Ramadan Ilazi, i cili së fundmi ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Integrimeve Europiane, thotë se vendimi për heqjen e vizave nuk mund të merret pa e miratuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.
Sipas tij, këtë vit kanë ikur mundësitë për përfitimin e heqjes së vizave, ndërsa vitin tjetër, situata komplikohet edhe më shumë për shkak të zgjedhjeve në disa shtete të BE-së.
Ramadan Ilazi, shprehet i bindur se ka qenë e mundur të hiqen vizat për Kosovën, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mosplotësimit të dy kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, përkatësisht ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe luftimi i korrupsionit.
Kështu ka deklaruar Ilazi gjatë një interviste për “Zërin”, duke shtuar se procesi i liberalizimit të vizave mund të vështirësohet edhe më shumë vitin tjetër, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve në disa shtete të Bashkimit Europian.
Ilazi ka bërë të ditur se tani e tutje do të jetë këshilltar i jashtëm i kryeparlamentarit Kadri Veselit, si dhe do t’i fillojë studimet e doktoratës. /Zëri/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.