Vizita e Papa Franceskut do të sjellë në Tiranë qindra gazetarë dhe mijëra pelegrinë. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit njofton se është përgatitur t’i ofrojë shërbime të mirëseardhjes dhe të zbulimit të Shqipërisë, grupeve të mëdha të pelegrinëve, gazetarëve apo vizitorëve të tjerë, që do të ndjekin Papën, në 21 shtator në Tiranë.
Qysh prej disa javësh ajo ka hapur dhe vënë në dispozicion të publikut disa dritare komunikimi në platformat sociale, web , fb, twitter në të cilat ka postuar hap pas hapi, informacion të dobishëm për të gjithë të interesuarit. Përfshihen këtu, të dhëna për Shqipërinë,paketa të përgatitura për këtë rast nga agjencitë turistike dhe kalendari i aktiviteteve kulturore dedikuar kësaj ngjarjeje.
Nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe, janë përgatitur botime promocionale të ideuara dhe printuara posaçërisht për këtë event, në gjuhën angleze që përmbajnë informacion të ilustruar mbi Shqipërinë. Konkretisht : “Travel & Discover”, “Albanian Cultural Attractions”, “Albanian Iconography”, “TIRANA”, “Tourist Map”.
Zyra e Shërbimit Turistik ka mbështetur përgatitjen e hartës informuese për Tiranën “Tirana Map &Info”, pjesë e paketës promocionale që do tu shpërndahet peligrinëve, gazetarëve dhe vizitorëve.
Po kështu, edhe paketat turistike të ofruara nga disa agjenci, për udhëtime brenda vendit në ditët para, gjatë dhe pas vizitës së Papës, janë përgatitur me kujdes dhe profesionalizëm, dhe janë në dispozicion të të interesuarve, në gjuhën angleze.
Ato kanë për qëllim t’u japin mundësi vizitorëve, që do të jenë në Shqipëri për të ndjekur eventin e madh, të zbulojnë një pjesë të Shqipërisë. Qytete si Berati, Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha dhe pa dyshim Tirana, në shoqërimin dhe organizimin profesional të agjencive të specializuara në këtë fushë, mund të vizitohen nga vizitorët e huaj, këto ditë.
Por edhe Apollonia e Ardenica, Amfiteatri i Durrësit e të tjera monumente të rralla të kulturës tonë, do të mund të arrihen, nëpërmjet paketave të përgatitura nga agjencitë, tona, të vëna në shërbim të vizitorëve, nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Ministria ka siguruar një rrjet shpërndarjeje që fillon në pikat kufitare, më pastaj në tryezat informuese të vendosura në hollet e hoteleve të mëdha të Tiranës, apo në inf-point-et që do të vendosen në Pallatin e Kongreseve ku do të përqendrohen gazetarët, e huaj për të mbuluar këtë ngjarje të madhe. Pikat kryesore hyrëse të vendit janë:
1. Aeroporti i Rinasit
2. Morinë
3. Murriqan
4. Han i Hotit
5. Kapshticë
6. Kakavijë
7. Qafë Thanë
Në të gjitha këto pika kalimi të kufirit, punonjës të Ministrisë dhe agjencive të saj të varësisë (AKT, ZSHT) do të vënë në dispozicion të vizitorëve paketat me botime informuese dhe paketat për udhëtime turistike brenda Shqipërisë, që agjencitë turistike kanë përgatitur për këtë rast.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e ka parë dhe vlerësuar vizitën e Papa Franceskut si një mundësi të papërsëritshme për t’u treguar Shqipërinë, atyre që vijnë për herë të parë; por edhe atyre që duan ta njohin më mirë atë.
Në parashikimet tona për shtimin e numrit të turistëve në vend, vizita e Papa Franceskut, konsiderohet si një faktor i rëndësishëm, që do të ndikojë shumë pozitivisht, thuhet ne deklaraten e Ministrise se Turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.