Në fund të nëntorit 2014 stoku i kredisë në monedhë të huaj (kryesisht franga zvicerane) në sistemin bankar shqiptar ishte vetëm 380 milionë lekë, apo rreth 3.5 milionë franga zvicerane, 90% e të cilës i përket individëve…
Nga fundi i vitit 2007, pikërisht kur bankat e tjera në rajon ndaluan dhënien e kredive në frangën zvicerane (zhvlerësimi i shpejtë monedhave të tyre e bëri mjaft të rrezikshme huadhënien në këtë monedhë), bankat në Shqipëri filluan për herë të parë të jepnin hua në këtë monedhë, kryesisht për pasuri të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i huasë në monedha të tjera përveç lekut, euros e dollarit (pjesa më e madhe ishte në monedhën zvicerane) filloi të rritej gjatë kësaj periudhe, duke arritur nivelin më mars të vitit 2008, në 1.5 miliardë lekë. Kredia po jepej si për bizneset, ashtu dhe për individët për blerjen e pasurive të paluajtshme. Sidomos për individët rritja e huasë ishte e menjëhershme.
Banka e Shqipërisë ndërhyri menjëherë në atë kohë, për të frenuar që ky fenomen të merrte përmasa masive, ashtu si po ndodhet në disa vende në rajon. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë patën direkt takime me drejtuesit e bankave dhe biseduan me ta, duke i pyetur nëse ishin të përgatitur të ndërmerrnin këtë veprim dhe i paralajmëroi se ata nuk do të arrinin ta menaxhonin situatën. pas kësaj, kredidhënia në këto monedha u frenua.
Në fund të nëntorit 2014 stoku i kredisë në monedhë të huaj (kryesisht franga zvicerane) në sistemin bankar shqiptar ishte vetëm 380 milionë lekë, apo rreth 3.5 milionë franga zvicerane, 90% e të cilës i përket individëve, teksa bizneset pothuajse e kanë shlyer huanë në monedha të tjera (shih grafikun). Kjo është një shumë e papërfillshme në raport me totalin e huadhënies në sistem (vetëm 0.05% e totalit), ku peshën kryesore e zë euro me 52%, leku me 40%, dollari me rreth 8%.
Kredia në frangën zvicerane
Norma e ulët e interesit e kredisë në frangun zvicerane (që arrinte mesatarisht edhe 4% në vit) ishte arsyeja kryesore që i nxiti bankat, por dhe individët apo bizneset t’i drejtoheshin kësaj monedhe në vitin 2008. Ishte e njëjta skemë që po ndodhte prej mbi 10 vitesh në Europën Lindore, por që në Shqipëri filloi të zbatohej në momentin më të pafavorshëm, pikërisht kur kriza ekonomike globale ekspozoi rrezikun me të cilin po përballeshin shtetet e tjera si Hungaria, Rumania, Kroacia apo Serbia. Zhvlerësimi i shpejtë i monedhave të këtyre vendeve ndaj frangës zvicerane që nga fundi i vitit 2008 rriti koston e huamarrësve në të gjitha këto vende. Franga u forcua, teksa perceptohej si monedhë e sigurt në kulmin e krizës europiane në 2011-n, sa banka qendrore zvicerane atë vit një kufi të këmbimit të fiksuar prej 1.2 franga për euro, kufi që e hoqi vetëm gjatë ditës së djeshme, duke bërë që monedha zvicerane të rritet me mbi 30% brenda ditës.
Rritja e saj e fundit ka sjellë sërish në vëmendje ekspozimin e lartë të vendeve të Europës Lindore, ekspozim që Shqipëria duket se i ka shpëtuar, për shkak të ndërprerjes në kohë të huadhënies në këtë monedhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.