Vivo X20 Plus UD është smartphone i parë me lexuesin e gjurmëve dixhitale poshtë ekranit dhe më së fundi është gati të bëjë debutimin e tij.
Pas prezantimit në CES 2018, panairi kushtuar elektronikës së konsumit që zhvillohet në Las Vegas çdo vit në janar, Vivo, kompania që e ka realizuar, është gati t’ia prezantojë atë publikut të gjerë.
Smartphone nuk është gjë tjetër veçse një evolucion i Vivo X20 Plus, i prezantuar vitin e kaluar. Karakteristikat teknike janë të njëjtat, çfarë ndryshon është vetëm lexuesi i gjurmëve dixhitale poshtë ekranit, një risi që në vitin 2018 do ta shohim te shumë smartphone. Kjo është meritë e kompanisë amerikane Synaptics, që ka realizuar një sensor të thjeshtë për t’u përdorur dhe për t’u integruar tek pajisjet.
Disa zëra flasin rreth mundësisë për instalimin e këtij sensori në më shumë se 60% të pajisjeve që do të dalin në vitin 2018. Përveç Vivo X20 Plus UD, smartphone të tjerë me lexues të gjurmëve dixhitale poshtë ekranit do të prezantohen gjatë Mobile World Congress 2018.
Karakteristikat e Vivo X20 Plus UD
Siç e thamë, smartphone ka të njëjtat karakteristika të Vivo X20 Plus. Në të gjejmë procesorin Snapdragon 660, me 4 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme. Ekrani është Super AMOLED 6,43 inç, me raport 18:9 dhe rezolucion 2160×1080 piksel.
Falë pranisë së lexuesit të gjurmëve dixhitale poshtë ekranit, kornizat e telefonit janë të reduktuara, edhe pse ekrani është shumë i madh. Sa i përket sektorit fotografik, në pjesën e pasme ka dy kamera 12 megapiksel dhe një fotokamerë në pjesën e përparme 12 megapiksel. Bateria është 3905 mAh.
Vivo X20 Plus UD do të kushtojë pak më shumë se 450 euro.