“Serbia do të vazhdojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe ne do të punojmë për ta përfunduar këtë proces në interes të qytetarëve të Serbisë”, tha të premten e kaluar Aleksandar Vuçiç, kryeministri që u bë president, në një takim të organizuar në Beograd me ambasadorët e BE-së dhe kreun e ngarkuar të Delegacionit të BE-së në Serbi, Oskar Benedikt.
Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen e internetit të qeverisë, në takim u diskutua mbi “rekomandimet e BE-së në procesin e integrimit europian, ndërprerjen e negociatave me Prishtinën, problemet me formimin e komunitetit të komunave serbe dhe raportin mbi (Negociatat e pranimit në BE) kapitujt 23 dhe 24”.
Vuçiç u shpreh i kënaqur me “rritjen e tregtisë me BE-në, si dhe me rritjen e investimeve nga BE-ja.
Ai theksoi se Serbia i ka marrë seriozisht në konsideratë të gjitha rekomandimet dhe se zyrtarët në Agjencinë Kundër Korrupsionit do të emërohen shumë shpejt.
Vuçiç i informoi ambasadorët për ecurinë e takimit që u mbajt në Bruksel javës së kaluar, me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini-n, si dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Sipas qeverisë, Oskar Benedikt “vlerësoi reformat ekonomike dhe progresin në procesin e integrimit europian”, ndërsa ambasadorët shprehën interes në planet dhe prioritetet e Presidentit të Serbisë gjatë këtij mandati.
Ambasadorët e BE-së iu drejtuan Vuçiçit duke i thënë se Serbia i përket Europës dhe se ai duhet të përdorë më së miri mandatin e tij si President, për të krijuar në atë shtëpi europiane kushtet më të mira për të gjithë popullin e tij.
Pyetjeve të tyre rreth planeve dhe objektivave kyçe, që ai do realizojë gjatë Presidencës së tij, ai iu përgjigj se Serbia nuk do të ndryshojë objektivat parësore. Vuçiç tha më tej se “si President i Serbisë, do të do të punoj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, për të forcuar bashkëpunimin me vendet fqinje, në mënyrë që të krijohet një mjedis i ndryshëm ekonomik nga ç’është aktualisht.
Unë do të punoj për krijimin e një zone të vetme ekonomike, si dhe do t’u jap përparësi çështjeve me rëndësi strategjike për vendin, siç është dialogu me përfaqësuesit e partive politike në vend, të cilat janë të interesuara në këtë aspekt, në mënyrë që të krijohet një atmosferë sa më e mirë bashkëpunimi në Serbi”.