Financat kanë kaluar një vit të vështirë në 2013-n, me të ardhurat që kanë pasur një rendiment negativ dhe shpenzimet në rritje, sidomos në pjesën e parë të vitit, [ka ka bërë që deficiti buxhetor të rritet ndjeshëm, duke vënë shpesh në vështirësi financat për financimin e tij, teksa bankat nuk iu përgjigjën gjithnjë kërkesës së qeverisë për të blerë borxh. Ndërkohë, në tre muajt e fundit të vitit, të qeverisura nga socialistët, shpenzimet kapitale ranë ndjeshëm, me gati 40%.
Sipas statistikave fiskale të vitit 2013, të publikuara nga Ministria e Financave, deficiti buxhetor është rritur me 43% me bazë vjetore, me të ardhurat që ranë me 0.5% (http://www.monitor.al/buxheti-2013-te-ardhurat-rane-0-5-financat-shpetohen-ne-dhjetor-nga-akciza) dhe shpenzimet që u rritën me 4.6% për të njëjtën periudhë.
Në vlerë absolute, për gjithë periudhën janar-dhjetor, deficiti buxhetor arriti në 65 miliardë lekë, nga rreth 46 miliardë lekë, që ishte për gjithë vitin 2012.
Financimi i tij është siguruar kryesisht në tregun e brendshëm.
Për 12 mujorin 2013, huamarrja e brendshme është rritur 106% me bazë vjetore, duke ushtruar presion në tregun e bonove e obligacioneve, që panë një rritje të interesave në dhjetor 2013, teksa financat nuk arritën të shisnin në tregun e brendshëm të gjithë shumën e kërkuar, me bankat që preferuan që paratë e lira t’i depozitojnë jashtë vendit. Situata gjithsesi, rezulton e stabilizuar disi në muajt e parë të 2014-s.
Shpenzimet
Totali i shpenzimeve për 12-mujorin ishte rreth 394 miliardë lekë, duke rezultuar 4.6% apo 16 miliardë lekë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë ritmet e rritjes së shpenzimeve janë reduktuar në tre muajt e fundit, kohë kur financat janë qeverisur nga të majtët. Për periudhën tetor-dhjetor, shpenzimet në total kanë rënë me 5.5% me bazë vjetore, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në rritje rezultojnë për 11 mujorin edhe shpenzimet kapitale, që arritën në 57 miliardë lekë, me një zgjerim prej 7.5% me bazë vjetore. Por, ky zgjerim i dedikohet kryesisht periudhës para zgjedhore. Në periudhën tetor dhjetor shpenzimet kapitale ranë me 39% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shpenzimet për subvencionimin e sigurimeve shoqërore u rritën me 6.4%, duke arritur në rreth 96 miliardë lekë (24% të totalit gjithsej të shpenzimeve), duke përkeqësuar më tej deficitin e pensioneve dhe duke vënë në vështirësi financat për të financuar këtë skemë në të ardhmen, në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
Shpenzimet për interesa arritën 43 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 4.4%, pavarësisht se financat në 2013 iu gëzuan normave më të ulëta të financimit të borxhit, duke reflektuar në këtë mënyrë rritjen e ndjeshme të tij. Pagesat për interesa përbënin 11% të totalit të shpenzimeve në 2013.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.