninë thjesht për t’u interesuar për një udhëtim dhe pjesën e rezervimit e kryejnë vetë. Infrastruktura e web ia mundëson lehtësisht këtë, pavarësisht se një pjesë e pushuesve janë klientë dhe u drejtohen agjencive për të zgjedhur udhëtimin e tyre, duke qenë se kjo e fundit del garant për të gjithë procesin.
Teknologjia ka ndryshuar biznesin e videotekave, pra marrjes me qira të videove dhe shumë dyqane video janë jashtë shërbimit prej vitesh. Videoja streaming është bërë jashtëzakonisht popullore dhe shumë njerëz zgjedhin të paguajnë për të transmetuar filma të rinj direkt nga shtëpitë, kompjuterët, tabletët dhe madje edhe nga smartphone-t. Biznesi i DVD-së është duke mbijetuar ende, por nuk është ai i dyqaneve me qira, janë kompani si Netflix që i kanë konkurruar fuqishëm.
Pirateria e filmave në internet ka dëmtuar gjithashtu videotekat dhe kinematë, pasi shumë filma dalin në internet menjëherë pasi ata mbërrijnë në kinema dhe miliona njerëz i shkarkojnë në mënyrë të paligjshme, për t’i parë falas në shtëpi.
Agim Halili, drejtuesi i Eurostar, një ndër shtëpitë diskografike që ka pasur lulëzimin më të madh në epokën e “CD dhe kasetave”, shprehet për “Monitor” se biznesi i tyre prej vitesh po përpëlitet në treg dhe në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet që të kapet në të tjera forma që të mbijetojë.
“Teknologjia ka përparuar aq shumë, sa na la në pension. Nuk flitet më për prodhime CD dhe as më pak për shitje të tyre, ikën ato kohë. Prej disa vitesh kemi kaluar në produksione filmash, që të diversifikonim aktivitetin”,- thotë z. Halili.
Ekzistenca e YouTube, sipas tij, ka “shkatërruar” biznesin që dikur gjeneronte fitime të mëdha, por bëhet fjalë për 15 vite më parë, tani çdo gjë ka ndryshuar.
Problematika tjetër që nisi të japë sinjalet e një tregu në rënie ishte zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe rritja e aksesit në web.
“CD mund të kopjoheshin fare lehtë dhe brenda një çasti i gjen të hedhura në internet”, – tregon z. Halili. Ai shton se pirateria në tregun muzikor shqiptar, është ndër arsyet kryesore që i ka çuar shtëpitë diskografike drejt falimentit.
Industria muzikore
Gjatë 20 viteve të fundit, kanë ndodhur shumë ndryshime në industrinë e muzikës, së pari ishte CD-ja që zhduku kasetat e dikurshme dhe, në 10 vitet e fundit, CD-të filluan të shuheshin për shkak të shkarkimit të MP3 dhe asaj të muzikës dixhitale. Industria muzikore është një ndër sektorët që pësoi ndryshimet më të mëdha, për shkak të avancimit të teknologjisë. Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet industria e muzikës janë kopjet e piratuara të albumeve që miliona njerëz i marrin në faqet pirate të internetit, shpesh muaj përpara se albumet të publikohen në të vërtetë, dhe faqet e torrenteve janë ndër më të njohurat për këtë lloj aktiviteti. Kjo është një kauzë që luftohet fort kudo në botë.
Andi Islami, menaxheri i Three Dots Production, një ndër shtëpitë e produksioneve kryesore në vend, shprehet se interneti ka ndikuar në çrregullimin balancave të tregut, duke vështirësuar punën e producentëve, dhe duke ulur fitimet. Z. Islami pohon se sfida më e madhe për industrinë tonë muzikore është ndërtimi profesional i tregut, për të cilën do të duhen të bëhen shumë hapa.
Sipas tij, teknologjia ka sjellë atë që muzika të fokusohet online: te download ose streaming service, të cilët e bëjnë më të lehtë shpërndarjen në një treg të gjerë audience. “CD tashmë ka më tepër statusin e një ‘gadget’, dhe besoj se me kalimin e kohës, vetëm një numër i vogël njerëzish do të dëshirojnë të koleksionojnë këto vepra”,- pohon z. Islami.
Sipas tij, platforma VEVO, jo vetëm po ndihmon në rritjen e të ardhurave online për produksionet, por në të njëjtën kohë i jep këngëtarit e producentit një status e përfaqësim dinjitoz.
Gazeta vdiq, jetë të gjatë gazetarisë! Kjo shprehje ka qarkulluar shumë në web vitet e fundit, sidomos me kërcënimin që hasi printi kudo nëpër botë.
Industria e gazetave është një nga bizneset që po dëmtohet më tepër nga teknologjia e re, pasi shumë njerëz marrin falas të gjitha lajmet e tyre në internet. Disa prej kompanive më të mëdha të gazetave kanë zgjedhur të hapin një faqe web. Disa prej tyre i ofrojnë lajmet pa pagesë, por njëkohësisht fitojnë para në faqet e tyre nëpërmjet reklamave. Një pjesë e tyre ofrojnë lajme të tjera nëpërmjet abonimeve me parapagim.
Fanatikët e print nuk e pranojnë “kërcënimin” që teknologjia shfaqi, përkundrazi, ashtu sikurse kudo në botë, edhe në Shqipëri, pjesës më të madhe e mediave kryesore print iu shtua edhe një version online i tyre. Ishte një hap i domosdoshëm dhe i pashmangshëm në vrullin e teknologjisë, mosprania në web të “përjashton” dhe “lufta për klikime” bëhet më e fortë.
Rreth tre vite më parë, një ndër gazetat kryesore në tregun shqiptar, Gazeta “Shqip”, lajmëroi mbylljen. Por versioni online vazhdon të operojë në treg, por me një staf të reduktuar prej vetëm 4 personash.
Erjon Abule, kryeredaktor i Shqip Online, thotë për “Monitor” se një media online ka avantazhet e veta, në përcjelljen e lajmit në kohë reale, shpejt. Ruajtja e standardit që Gazeta “Shqip” ka pasur si print edhe në këtë version, me profesionalizmin e lajmeve, e ka bërë që të arrijë më tepër ndjekës në rrjetet sociale, diçka që teknologjia ta ofron. Megjithatë, z. Abule shton se print kishte një staf më të madh dhe ishte shpesh burim furnizimi lajmesh më ekskluzive dhe të detajuara për web.
Ekspertët tregojnë se përparësia e një media online ndaj asaj tradicionale print qëndron në koston e ulët. Krijimi i një faqeje kushton jo më shumë se 500 dollarë. Ata sjellin në vëmendje edhe reklamimin, si një element që duhet marrë në analizë. Gazetat në versionin e tyre në print kanë një treg më vete, ndërsa faqet e internetit janë më të vlefshme dhe burim i rëndësishëm për reklamime. Rrjetet sociale kanë sjellë konkurrencë reale për median tradicionale, pasi njerëzit i shohin si alternativa ndaj dhe nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë.
Fotografia
Në ditët e sotme janë të paktë ata që printojnë fotografitë, në kushtet kur aparatet dixhitalë apo smartphone mundësojnë shkarkimin e tyre menjëherë në kompjuterë. Në një vëzhgim në disa nga dyqanet e fotografive në Tiranë, vihet re se shumica e tyre kanë diversifikuar shërbimet që ofrojnë, në kuadër të “mbijetesës”.
Jonida Thomaj, drejtuese e një dyqani të tillë përballë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, tregon se ka një mori produktesh që shiten, duke nisur nga kornizat, apo ornamente të tjera në fushën e fotografisë.
“Kur hapëm këtë dyqan 15 vite më parë, puna jonë kryesore ishte kryerja e fotografimit për dokumente zyrtare dhe krahas kësaj, printimi i fotove. Tani ka ndryshuar shumë. Për të qenë koherent me ndryshimet, kemi hapur edhe një studio fotografie profesionale për të ofruar shërbime të tjera. Për t’ju përshtatur kërkesave të tregut kemi përfshirë edhe një mori produktesh, pjesa më e madhe handmade në fushën e fotografisë, për të nxitur edhe printimin e tyre në formë librash, stampimesh etj. Por kërkesat janë të pakta. Në raste të rralla, kryesisht për dhurata, shqiptarët printojnë ndonjë foto. Albumet janë zhdukur thuajse fare nga lista e kërkesave”, – thotë drejtuesja e “Ciak Shop”.
Jonida shton se, në rastin e kryerjes së sesioneve të fotografisë profesionale, ku kërkesat janë kryesisht për fëmijët, ndonëse u ofrojmë falas printimin e disa fotografive, për t’i nxitur që të kthehet te ky trend, shqiptarët janë më pak të interesuar, pasi fokusin kryesor e kanë te publikimi i fotove të tilla në rrjetet sociale.
Dyqanet e librave
Dyqanet e librit janë një nga modelet e biznesit që shohin problemet më të mëdha për shkak të teknologjisë, sidomos në 5 vitet e fundit, në botë. E-lexuesit po fillojnë të zëvendësojnë librat e shtypur dhe nuk janë vetëm lexuesit, por edhe formatet e aplikacioneve që u lejojnë njerëzve të blejnë dhe lexojnë libra nga telefonat dhe tabletët e tyre. Kohët e fundit kemi parë libraritë që dalin jashtë biznesit në të gjithë botën. Ka ende disa që po bëjnë mirë, sepse kanë përqafuar teknologjinë dhe kanë dalë me lexuesit dhe aplikacionet e tyre, gjë që u ka mundësuar të përfitojnë nga teknologjia bashkëkohore. Dyqanet e librit që janë ende në biznes po luftojnë, dhe fatkeqësisht shumë prej tyre nuk do të mund të zgjasin për gjatë.
Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz fillojnë të blejnë Kindles dhe lexues të tjerë teknologjikë. Në Shqipëri, ky sektor nuk është kërcënuar tërësisht nga teknologjia, sepse industria e librit online nuk është zhvilluar ende, megjithatë shihet në një të ardhme afatshkurtër.
e-books dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese, edhe pse ka hapësirë për të sjellë risi në industri. Ndonëse shqiptarët janë të pranishëm në internet, si lexues por edhe si përdorues të rrjeteve sociale, shtëpitë botuese ende nuk janë online në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera. Mundësitë elektronike sjellin kosto më të ulëta për promovimin dhe shitjen e tyre përmes platformave ekzistuese të shitjeve online, por “kërcënimi” që vjen nga modernizimi i librit, është i madh.
Botuesit thonë se libri elektronik do të përballej me piraterinë, si një ndër rreziqet kryesore që nuk marrin dot përsipër. Nga ana tjetër, tradita e shfletimit të librit ka mbetur. Loreta Berhami, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”, thotë se lexuesit shqiptarë parapëlqejnë metodën klasike të leximit. Ta ruajnë librin si një kujtim, ta shikojnë të materializuar, së bashku me shënimet e tyre përkatëse.
“Frika se mos piratohet është arsyeja kryesore që e-libri nuk është i pranishëm, në Shqipëri nuk ka një platformë të mirëfilltë librash elektronikë. Ka ende disa arsye teknike që nuk e kanë zhvilluar këtë formë libri, por mendoj se nuk do të vonojë. Nga ana tjetër, mendoj se kjo nuk do të jetë as zgjidhja dhe as sëmundja e këtij tregu që po lëngon për të tjera arsye”,- thotë për “Monitor” znj. Berhami.
Shitjet me pakicë
20 vjet më parë, një pronar i dyqaneve të veshjeve ishte krejtësisht i varur nga kalimtarët e rastit që potencialisht do të tërhiqeshin nga ndonjë ofertë e shfaqur para dyqanit dhe do të vareshin nga tabela reklamuese, postera për të reklamuar biznesin e tyre. Jo vetëm që ato janë të kushtueshme dhe mënyra jo më e mirë e reklamimit, por ata shpesh nuk e targetonin audiencën e duhur. Sot, i njëjti pronar dyqani është në gjendje të shesë produktet online dhe nuk është më i varur nga këto kanale marketingu. Ai ose ajo mund të targetojë audiencën e duhur përmes mjeteve të rrjeteve sociale, që janë më pak të kushtueshme dhe mund të arrijnë një numër të madh njerëzish në një periudhë më të shkurtër kohe. Që kjo të jetë e mundur, një kompani duhet të përshtatet me avancimet teknologjike.
Erisa drejton një dyqan rrobash në zonën e Bërrylit në Tiranë prej 8 vitesh. Ajo thotë për “Monitor” se rrjetet sociale e kanë ndihmuar që të zhvillojë më tepër aktivitetin, duke qenë se reklamimi i modeleve të fundit të rrobave apo aksesorëve në përgjithësi bëhet në mënyrë ideale. “Ne e kemi pasur dyqanin edhe pa nisur mirë bumi i rrjeteve sociale, më pas njerëzit na ndiqnin shumë në Facebook, tani më shumë në Instagram. Nga këto dy rrjete na vijnë shumë blerës, sidomos nga rrethet. Është kaq e lehtë t’i reklamosh, me kosto minimale ose pa kosto fare”, – thotë ajo.
Megjithatë, ana tjetër e medaljes u takon atyre më pak të prirë që të përqafojnë ndryshimet teknologjike. Disa tregtarë të vjetër të zonës që njihet si Tregu Çam në kryeqytet pohojnë për “Monitor” se vitet e fundit kanë më pak blerës në dyqanet e tyre. Arsyet, sipas tyre, përveç atyre ekonomike, lidhen edhe me faktin që dyqanet online apo ato me prani në rrjete sociale u kanë marrë një pjesë të klientëve “rastësorë”. Nëse më parë, sipas tyre, kishte njerëz që vinin të shihnin për kuriozitet apo në kërkim të diçkaje të paramenduar, tani nuk ndodh më kjo. Të pyetur se pse nuk mendojnë që të jenë më të pranishëm në rrjetet sociale, përgjigjen se nuk janë shumë të fokusuar në këtë fushë dhe klientin duan që ta shohin në dyqanet e tyre.
Ekspertët në botë thotë se tregjet në ndryshim të shpejtë kërkojnë reagime të shpejta. Kjo është ajo që e bëri Amazon të suksesshëm. E themeluar në vitin 1994, Amazon mbijetoi në tranzicionin teknologjik për t’u bërë një nga kompanitë më të mëdha sot në fushën e shitjeve me pakicë online.
Teknologjia ecën, por numri i ndërmarrjeve që shesin online në Shqipëri ulet
Teknologjia po shkakton revolucion në sektorin e shitjeve në pakicë kudo në botë. Në Shqipëri, ky instrument përdoret nga një numër i kufizuar ndërmarrjesh, teksa në vitin 2016, numri i kompanive që kanë përdorur teknologjinë në shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre ka rënë krahasuar me vitin 2015. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm 7.1% e ndërmarrjeve kanë realizuar shitje online më 2016, nga 8.8% që ishte ky tregues në vitin 2015. Sipas statistikave të INSTAT, rënia ka ardhur nga sektori i pasurive të patundshme. Në vitin 2015, 8.4% e ndërmarrjeve në sektorin e pasurive të paluajtshme raportuan se kanë bërë shitje online, ndërsa në vitin 2016, asnjë ndërmarrje nuk raportoi shitje online. Numri i ndërmarrjeve që kanë shitur online ka rënë ndjeshëm edhe te kompanitë e sektorit të energjisë, ujit dhe gazit. INSTAT referon se më 2015, rreth 19% e bizneseve në sektor shisnin online, ndërsa më 2016, ishin vetëm 2.8% e tyre.
Numri i ndërmarrjeve që kanë realizuar shitjet online ka rënë edhe për sektorin e transportit. Gjatë vitit të kaluar, 19.2% e tyre raportuan shitje online, teksa në vitin 2015 ky tregues ishte më i lartë, 23.1%. Rënie e njësive ekonomike që shesin online u vu re edhe në sektorin e tregtisë. Më 2016, bizneset që përdorën këtë instrument për të shitur mallrat dhe shërbimet e tyre pësuan rënie me 4 pikë përqindje. Numri i ndërmarrjeve që shesin online ra edhe për aktivitetet profesionale në vitin 2016, ku raportuan shitje nga interneti vetëm 12.1% e tyre nga 13.2% që ishin më 2015. Vetëm sektori i informacionit dhe komunikimit ka pasur ecuri të mirë, me një numër në rritje të ndërmarrjeve që shesin online. Më 2016, 24.7% e bizneseve në këtë fushë përdorën internetin për shitje nga 18.5% e totalit më 2015. Rritje modeste të bizneseve që shiten online u vu re në sektorin e hoteleve dhe restoranteve me 0.5 pikë përqindje. Tregtia me pakicë nga interneti po rritet me hapa gjigantë nga viti në vit. Vitin e kaluar, Kina shiti 19% të mallrave të saj online.
————————-
Bizneset shqiptare, vetëm gjysma kanë faqe internet
Rreth 95% e kompanive me mbi 10 punonjës në Shqipëri kanë kompjuter, 91.4% e tyre kanë akses në internet dhe gati 50% e kompanive kanë një faqe web, sipas një vrojtimi të fundit të INSTAT. Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, INSTAT ka kryer në vitin 2015 vrojtimin mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit” pranë ndërmarrjeve ekonomike me mbi 10 të punësuar. Në vitin 2015, kanë përdorur kompjuter për qëllime pune 95,0% e ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar rezultojnë të kenë përdorur kompjuter. Punonjësit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 24,4% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve. Lidhur me aktivitetin ekonomik, përqindja më e ulët e punonjësve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e Industrisë Përpunuese (7,4%) dhe në aktivitetin e ndërtimit (19,0%). Kompjuterët janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike. Përqindja e përdorimit të kompjuterit nga ndërmarrjet në Shqipëri është e njëjtë me vende të rajonit si Maqedonia (95%), por më e ulët krahasuar me mesataren e vendeve anëtare të BE-së (98%). Për të njëjtën periudhë referuese, nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter për qëllime pune, vetëm 3,8% e tyre nuk kanë akses në internet. Pjesa dërmuese e tyre prej 82% kanë pasur lidhje DSL ose lidhje të tjera broadbandi. Shpejtësia më e madhe e shkarkimit të informacionit, në 64% të ndërmarrjeve, ishte nga 2 Mbt/s deri në 10 Mbt/s. Përqindja e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet në Shqipëri (91,4%) është më e ulët krahasuar me vendet e rajonit si Maqedonia (98%), dhe me mesataren e vendeve anëtare të BE-së (99%).
————————-
Njerëzit, si mund të konkurrojnë me teknologjinë
Të pajisësh njerëzit me njohuri që të jenë para me ndryshimet teknologjike. Është e lehtë të thuash që njerëzit kanë nevojë që të mësojnë gjatë gjithë karrierës së tyre. Aspektet praktike janë të frikshme. Kur arsimimi dështon në mbajtjen e të njëjtit ritëm me teknologjinë, rezultati është pabarazia, shkruan “The Economist”. Pa aftësitë për të qenë të dobishëm në momentin që zhvillohet teknologjia, punonjësit hasin vështirësi dhe shumë prej tyre mbeten pas, shoqëria fillon e ndahet. Kjo pikëpamje themelore ndikoi te reformatorët gjatë Revolucionit Industrial që të financonin kështu shkollimin universal. Më vonë, automatizimi në fabrika dhe zyra rriti kërkesën për të diplomuar me universitet. Kombinimi i arsimit me inovacionin, i shpërndarë në dekada, çoi në lulëzimin e prosperitetit.
Robotika dhe Inteligjenca Artificiale bëjnë thirrje për një tjetër revolucion në arsim. Këtë herë, gjithsesi, vendet e punës janë të shtrira në kohë dhe shumë shpejt të ndryshueshme, sa mësimi me ngut në fillim nuk është i mjaftueshëm. Njerëzit duhet që të përvetësojnë aftësi të reja gjatë gjithë karrierës së tyre. Fatkeqësisht, prej sistemit të të mësuarit gjatë gjithë jetës që ekziston në ditët e sotme mund të përfitojnë vetëm ambiciozët dhe kjo shton mundësitë që ta rrisë pabarazinë, në vend që ta ulë atë. Nëse ekonomitë e shekullit të 21-të nuk do të krijojnë një klasë masive, politikëbërësit urgjentisht duhet të gjejnë mënyrën se si do të ndihmojnë qytetarët të mësojnë ndërkohë që fitojnë. Deri tani, ambicia e tyre ka qenë për të ardhur keq.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.