Në listën e borxhlinjve të këqij në Tatime janë 74 biznese të mëdha të përshirë në kategorinë VIP (tatimpaguesit e mëdhenj), të cilat tashmë janë objekt i bllokimit të llogarive bankare dhe të sekuestrimit me forcë të detyrimeve.
Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë kompani nga sektori i naftës dhe ndërtimit dhe janë përfshirë tashmë në një proces falimenti. Por ato do të jenë objekt i detyrimeve tatimore derisa sa Gjykata e Falimentit të marrë vendimin e likuidimit.
Në listën e zezë të Tatimeve janë emra të njohur të biznesit, si kompania e Përpunimit të Naftës, ARMO, “Bankers Petroleum”, “Deveron Oil Albania”, “TEA Construksion”, “Çilotaj Group”, “Filanto”, “Petrolimpex”, “ERI Fruit”, “Transpetrol”, “Rrajca” etj.
Ndërkohë pjesë e Listës janë të gjitha kompanitë e Grupit “Taçi OIL” tashmë në falimentim. Lista dominohet më së shumti nga biznese të sektorit hidrokarbur, ku spikasin “Rira”, “Anoil”, “Viloil”, FIT-MEK-OIL, “Globoil”, “Petrol Impex”, “Transpetroli”, “Kuid”, “Taçi Oil”, ARMO, “Bankers” etj.
Nga sektori i ndërtimit dhe energjisë spikasin emrat e njohur si “Vigand Konstruksion”, “Alpine Bau GMBH”, “Çilotaj”, “TEA Construksion”, “Balfas Industrial”, “Kalivaç Energy”, “Construksion Energyk” dhe “Amadeus Group”.
Pjesë e listës është edhe qendra e njohur tregtare “City Park” dhe ish-kompania e supermarketeve, “Carrefour” (Qendra e Distribucionit Ushqimor).
Nga sektori i lojërave të fatit në listën e zezë të Tatimeve si biznese VIP janë “Astra 200”, “Xhoi Lloto” dhe “Top Bast”.
Një pjesë e subjekteve e kundërshtojnë detyrimin dhe kanë hapur proces gjyqësor, por kjo gjithsesi kërkon pagimin apo garantimin e pagimit të detyrimit.
Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.