Flet Edmond Spaho, nënkryetar i Kuvendit
2017 është vit elektoral e për rrjedhojë, agjentët ekonomikë do të jenë të kujdesshëm deri në përfundimin e zgjedhjeve. Pasiguria mund të shtrihet edhe pas zgjedhjeve duke e bërë gjendjen ndoshta edhe më të vështirë sesa gjysma e parë e vitit.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë në vitin 2016?
Ndoshta viti më i keq nën qeverisjen e ‘Rilindjes’. Ashtu si edhe në vitet paraardhës, të ardhurat nuk realizohen më rreth 4 miliardë lekë, pavarësisht shkurtimeve që u bënë në muajin korrik dhe ndërrimit të vazhdueshëm të drejtuesve në Tatime dhe Dogana.
Mungesa e të ardhurave nuk mund të mos shoqërohej me shkurtime edhe në shpenzime, ku si gjithmonë shkurtimin më të madh e pësojnë investimet publike. Në periudhën 10-mujore janë realizuar vetëm 65% e planit vjetor të investimeve.
Sipas INSTAT, ekonomia po shënon rritje, por të dhënat janë të diskutueshme sa kohë që eksportet bien. Dhjetëmujori është 1.6% më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kredia për biznesin prej kohësh është në nivelet më të ulëta, ndërsa ka shënuar rritje në 21-22% kredia me probleme. Depozitat vazhdojnë trendin rënës.
Është viti i tretë që nuk pati rritje pagash dhe pensionesh. Megjithëse ka një rritje të volumit të investimeve të huaja, ajo vjen vetëm nga importet e mëdha të projektit TAP. Investitorë të tjerë, të rinj, nuk po duken në horizont.
Shumë domethënës dhe shqetësues është vazhdimi i trendit të emigrimit të moshave të reja të punës. Jemi vendi i dytë për nga madhësia e largimeve, pas Sirisë, kjo nënkupton se te ne nuk ka punë.
Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë gjatë 2017-s?
Nuk pres ndonjë ndryshim, pasi nuk shoh ndonjë element thelbësor të ndryshojë në politikat e qeverisë. 2017 është vit elektoral e për rrjedhojë agjentët ekonomikë do të jenë të kujdesshëm deri në përfundimin e zgjedhjeve. Pasiguria mund të shtrihet edhe pas zgjedhjeve duke e bërë gjendjen ndoshta edhe më të vështirë sesa gjysma e parë e vitit.
Cilët janë faktorët që pritet të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht (të brendshëm dhe të jashtëm) në ekonominë shqiptare në vitin 2017?
Rritja e pagave dhe pensioneve duke filluar nga muaji mars mund të influencojë pozitivisht në konsumin e një pjese të popullsisë sikurse ndikon përqendrimi i investimeve publike në gjysmën e parë të vitit për shkak të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, pasiguria politike frenon në përgjithësi investimet, shthur administratën dhe krijon premisa për zgjerim të korrupsionit dhe shpërdorim të fondeve publike.
Vitet e zgjedhjeve të përgjithshme gjithmonë kanë qenë të vështirë për ekonominë e vendit tonë.
Në ambientin e jashtëm nuk shoh ndonjë faktor të veçantë që mund të bëjë diferencë në ekonominë tonë.
Ku duhet të përqendrohen reformat në periudhë afatshkurtër dhe të mesme, në mënyrë që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm?
Është vështirë ta përmbledhësh në pak rreshta. Që nga viti 2012 duket që ekonomia dhe biznesi janë në ngërç për sa i takon rritjes ekonomike. Situata është përkeqësuar me rritjen e barrës fiskale. Vetëm në tre vitet e fundit, rritjet e miratuara të taksave janë 39 miliardë lekë. Kjo e ka bërë ekonominë tonë sikurse shprehen të gjithë shoqatat e biznesit, më pak konkurruese.
Gjatë tre viteve të para të “Rilindjes” është prekur më shumë nga politikat fiskale shtresa e mesme, e cila gjeneron pjesën kryesore të konsumit të popullatës.
Përfitimet afatshkurtra kanë kosto të madhe në periudhë afatmesme, aq më tepër që shtresa jonë e mesme e merr goditjen shpejt, sepse nuk është e konsoliduar fort ekonomikisht si në vendet e tjera.
Është e nevojshme të bëhet më shumë financiarisht edhe me politika zhvillimore për dy sektorë të rëndësishëm, siç është bujqësia dhe turizmi. Zhvillimi i tyre më shumë është spontan dhe me vetëfinancim sesa i nxitur dhe i orientuar për të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.