Duket e çuditshme por ndërsa Makina e Popullit sulmonte fuqishëm për të hyrë në kategorinë më luksoze të tregut (modeli Phaeton), nga pas kishte lënë hapësira boshe, tamam në ato kategori ku duhej të ishte më e fortë: monovolumet e dimensioneve të mesme. Një nga këto boshllëqe u arrit të mbushet me modelin Touran, i cili ndodhet në treg prej disa muajsh. Platforma e këtij modeli është po ajo që përdoret tek Golf V. Vendet janë 5, por ekziston mundësia që të bëhen 7. Vlen të theksohet se ekzizton një numër i madh konfiguracionesh të ndryshme për brendësinë e makinës. Tre ndenjëset e radhës së dytë mund të zhvendosen në gjatësi dhe gjërësi, përveçse të palosen, të rrotullohen dhe të mbështeten tek radha e parë, apo të hiqen fare me lehtësi. Hapësira për valixhet apo objekte të tjera mund të rritet deri në 1939 litra. Në emër të një funksionaliteti maksimal, në bord ndodhen plot 39 zgavra, plane mbështetëse apo tavolina. Duhet pëmendur kaseta e sendeve në mes, me ftohje. Gjatësia është 439 cm, sa ajo e një Golf Variant, me gjerësi (179 cm) dhe lartësi pak më të madhe. Siç parashikohet, më të kërkuara do të jenë versionet turbodiesel, ndaj fillimisht është paraqitur me dy motorë diesel dhe një benzinë FSI me injeksion direkt. Në krye të gamës do të jetë motori i ri 2.0 TDI me katër valvola për cilindër, injeksion direkt me injektor-pompë. Fuqia është 100 kW në 4000 rrotullime, ndërsa momenti 320 Nm, ndërmjet 1750 dhe 2500 rrotullimeve. Më pas vjen katër cilindërshi klasik 1.9 TDI, në versionin 75 kW. Për motorët e benzinës, ndër të parët është ai 1.6 FSI me 85 kW, më parë i montuar tek Audi A2.Me përjashtim të modelit 1.6, normalisht janë të pajisur me kuti shpejtësie me 6 marshe. Modeli 1.6 FSI mund të pajiset dhe me një transmision automatik, gjithmonë me 6 marshe, por edhe me mundësinë e komandimit sekuencial. Interesante ideja, si tek modelet A3, Golf RS dhe Audi TT, për të patur dhe kutinë e re të shpejtësisë DSG me dy friksione.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.