Tirane- Deri sot ka shkuar në tetë numri i të arrestuarve për skandalin e vjedhjes së 7.13 milionë dollarëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë. Prokuroria e Tiranës firmosi 6 urdhër-arreste gjatë të enjtes për 5 punonjës të Bankës Qëndrore si dhe për nipin e Ardian Bitrajt, personit i cili nxirrte paratë nga kasaforta.
Sipas prokurorisë ka dyshime të forta se 5 punonjësit me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke i dhënë ndihmë Bitrajt për vjedhur për katër vite bankën e shtetit.
Të enjten e 31 korrikut gjykata vendosi masën arrest me burg në mungesë për Petrit Ramohitaj me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, dhe Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator.
Për këta persona sëbashku me një punonjës të gjashtë të shpallur në kerkim, prokuroria thotë, se me veprimet e mos veprimet e tyre ata kanë krijuar mundësi për vjedhjen lehtësisht të lekëve, pavarësisht se të dyshuarit kishin për detyrë të rakordonin kartmonedhat që hynin e dilnin nëpërmjet sporteleve përkatëse.
Sipas prokurorisë vëzhguesi i kamerave, Dhimitër Davidi kishte detyrë të mbikëqyrte kamerat e të raportonte çdo anomali, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se ai i ka parë veprimet e Ardian Bitraj, teksa shfaqej duke mbushur thasë plastikë me kartmonedha, lëvizte nga ky sektor duke u drejtuar në tualet ku edhe i fshihte në trup.Sipas porkurorisë të gjitha këto veprime nuk janë raportuar.
Dy specialistët e arkës në veprim, Petrit Ramohitaj dhe Liljana Tusha kishin detyrë të rakordonin çdo ditë gjendjen e sportelit dhe koordinoheshin me mbikëqyrësin, por ata nuk i kanë ndjekur këto procedura për një kohë të gjatë.
Punonjësit e arkës stok, Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, kishin detyrë të ndjekin lëvizjet e vlerave monetare që lëvizin nga sportelet te magazinat, si edhe të mbanin nga një çelës për arkën stok e në fund të ditës ta dorëzonin në kasafortë. Por këto veprime nuk janë respektuar, ndërkohë që të tre çelësat janë mbajtur nga Ardian Bitraj
Klevis Bejtja nipi i Ardian Bitraj është arrestuar,pasi ka pasur dijeni për për aktivitetin që kryente daja i tij. Bejtja sipas prokurorisë duhet të kallëzonte të afërmin e tij,ndërsa akuza që është ngritur ndaj tij është pikërisht për moskallëzim krimi.
Oranews.tv
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.