Në një konferencë të përbashkët për shtyp, me zyrtarë të Ministrisë së Financave e të Bankës Qendrore të Kosovës, shefi i misionit, Jacques Miniane tha se vendi ka nevojë për ngritje të rritjes ekonomike.
“Presim rritje këtë vit prej vetëm 3%, kjo nuk është keq, në fakt është më mirë se shumë shtete në rajon, por ne u pajtuam me qeverinë dhe BQK se Kosovës i nevojitet një rritje më e lartë se 3% për të krijuar vende të reja pune dhe të krijojë shpresë për njërën ndër popullatën më të re në Europë”, tha ai.
Miniane, tha se pritet që këtë vit të tejkalohet deficit prej 2%. Nga ana e tij, ministri i Financave Abdullah Hoti, tha se me ligjin e ri të pagave do të hiqet mundësia e keqpërdorimit të ngritjes së pagave për qëllime politike.
“Në këtë ligj të ri të pagave do të vendosim rregull të qartë duke marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN-së, një kornizë brenda së cilës në baza vjetore ne i rregullojmë pagat. Vendosim edhe koston e përgjithshme të pagave brenda buxhetit, por duke vendos edhe kritere për rritjen e pagave, në mënyrë që rritja e pagave të mos jetë vendim politik, por rritja të bëhet në bazë të indikatorëve të matshëm”, tha Hoti.
Ndryshe, FMN konsideron se një sfidë kyçe për përparimin e Kosovës është rritja e kapacitetit të prodhimit dhe eksportit. Përfundimisht vendi ka nevojë të përmirësojë qeverisjen dhe mjedisin e biznesit, u tha nga zyrtarë të FMN-së, transmeton RTK.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.