Ardhja për herë të parë e një kryeministri serb në vendin tonë ka qenë për disa ditë në qendër të vëmendjes së mediave në Ballkan dhe më tej.
Kryeministri Vucic u takua sot në Tiranë më homologun e tij shqiptar, takim i cili zgjati rreth 40 minuta.
Më herët, Vucic shkroi në rrjetin social Twitter se priten takime të frytshme mes tij dhe palës shqiptare, vizitë e cila do zgjasë dy ditë.
Gjatë deklaratës për shtyp të mbajtur në mesditë mes dy kryeministrave ballkanas, Rama deklaroi se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të arritur të jetohet në këtë rajon ku fatet janë të ndërvarura. Rama theksoi edhe se, pavarësisht mos-dakordësisë lidhur me çështjen e Kosovës, kjo nuk duhet të na pengojë vijimin e marrëdhënieve të forta mes dy shteteve, e vullnetin për të jetësuar marrëveshje të rëndësishme për njohjen e diplomave, apo të tjera në fushën ekonomike, energjetike, kulturore etj.
“ Këto 24 orë që do të qendrojë në Tiranë do të jenë një shtysë që ai të kthehet sërish. Uroj të nxitet që të inkurajojë bashkëqytetarët e tij që të vizitojnë Shqipërinë, pasi do gjejnë mikpritjen, ushqimin dhe pushimet më të befasuese..
Është i pari vizitues i këtij rangu, në harkun e 6 muajve realizuam shkëmbimin e kryeministrave pas një kohë akulli mes dy shteteve.
Është fakt që dëshmon vullnetin dhe dëshirën për të sjellë kombet tona më pranë njëri-tjetrit , pavarësisht se jemi ende larg të qenit dakord për gjithçka. Ky fakt dëshmon edhe se sot ka mundësi historike që të kthejë paqen e mezi-arritur në këtë rajon, në një paqe që ia vlen të jetohet.” – tha Rama.
Kryeministri shqiptar mori edhe njëherë shembullin e shteteve si Gjermania dhe Franca, lidhur me ndërtimin e marrëdhënieve të përbashkëta, pas Luftës së Dytë Botërore; duke mos lënë pa përmendur edhe ngjarjet e fundit të ndodhura në Maqedoni, në frymën për të nxitur bashkëveprimet mes vendeve ballkanike, edhe në kuadër të takimeve të Berlinit.
“ Ne do çojmë përpara axhendën e një rajoni pa kufij, pa barriera shoqërore, kulturore, ekonomike, për ta projektuar së bashku të ardhmen, jo vetëm politikisht, por konkretisht me hartime projektesh në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë.”- tha Rama, duke shtuar se paqja mes nesh buron nga projeksioni ynë për anëtarësimin në BE.
Ndërkaq, fjala e kryeministrit serb, menjëherë pas deklaratës së Ramës, duke falenderuar për mikpritjen, theksoi faktin se Kosova është pjesë e Serbisë sipas tij dhe kjo çështje është ajo që nuk na bashkon.
Ai shprehu vullnetin e qeverisë së tij për të përparuar mes tyre në fushën energjetike, turizëm, ekonomike, infrastrukturore.
plani të cilin Vucic e bëri të ditur para mediave është firmosja e një letre, derguar Junker dhe lidershipit të Europës për ndërtimin e autostradës Nish- Prishtinë-Prizren- Morinë- Durres.
“ Ne e kemi shumë të rëndësishëm që të lidhim fort marrëdhënie të përbashkëta me Shqipërinë, madje edhe për të marrë një ndihmë nga Evropa për projekte tona në energjetikë apo infrastrukturë.
Ne kemi biseduar edhe për zhvillimin e turizmit, për të motivuar bashkëqytetarët për vizitat e dy-anëshme. Ne jemi në rrugën e mirë, por duhet t ëbëjmë edhe më shumë, është fakt që nuk pajtohemi për të gjitha çështjet, ne e konsiderojmë Kosovën si pjesë tonën, kurse Shqipëria si e pavarur. Por kjo nuk është diçka thelbësore për marrëdhëniet tona politike, ne do përpiqemi që ta sheshojmë këtë.
Në të ardhmen duhet të shihen marrëdhënie edhe më të mira, në fushën e investimeve, ku do të fitojnë dy palë, ne interes të përbashkët.
Vetëm bisedat përparojnë marrëdhëniet tona, jam e sigurt që të dy shtetet do të kenë fate më të mira.
Unë dua të zgjas dorën miqësisht, pa marrë parasysh deklaratat e ndryshme, por kjo s’do të ndikojë marrëdhëniet strategjike mes nesh, sidomos ato ekonomike.” – u shpreh Vucic.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.