Quhet WasteShark dhe është një peshkaqen-balenë mekanik i projektuar në Holandë, i cili mund të mbledhë deri në 350 kg plastikë çdo ditë në detet tona.
Deti është një nga vendet më të ndotura në tokë. Problemi më i madh i ujërave tona është plastika. Jo vetëm ajo e dukshme nga syri i njerëzve por edhe mikrogrimcat e plastikës të padukshme, që hahen nga peshqit dhe mund të gëlltiten nga njerëzit. Vetëm në Oqeanin Paqësor llogaritet se ekziston një ishull prej plastike më i madh se Franca.
Prej vitesh, shkencëtarët po përpiqen që të gjejnë një metodë që të reduktojë përdorimin e plastikës dhe mbi të gjitha po zhvillojnë instrumente që të ndihmojnë në pastrimin e deteve dhe terreneve nga materialet e mbeturinave. Zgjidhja mund të jetë WasteShark, që fjalë për fjalë do të thotë peshkaqeni i mbeturinave, një robot që “ha plastikën”.
Ai është zhvilluar nga kompania holandeze Ranmarine Technologies, e specializuar në zgjidhje avangardë për pastrimin e ujit. Roboti ka emrin e një peshkaqeni, pasi për krijimin e tij, grupi i punës është frymëzuar nga peshkaqeni – balenë dhe “goja” e tij e madhe shërben për të mbledhur plastikën në det.
Si funksionon WasteShark? A i keni parasysh robotët e vegjël pastrues që herë pas here i shohim të kalojnë në shtëpitë e miqve apo të afërmve? Sistemi i përdorimit të WasteShark është mjaft i ngjashëm. Peshkaqeni-robot mund të monitorohet edhe nga distanca ndërkohë që është në ujë dhe të pastrojë detin nga plastika në mënyrë autonome. Bateria e WasteShark e lejon të pastrojë në det për 16 orë me radhë pa ndërprerje dhe në serbatorin e tij mund të mbledhë deri në 350 kg plastikë në ditë.
“Peshkaqeni që ha plastikë” është i pajisur edhe me sensorë të ndryshëm që mbledh të dhëna të shumta sa i përket sasisë së plastikës së pranishme dhe mbi ndotjen e përgjithshme të ujërave ku vepron. Informacionet më pas përpunohen nga një grup ekspertësh për të marrë vendime për pastrimin e detit.
WasteShark patrullon në sipërfaqen e ujit në kërkim të plastikës, facoletave dhe cigareve, madje edhe papastërti natyrore si alga, të cilat i “përpin në organizmin e tij”. Kur është plot, kthehet në breg për t’u boshatisur e për t’u rinisur dhe këtë e bën në mënyrë automatike, falë mekanizmit për waypoint dhe teknologjisë Wifi, ose mund të komandohet nga distanca me një telekomandë.