Google akuzohet se i paguan femrat më pak në krahasim me meshkujt. Një dyshim i tillë nxit debatin rreth seksizmit në Silicon Valley
Google e ka krijuar një pjesë të madhe të pasurisë duke i ndihmuar njerëzit që të gjejnë çdo informacion që ata kërkojnë.
Por në një seancë dëgjimore më 7 prill, Departamenti Amerikan i Punës (DoL) e akuzoi kompaninë që qëndron prapa motorit fitimprurës të kërkimit, në lidhje me faktin se ajo i paguan punonjësit e saj femra më pak se homologët e tyre meshkuj, shkruan The Economist.
Akuza për paga më të ulëta për femrat është pjesë e një padie të Departamentit Amerikan të Punës, i cili i ka kërkuar Google të dorëzojë informacione të hollësishme mbi pagën. Departamenti nuk ka deklaruar asnjë të dhënë për të mbështetur pohimin e tij, ndërsa Google e ka mohuar një pretendim të tillë.
Cilido qoftë rezultati që do të shpallet në gjykatë, akuzat e qeverisë rrezikojnë të prishin imazhin e Google. Disa ditë më parë, Twitter deklaroi se ai e kishte mbyllur kapitullin e hendekut gjinor të pagave.
Deklarata është nën hetim. Është e vërtetë se në kompaninë mëmë të Google, Alfabet, disa femra janë në pozicione të larta drejtuese, duke përfshirë këtu Ruth Porat, shefen e financave dhe Susan Wojicki e cila drejton You Tube, biznesin e videove online. Por pyetja më e rëndësishme në këtë situatë nuk ngrihet vetëm në lidhje me promovimin apo jo të disa femrave, por mbi të gjitha sesi ndihen femrat e shtresës së mesme dhe asaj të ulët.
Sipas shifrave të publikuara, tabloja është shumë e zymtë në lidhje me statusin e femrave në sektorin e teknologjisë. Duke iu referuar një studimi të vitit 2015 të quajtur ‘Elephant in the Valley’, dy të tretat e femrave në Silicon Valley ndihen të përjashtuara nga ngjarjet më të rëndësishme të vendit dhe tre të pestat kanë përjetuar ngacmime seksuale të padëshiruara.
Më shumë se një e katërta e grave amerikane në sektorin e inxhinierisë, teknologjisë dhe shkencës ndihen të “penguara” në karrierën e tyre dhe një e treta thonë se ka shumë mundësi që ta braktisin punën në të cilën janë pa mbushur as një vit të plotë, sipas Qendrës për Inovacionin e Talenteve.
Margjinalizimi i femrave në fushën e teknologjisë u vu në qendër të vëmendjes në vitin 2015 gjatë një padie mbi diskriminimin seksual të evidentuar nga Ellen Pao, e cila ka punuar në një firmë sipërmarrëse, Kleiner Perkins (ajo e humbi çështjen).
Postimi i Susan Fowle, një ish-inxhiniere në kompaninë Uber, ka qenë pjesë e titujve kryesorë të disa gazetave, ku shprehej se drejtuesit meshkuj kanë dështuar në promovimin e femrave dhe se burimet njerëzore nuk i kanë marrë kurrë seriozisht ankesat dhe paditë për ngacmime seksuale. Kompania Uber ka punësuar Eric Holderin, ish-prokurori i përgjithshëm i Amerikës, për të drejtuar hetimin e çështjes së ngacmimeve seksuale dhe kulturës së kompanisë në vendin e punës. Rezultatet pritet të dalin në javët e ardhshme.
Disa firma, duke përfshirë këtu edhe Uber, kanë filluar të publikojnë raporte vjetore që përshkruajnë përbërjen e fuqisë punëtore të tyre, pasi u kritikuan për punësimin e një numri të ulët femrash dhe të punonjësve nga pakicat etnike. Më pak se gjysma e kompanive teknologjike kanë punonjëse femra.
Edukimi arsimor në fusha të tjera ka qenë një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë drejtim. Në vitin 2013, vetëm 18% e të diplomuarve në shkencat kompjuterike ishin femra, ndërsa në vitin 1985, kjo shifër ishte edhe më e ulët, rreth 9%. Disa dyshojnë se në këtë drejtim, ka një ndikim negativ nga vetë femrat, të cilat dekurajojnë njëra-tjetrën që të mos e zgjedhin këtë degë për studimet e tyre.
Gjithashtu edhe vazhdimi i profesionit për një kohë të gjatë është shumë i vështirë për femrat.
Sipas një studimi të vitit 2014, pothuajse gjysma e femrave të cilat kanë punuar në fushën e teknologjisë, inxhinierisë apo matematikës, e kanë lënë profesionin e tyre pas 12 vitesh.
Femrat sipërmarrëse e kanë më të vështirë për të siguruar fonde në krahasim me sipërmarrësit meshkuj. Elizabeta Holmes, themeluesja e Theranos, një firmë për analizat e gjakut, e cila kaloi një periudhë të vështirë, u përfshi nga një publicitet tejet i lartë, kryesisht nga fakti që ishte e pazakontë, ishte e veçantë, sepse startup-et e drejtuara nga femrat sipërmarrëse janë shumë të rralla në të gjithë Silicon Valley.
Transparenca në lidhje me përbërjen e stafit të punonjësve të firmave mund të ndihmojë në punësimin e më shumë femrave. Por një tjetër sektor në të cilin transparenca mund të përbëjë ndryshim është pikërisht ai i pagave. Natyra e fshehtë e kompensimit në firmat e teknologjisë, me punonjësit të cilët nuk lejohen që t’u tregojnë shokëve të tyre në lidhje me shpërblimet që marrin, do të thotë se femrat mbase as nuk e dinë që po paguhen poshtë nivelit minimal të pagës, shprehet Pamela Sayad, një avokate e specializuar në fushën e diskriminimit në vendin e punës.
Disa kompani që kanë zbuluar pabarazinë, duke përfshirë këtu Salesforce, një firmë software dhe Cisco kanë shpenzuar miliona dollarë për të mbushur boshllëqet e pabarazisë së pagave.
Për vite të tëra, drejtuesit në fushën e teknologjisë kanë folur për rëndësinë e transparencës dhe fuqinë e të dhënave në procesin e vendimmarrjes. Por, mbi të gjitha, ata duhet të mundohen t’i vënë në zbatim çka thonë dhe jo vetëm t’i predikojnë ato.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.