Bizneset e CD-ve, fotografisë, postës e deri shtypit të shkruar po ndiejnë pasojat e zhvillimit të shpejtë të teknologjisë…
Teknologjia mbërriti shumë më vonë se epoka e gurit, kur njeriu mësoi se si të bënte thika për ta ndihmuar në punët e tij. Që nga ajo kohë procesi i punës i është nënshtruar shumë dinamikave, ndaj është shumë e vështirë që njeriu të punojë pa ndihmën e teknologjisë. Natyrisht zhvillimi i saj është shoqëruar me efekte negative dhe pozitive. Si është transmetuar kjo në Shqipëri dhe cilat janë bizneset “e cenuara”?
Nga Elona Bedalli
Laura Çela
Vetëm një apo dy dekada më parë iu gëzuan një rritjeje të shpejtë të biznesit dhe të ardhurave, por sot po përballen me një tkurrje të aktivitetit të tyre, apo dhe deri të rrezikojnë mbylljen, nëse nuk do të arrijnë të përshtaten me shpejtësi. Dhe “fajtori” është vetëm një… Teknologjia. Interneti, shpikja më e madhe e 40 viteve të fundit, apo dhe prodhimi i pajisjeve të mençura teknologjike, ka revolucionarizuar mënyrën e të menduarit, vepruarit dhe të bërit biznes në mbarë botën. Pakkush mund të dërgojë sot me postë një letër apo kartolinë, mjaftojnë pak sekonda dhe mund të dërgosh një e-mail në çdo cep të botës; albumet e fotografive janë zëvendësuara me skedarët e kompjuterëve; lajmin e fundit mund ta lexosh brenda pak sekondash në ekranin e smartphone; muzikën e dëgjon në kompjuter apo i-pad.
Dhe është pikërisht bota virtuale ajo që po godet bizneset tradicionale në mbarë botën, por edhe në Shqipëri, ku sidomos brezi i ri po tregon se paravërisht të ardhurave të ulëta për frymë, është tepër i prirur të përqafojë të rejat më të fundit të teknologjisë.
Muzika, e “prekin” vetëm nostalgjikët
CD-të me këngë, ato që dikur keni blerë apo keni krijuar, është mirë që t’i fshihni diku dhe t’i ruani. Do të vijë një kohë (në mos ka ardhur) ku do të shihen si një relike e lashtë.
Edhe në Shqipëri, sot janë të pakët ata që blejnë CD me muzikë, madje aq shumë është rrënuar ky biznes, saqë sot në Tiranë gjen vetëm dy pika shitjeje, nga qindra që ishin. Shitjet kanë rënë në nivele rekord, aq sa janë për të ardhur keq. Përfaqësuesi i agjencisë “Albanian Music Industri” (AMI) Romeo Koçi, thotë se gjendja e këtij tregu është vërtet mjerane, shitjet e CD-ve kanë rënë me më shumë se 50%. Në të tilla kushte operatorët, ata të paktët që ende ekzistojnë, kanë gjetur mënyra të tjera për ta vazhduar aktivitetin duke i dërguar pranë qendrave tregtare. Në këtë mënyrë kanë eliminuar edhe kostot për shitjen dhe është më lehtë të menaxhohen ato pak shitje. Po kush i blen ende CD-të apo DVD-të? “Ka ende nga ata që i preferojnë dhe janë kryesisht të vjetrit që ca për nostalgji e ca nga mospërshtatja me risitë që sjell teknologjia, preferojnë metodat e vjetra”, thotë z. Koçi. Sipas tij zinxhiri i shitjes pothuajse është “zbërthyer”. Në krizë janë edhe shtëpitë diskografike, pothuajse 50% e tyre nuk ekzistojnë më dhe siç thotë z. Koçi, janë duke u mbajtur me “aspirina”, duke shitur elementë të ndryshëm si kapakë CD-ësh. Ai thotë se nëse këto biznese nuk gjejnë rrugë të tjera, atëherë falimentimi i tyre është i sigurt. “Zinxhiri nuk funksionin. Shtëpitë diskografike paguajnë autorët dhe këngëtarët, duke hedhur fonogramin në treg, kjo e fundit sa del nga dhomat e produksionit menjëherë miratohet dhe nuk kthehet më si vlerë financiare. Në këtë moment, shtëpia diskografike është e destinuar ose të falimentojë, ose të qëndrojë në gjendje pasive, ose të ndërmarrë veprime të tjera që të sigurojë mbijetesën”, thotë përfaqësuesi i agjencisë AMI.
Rruga e shpëtimit shihet pikërisht tek ajo që po i “vdes” edhe pse paradoksale, teknologjia, kthimi në shtëpi diskografike virtuale. Kjo tashmë ka kohë që po ndodh në vendet e tjera të botës. Ata që do të shpëtojnë nga kthetrat e këtij zhvillimi të teknologjisë janë krijuesit e videoklipeve, që gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në rrjetet e famshme, siç është “YouTube”.
Në Shqipëri, muzika nuk kërcënohet vetëm nga zhvillimi i teknologjisë, por edhe nga informaliteti, që është në shifra të frikshme. Rregulli kryesor është se nuk ka rregulla.
Ose më saktë, edhe ato që janë, nuk zbatohen asnjëherë. Gati 80% e këtij tregu funksion me rregulla loje individuale. Është një krizë që rëndohet edhe nga mosfunksionimi i rregullave, por edhe nga pirateria e lartë.
“Një dekadë më parë, pjesa më e madhe e realizimeve muzikore nisi të përballej me piraterinë online. Me ato që njihen si rrjete “peer to peer” (ndërlidhje me ndërlidhje) u bë i mundur shkarkimi ilegal i muzikës. Për t’iu përgjigjur piraterisë dhe një pjesë për të rritur shitjen e CD-ve në treg, shumë kompani eksperimentuan me licencimin për të përftuar këto shërbime online.
Kjo u lejon njerëzve të dëgjojnë muzikë në kompjuter, celularë, ipad, tablet etj., ndërkohë që artistët (gjë që nuk ndodh) mund të përfitonin të ardhurat, jo vetëm nga ky shërbim, por edhe nga reklamimi”, thotë z. Koçi.
Por kjo duket se nuk ka funksionuar dhe nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Në këto kushte, asgjë nuk është si më parë për botën e muzikës. Përfaqësuesi i agjencisë “Albanian Music Industri” shton më tej se probleme vijnë edhe nga mungesa e informacionit mbi të drejtat e pronësisë intelektuale apo edhe ndërgjegjësimi i subjekteve. Ai vë re se në Shqipëri mungon profesionalizmi, nuk ka efekte financiare dhe si rrjedhim, këngëtarët, duke mos qenë të mbrojtur, humbasin dhe nuk lënë gjurmë në industrinë e muzikës.
Por muzika nuk ka vetëm “ndëshkime” nga teknologjia, por edhe fitime. “YouTube” është një prej tyre. Sipas të dhënave të vitit 2012, në muaj ky portal vizitohet mesatarisht nga rreth 1 miliard njerëz, ose 25% më shumë se mesatarja e vitit të kaluar. Shifra e paguar për reklamimin arriti në 4 miliardë dollarë ose 60% më shumë se në vitin 2011. Parashikimet për sa u përket reklamave, për vitin 2013 do të arrijnë në 5 miliardë dollarë.
Por, për më shumë se 1 milion krijues që kanë marrë pjesë në ndarjen e të ardhurave nga reklamimet, pagesat kanë qenë zhgënjyese. Vlerat e reklamimeve për videot që kanë përfituar popullaritet kanë rënë me një të tretën që nga muaji qershor. Pagesat për videoreklamat që njihen si “pre-roll” kanë zbritur nga 9.35 dollarë për 1,000 shikime në qershor 2012 në 6.33 dollarë në mars të vitit 2013.
Printi, një tjetër “viktimë”
Ajo që po ndodh me shtypin e shkruar në Shqipëri është më shumë se luftë për mbijetesë. Sikur të mos mjaftonte konkurrenca brenda “llojit”, tani ajo po ashpërsohet edhe kundrejt teknologjisë së informacionit. Media e re gjithnjë e më shumë po fiton terren. Gazetat, por edhe revistat, po u kushtojnë fort rëndësi përmbajtjeve të tyre online, jo vetëm për shkak të kostove më të ulëta financiare, por edhe për të “peshkuar” sa më shumë lexues, kryesisht shqiptarët jashtë Shqipërisë. Ekspertët thonë se në këto kushte, kompanitë mediatike duhet të mendojnë si “fillestarët”, të cilët nuk kanë asgjë për të humbur ndaj dhe nuk shqetësohen për ndikimet që mund të vijnë dhe më kryesorja, ato nuk duhet të kenë frikë nga dështimi sepse më shumë do të mësojnë prej saj. Pavarësisht mundësive të mëdha dhe të shumëllojshme që ofron media e re, ajo klasike është vështirë që të “zhduket”, ose të paktën këtë urojnë dhe shpresojnë drejtuesit e të përditshmeve kryesore në vend. Diferenca në çdo rast do të bëhet nga cilësia.
Të mos harrojmë, thonë drejtuesit e gazetave kryesore në vend, se gazetat në versionin e tyre në print kanë një treg më vete, ndërsa faqet e internetit janë më të vlefshme për emigrantët shqiptarë. Nga ana tjetër, edhe rrjetet sociale kanë sjellë konkurrencë reale për median tradicionale, pasi njerëzit i shohin si alternativa ndaj dhe nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë, për të kaluar kohën apo për t’u informuar. Drejtuesit e gazetave thonë se në treg ka hapësirë si për median elektronike, ashtu edhe për atë të printuar. “Ai që do të bëjë diferencimin do të jetë vetë lexuesi. Pra, nëse do të duan ta lexojnë në letër atë që shkruhet apo përpara ekranit të ftohtë të kompjuterit. Koha do të bëjë edhe seleksionimin e atyre gazetave që nuk u rezistojnë dot zhvillimit të medias”, thonë ata.
Nga ana tjetër, ata dallojnë edhe rritjen e dëshirës së botuesve të medias së printuar për të përfituar nga avantazhet e teknologjisë, pasi thonë se është një garë e cila po merr përmasa më të mëdha në të përditshmen. “Kjo ka vlerë më shumë për grupet e mëdha mediatike që kanë mbështetje financiare dhe njerëzore, ndërsa faqet e ngritura për t’u kthyer në agjenci informacioni, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë”, thotë drejtuesit e gazetave.
Sipas tyre, sot më shumë sesa herë tjetër, do të kërkohet jo vetëm staf cilësor dhe i kualifikuar reporterësh, por edhe menaxhim e strategji afatgjatë. Edhe kostoja e ulët është një arsye e rëndësishme në zhvillimin e medias online, pasi krijimi i një faqeje kushton jo më shumë se 500 dollarë. Në vëmendje ata sjellin edhe reklamimin, si një element që duhet marrë në analizë. Sipas tyre, reklamuesit shpesh nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të analizuar ose për të parë efektivitetin që jep një reklamë në versionin online, ndaj dhe më shumë i quajnë “qorrash”. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për printin, pasi tirazhet e gazetave janë pothuajse sekret ndërsa disa sondazhe të organizuara për llogari të reklamuesve, masin se cila nga gazetat është e para dhe cila e dyta, por nuk masin dot sasinë, rrjedhimisht nuk masin dot koston apo edhe përfitimin nga reklamat. Një pjesë e mirë e reklamave, thonë drejtuesit e gazetave, janë për të fituar prani në media dhe në këtë rast, kosto/përfitimi nuk merret parasysh. Sipas tyre, interneti zë ende një përqindje shumë të vogël të buxheteve të reklamave të shumë kompanive. Vetëm pak kompani reklamash kanë filluar të krijojnë kapacitetet e duhura njerëzore për të lexuar cilësinë dhe sasinë e vizitorëve.
Posta, tregu në transformim
Posta, që është në fakt një nga bizneset më të vjetra në botë, prej disa vitesh po përballet me teknologjinë dhe më së shumti me internetin, që duket se është shndërruar në “armikun” kryesor të saj.
Tashmë që interneti, i cili gjendet jo vetëm më në kompjuterë e laptopë, por edhe në celularë, është bërë mjeti numër një në dërgimin e mesazheve dhe porosive të ndryshme, që vite më parë realizoheshin përmes letrave. Sot është gati “çmenduri” t’i shkruash dikujt një letër, qoftë ky një person i afërt apo edhe koleg e bashkëpunëtor. Komunikimi sot është bazuar te virtualiteti, një tendencë në rritje, që do të thellojë edhe më shumë shifrat negative të sektorit postar.
Elvin Plumbi, Drejtori i Përgjithshëm i “Albanian Courier”, një nga kompanitë më të mëdha postare në vend, thotë se gjatë këtyre viteve është regjistruar rënie e ndjeshme në dërgesat e zarfeve apo korrespondencës zyrtare.
“Përgjithësisht e gjithë kjo korrespondencë sot bëhet përmes internetit, vetëm në rastet kur kërkohet diçka e firmosur ose e konfirmuar zyrtarisht përdoret posta. Por këto raste janë shumë të pakta, sepse sot përdoret masivisht interneti”, thotë z. Plumbi.
Ky shërbim në tregun postar, disa vite më parë zinte deri në 25-30% të tij duke përbërë një zë të rëndësishëm. Sot ai ka zbritur në 10% të totalit të tregut dhe tendencat janë që të reduktohet edhe më tej.
Në rënie të vazhdueshme ka ardhur edhe shpërndarja e shtypit. Disa prej kompanive postare në vend realizojnë shpërndarjen e disa gazetave apo organe të shtypit në vend. Ky zë, sipas të dhënave nga operatorët, ka shënuar një rënie të shpejtë në dy vitet e fundit.
“Te shpërndarja e shtypit evidentohet një rënie e madhe, duke përfshirë këtu që nga dërgesat që janë më pakta por edhe kthimet mbrapsht që janë më të shumta. Mund të them se ulja e shpërndarjes së shtypit gjatë 2012-2013 ka qenë 25-30%”, thotë drejtori i “Albanian Courier”.
Po sigurisht që në një situatë të tillë, kompanitë nuk kanë qëndruar “duarkryq”, por janë orientuar drejt hapësirave potenciale për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm.
Z. Plumbi thotë se gjatë kësaj kohe janë lançuar shërbime të reja në përputhje me kërkesat e tregut.
“Këto vite janë prezantuar shumë shërbime të tjera që i kanë sjellë rritje tregut të pakove postare. Këto janë blerjet online, kundërpagesat, pagesë-marrësi”.
Këto shërbime kanë kompensuar disi pjesën e letrave duke u shoqëruar sigurisht edhe me uljen e shpenzimeve nga ana e kompanive, për të mos cenuar fitimet dhe ecurinë.
Blerjet online kanë një rritje të vazhdueshme. Sipas operatorëve, çdo vit ky është rritur thuajse 20%, sidomos në tre vitet e fundit.
Pakot vijnë kryesisht nga Amerika, sepse atje ky lloj tregu është shumë i zhvilluar dhe çmimet janë shumë konkurruese. Rritje kanë shënuar edhe pakot brenda Shqipërisë, sidomos ato të kompanive kozmetike që operojnë me agjentë në terren, si “Avon” apo LR.
Blerjet online janë një nga potencialet më të mëdha për të çuar në rritje tregun e pakove dhe atë postar në tërësi.
“Për mendimin tim, tregu postar do të vijojë të fokusohet në të ardhmen te transportet, tek pakot si dhe tek pjesa e logjistikës”, thotë z. Elvin Plumbi.
Fotografia, rënie e shpejtë
Por teknologjia nuk ka lënë “pa goditur” as biznesin e fotografisë. Në ditët e sotme, pakkush i printon fotografitë në kushtet kur aparatet dixhitalë apo celularët me kamera mundësojnë shkarkimin e tyre të menjëhershëm në kompjuterë.
Alban Xhaferi – CEO i kompanisë Albaphoto sh.p.k distributore rajonale për produktet Fujifilm, pohon se “Fotografia ka qenë padyshim një nga bizneset më të goditura sepse ka rënie shumë të madhe të printimit të fotove. Sot të gjithë njerëzit (megjithëse është për të ardhur keq) i mbajnë fotot e tyre të ruajtura në kompjuterë apo USB dhe vështirë të printojnë”, thotë ai.
Ai shton se epoka dixhitale ka sjellë dhe ndryshimin e trendit në biznesin e fotografisë. “Mund të themi që metoda tradicionale/standarde e printimit të fotove momentalisht është në stanjacion, ose disi në rënie. Por nga ana tjetër janë rritur metodat më të fundit të printimit dhe shërbimet fotografike”.
Si përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha në botë, prodhuese të aparateve fotografikë, z. Xhaferi thotë se kjo është një tendencë e pashmangshme e konsumatorit të kohëve moderne, por që sigurisht bizneset i janë kundërpërgjigjur duke lançuar teknologji dhe produkte të reja. “Albaphoto së bashke me kompaninë Fujifilm, lider në botë në fushën e printimeve, bashkëpunojnë të diversifikojnë tregun e biznesit duke zgjeruar më tej linjën në sektorin e printimeve grafike, materialet që mbështesin industrinë komerciale te printimit si dhe zgjidhje specifike për komunikime grafike.”
“Fujifilm” ka prezantuar vitet e fundit teknologji shumë të përparuara, që nga aparatet, printerët dhe madje edhe prodhimin e aparateve të grafikës, që janë të domosdoshme në mjekësi. Kjo gjë sigurisht që do të “përcillet” edhe në tregun shqiptar.
Nga ana tjetër, bizneset e vogla të fotografisë në vend kanë reaguar gjithashtu. Tashmë në treg kanë mbijetuar fotografët më profesionistë, të cilët u ofrojnë klientëve edhe shërbime artistike.
“Nga të dhënat që ne kemi nga tregu, ka rritje të ndjeshme të retushimeve (riparimeve të fotografive të vjetra, kryesisht bardhezi) apo edhe të albumeve dixhitale që përdoren gjerësisht për rastet e martesave apo edhe në evente të tjera të rëndësishme. Këto shërbime kushtojnë shumë më tepër se printimet e thjeshta të fotove”, thotë drejtori i “Fujifilm” për Shqipërinë.
Sipas tij, tregu mund të regjistrojë rënie të thellë në volume, por jo në vlerë.
“Braktisin” laptopët dhe i zëvendësojnë me smartphone
Siç po ndodh, edhe në tregjet ndërkombëtare, sjelljet e konsumatorëve në blerjet e produkteve të teknologjisë së informacionit po ndryshojnë shumë shpejt.
Julian Mane, administratori i “Neptun”, kompania më e madhe në vend e tregtimit të pajisjeve të IT-së dhe elektroshtëpiakëve, thotë për “Monitor” se vihet re rënie në shitjet e kompjuterëve dhe laptopëve në vitet e fundit.
“Është e qartë tashmë që edhe në tregun tonë shitjet po orientohen drejt celularëve smartphone dhe tabletëve. Laptopët dhe kompjuterët po shënojnë rënie”.
Është një trend ndërkombëtar që konsumatorët po i “braktisin” laptopët dhe po i zëvendësojnë me smartphone.
“Kjo është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Kryesisht janë mosha të reja, mbi 20 vjeç, ata që po e bëjnë këtë tendencë. Ndërkohë që shohim se ka rritje të ndjeshme nga kompanitë private në vend që po blejnë smartphone për të bashkërenduar më mirë punën e punonjësve.
Një ndikim shumë të ndjeshëm po japin edhe kompanitë celulare në vend që po fusin në treg smartphonet më të fundit me çmime shumë konkurruese”, thotë z. Mane.
Të dyja anët e medaljes
Teknologjia përballë burimeve njerëzore është një “luftë” e cila ka avantazhet dhe dizavantazhet e saj. Për drejtorin e programit BAS, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Neritan Mullai, i cili asiston sipërmarrjet në identifikimin e nevojave të tyre, zhvillimi i teknologjisë vjen kryesisht nëpërmjet inovacionit, por dhe si rezultat i orientimit të tregut. “Ai është gjithmonë pozitiv dhe sjell rritje të të mirave materiale dhe shtim të vlerës. Nuk mendoj se zhvillimi teknologjik sjell “kërcënim” për kompanitë, përkundrazi sjell mundësi. Bizneset që janë më shumë të orientuara drejt përdorimit të krahut të punës, mund të ndodhen përballë vendimmarrjes lidhur me realizimin e investimeve të reja në teknologji, por sigurisht që një menaxher/pronar i mirë di se si të përballet me situata të tilla dhe të marrë vendimet e duhura”, thotë z. Mullai.
Sipas tij, është humbja/shkurtimi i vendeve të punës bëhet i pashmangshëm për ato kompani që ndërmarrin investime për të përmirësuar teknologjinë. Në çdo rast, shoqërohet me avantazhe dhe dizavantazhe. “Në aspektin e cilësisë së produktit, situata shikohet rast pas rasti, pasi ka sektorë ku puna njerëzore është më cilësore sesa puna që kryen makineria ose anasjelltas. Sidoqoftë, në përgjithësi puna njerëzore, sidomos në vendet e zhvilluara është më e shtrenjtë dhe sjell rritje të kostove të biznesit. Në vendet në zhvillim, siç është Shqipëria, krahu i punës kushton më lirë ndaj dhe ka avantazhe në këtë aspekt. Industritë e veshjeve dhe të këpucëve p.sh, janë për t’u marrë në konsideratë, ku shumë kompani të huaja operojnë me partnerë lokalë për të prodhuar produktet e tyre. Nga ana tjetër, zhvillimi teknologjik bën që njerëzit të orientohen drejt gjenerimit të vendeve të reja të punës, të eksplorojnë horizonte të tjera. Avantazhi kuptohet që ka të bëjë me nxitjen e inovacionit dhe kreativitetit, gjë që sjell shtim të vlerës. Kostot e teknologjive të reja në fillim mund të jenë të larta dhe kërkojnë angazhim të madh të kapitalit fillestar. Në këndvështrimin afatgjatë, teknologjia e re nuk kërkon më pas shumë kosto shtesë, veç atyre të amortizimit dhe mirëmbajtjes, por garanton prodhim më masiv dhe të standardizuar” thotë drejtuesi i programit BAS.
Por, çfarë duhet të bëjnë bizneset për të shmangur problemet që mund të vijnë nga zëvendësimi i teknologjisë me burimet njerëzore?
Sipas z. Mullai, bizneset duhet të jenë gjithmonë të mirinformuar lidhur me të rejat në teknologji dhe zhvillimet e tregut, ato nuk duhet të mbeten asnjëherë mbrapa në këtë drejtim. Lidhur me kapitalin njerëzor, çdo biznes duhet të bëjë analizë të kostove dhe përfitimeve përkundrejt angazhimit të njerëzve apo investimit në teknologji. Vendimmarrja e menaxherëve është mjaft e rëndësishme dhe duhet të jetë e bazuar në një analizë të hollësishme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.