Numri i zyrave të këmbimit valutor është rritur me shpejtësi gjatë vitit 2018 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, te cilat arritën në 463 gjithsej.
Përgjatë vitit të kaluar u dhanë 58 licenca të reja, ndërkohë që 21 zyrave të këmbimit valutor iu revokua licenca për arsye të statusit joaktiv të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të pezullimit të veprimtarisë për më shumë se dy muaj dhe të moszbatimit të kërkesave raportuese pranë Bankës së Shqipërisë, apo edhe me kërkesë të subjekteve për arsye të mbylljes së aktivitetit.
Në fund të vitit 2018, në tregun e këmbimeve valutore ushtrojnë aktivitetin 463 zyra të këmbimit valutor ose 8.7 për qind më shumë se një vit më parë.
Bizneset e këmbimit valutore kanë ardhur në rritje vitet e fundit për dy arsye, e para informalitetit të lartë dhe se dyti i rritja e volumeve të tregtimit të valutës në vend.
Me herët gjatë dekadës institucionet e zbatimit të ligjit frenuan aktivitetin informal të strehimit të valutës, duke sjellë një rritje të licencimit të aktivitetit të këmbimit valutor në vitet 2000.
Por teksa eksportet, remitancat dhe të ardhurat nga turizmi po rriten vit pas viti kërkesa për të konvertuar valutë po rritet e për rrjedhojë po rritet edhe përhapja e biznesit të këmbimit.
Gjithsesi zyrat e këmbimit valutor konsiderohen me rrisk për pastrimin parave. Përgjatë vitit të kaluar 21 zyra këmbimi mbyllën aktivitetin për shkak të moszbatimit të standardeve të raportimit nga Banka e Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë raportoi se ka ushtruar kontroll në 23 zyra këmbimi gjatë vitit të kaluar, teksa në 17 prej tyre u gjetën parregullsi sa i takon raportimit për parandalimin e pastrimit të parave. Banka referoi se ndaj tyre u morën masa mbikëqyrëse dhe administrative për mangësitë e konstatuara.
Gjatë vitit kaluar BSH-së ka forcuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen e tregut duke bërë ndryshimet e nevojshme në rregulloren për parandalimin e pastrimit të parave. Fokusi i ndryshimeve ka të bëjë me përfshirjen në raportim të të gjithë subjekteve edhe pranë Bankës së Shqipërisë. Mes të tjerave zyrat e këmbimit valutor duket të jenë një prej segmenteve në drejtim të të cilave ka pasur forcim të kontrollit, kjo edhe në funksion të parandalimit të pastrimit të parave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.