Ashtu sikurse ka ndodhur çdo vit edhe për 2019 kompanitë e sigurisë fizike kanë vërshuar në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik për të ankimuar disa dhjeta procedura. Këto të fundit lidhen me shërbimin me roje, shoqërimin e vlerave monetare apo shërbime të tjera të ngjashme që ofrohen nga këto kompani për llogari të institucioneve publike. Në total nga 1 janari deri në 7 mars janë regjistruar 86 ankesa të bëra nga operatorë të ndryshëm të tregut kundrejt prokurimeve që institucionet kanë shpallur në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik apo për kundërshtim të fituesve që mund të jenë shpallur. Numrin më të lartë të ankimimeve e ka deri më tani shkurti me plot 35 të tilla por gjasat janë që marsi të kalojë këtë numër duke qenë se vetëm në një javë janë paraqitur 29 ankesa të kësaj natyre. Në janar janë bërë vetëm 22 ankesa ku për një pjesë Komisioni i Prokurimit Publik ka dhënë edhe vendime për çështjet e ngritura.
Siguria fizike në institucione, shërbimi me roje apo shoqërimi i vlerave monetare prej vitesh janë kthyer në një mollë sherri mes kompanive dhe autoriteteve kontraktore. Pothuajse çdo vit nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik nxirren udhëzime të veçanta për të standardizuar procedurat dhe për të shmangur situatën e ankimimeve të shumta por duket se këto nisma nuk kanë dhënë efekt. Skenari përsëritet pa ndryshime.
Llogaritja e kostove, njoftimi
Për këtë vit Komisioni i Prokurimit Publik nxori në mes të shkurtit edhe një njoftim shtesë që kishte në themel mënyrën sesi kompanitë e sigurisë fizike duhet të llogarisin kostot për marrëveshjet kuadër 1 vjeçare deri në 3 vjeçare.
Sipas këtij njoftimi duke pasur parasysh që viti 2020 është një vit i brishtë 366 ditë, përllogaritjet e kostos lidhur me shtesat e turneve të dyta dhe të treta mbi pagën bazë për një roje në muaj duhet t’i referohen mesatares mujore prej 30.5 ditësh në muaj.
“Sqarojmë autoritetet kontraktore si dhe operatorët ekonomikë që gjatë përllogaritjes së kostos të mbajnë parasysh që për shkak të vitit 2020 si vit i brishtë :në procedurat me afat 1 vjeçar ku përfshihet edhe muaji shkurt i vitit 2020 si vit i brishtë mesatarja mujore duhet të përllogaritet 30.5 ditë në muaj. Në procedurat me afat 2 vjeçar ku përfshihet edhe muaji shkurt i vitit 2020 si vit i brishtë mesatarja mujore duhet të përllogaritet 30.45 ditë në muaj. Në procedurat me afat 3 vjeçar ku përfshihet edhe muaji shkurt i vitit 2020 si vit i brishtë mesatarja mujore të përllogaritet 30.44 ditë në muaj” thuhet në njoftim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.