Vlerësim i ulët i performancës, faji i menaxhimit të keq, jo i punonjësve

18/08/2017 11:41 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
evaluation performacne

Kur punonjësit nuk janë në nivelin e duhur të performancës është shumë e lehtë që fajin t’ua hedhësh atyre, por menaxhimi i performancës është një çështje më e ndërlikuar se kaq.

Por, a është gjithnjë faji i punonjësve kur ata nuk japin performancën e duhur në punë apo kjo situatë lidhet kryesisht me keqmenaxhimin nga ana e punëdhënësit?

Janë të shumta rastet të cilat kanë vërtetuar se menaxhimi jo i duhur mund të çojë në ulje të performancës dhe produktivitetit të punonjësve, edhe pse të pakta kanë qenë rastet e pranimit të një fakti të tillë nga drejtuesit.

Më poshtë do të lexoni disa nga situatat të cilat janë faktori kyç në përcaktimin e një menaxhimi të keq nga ana e punëdhënësve:

Largim në masë nga ana e punonjësve nga puna

Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Gallup, 50 për qind e punonjësve deklaruan se ishin të gatshëm të largoheshin nga puna në të cilën janë vetëm për të qenë larg shefit të tyre.

Keqmenaxhimi është një ndër faktorët nxitës në largimin e punonjësve nga puna. Format e një keqmenaxhimi mund të jenë të shumta, ku mund të përmendim mbingarkesën dhe orët e tejzgjatura në punë. Një arsye tjetër që ndikon në largimin e punonjësve nga puna është edhe mungesa e trajnimeve profesionale, të cilat janë shumë të kërkuara nga një numër i madh punonjësish.

Anketat në kushte anonimiteti janë një formë e mirë për të marrë një përgjigje të sinqertë nga ana e punonjësve. Gjithashtu edhe nga diskutimet e ndryshme me stafin mund të nxirren konkluzione të cilat ndikojnë në rritjen e rendimentit të punonjësve.

Komunikimi, faktor kyç

Sipas një studimi të kryer nga Officevibe, 31 për qind e punonjësve që morën pjesë në këtë studim, u shprehën se donin që drejtuesit e tyre të komunikonin më shumë me ta, në mënyrë që ata të dinin se cilat janë pakënaqësitë dhe problemet e tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ndërsa 69 përqindëshi i mbetur u shprehën se ndiheshin shumë të nënvlerësuar. Edhe dy arsyet e mësipërme tregojnë më së miri se problemi në uljen e produktivitetit dhe të performancës së punonjësve shkaktohet nga një menaxhim i keq nga ana e drejtuesve, të cilët nëse duan që kjo situatë të përmirësohet duhet të tregohen fillimisht më të komunikueshëm me punonjësit e tyre dhe t’i vlerësojnë ata.

Mungesë motivimi

Drejtuesit idealë janë ata që e motivojnë çdo ditë stafin e tyre. Në ato raste kur ndodh një gjë e tillë, punonjësit i përgjigjen më së miri duke shfaqur një performancë të lartë. Ndërsa kur ky motivim mungon nga ana e drejtuesve, performanca bie në nivelet më të ulëta, dhe nëse kemi të bëjmë me ato raste kur drejtuesit janë shumë të distancuar nga punonjësit e tyre, e thënë me fjalë të tjera “nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh me stafin e tyre”, ka shumë mundësi që punonjësit të neglizhojnë një pjesë të mirë të përgjegjësive dhe detyrave të tyre.

Të dhënat në lidhje me nivelin e performancës u japin si punonjësve ashtu edhe drejtuesve një ide të qartë të pamjes që duhet të ketë një kompani e suksesshme. Vlerësimet e vazhdueshme të performancës mund të ndikojnë në mënyrë të  drejtpërdrejtë në rritjen e produktivitetit nga punonjësit, veçanërisht në ato raste kur një vlerësim pozitiv shoqërohet edhe me shpërblime. Kjo është edhe një nxitje mjaft e mirë për punonjësit të cilët duan të avancojnë gjithnjë e më shumë.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz