Sa para ka fituar Roger Federer në karrierën e tij? Falë triumfit në Wimbledon për të tetën herë në karrierë, duke shënuar një rekord të ri absolut fitoresh në turneun më të vjetër prestigjioz në tenis, zvicerani ka arritur në kuotën e 107,34 milionë dollarë shpërblime.
Falë fitores në finale në vetëm tre sete ndaj kroatit Marin Cilic, Federer hyn kështu në histori duke u bërë në moshën 36-vjeçare tenisti që ka fituar më shumë në barin e All England Lawn Tennis and Croquet Club, duke kaluar ish-tenistin amerikan Pete Sampras dhe ish-tenistin britanik të shekullit 19-të, Willy Renshaw (7 tituj secili). Falë fitores së Grand Slam-it të tretë sezonal, ai ka përfituar 2,7 milionë sterlina.
Me fitoren e Grand Slam-it të 19-të, të ardhurat e Federer në 6-mujorin e parë të këtij viti shkojnë në 8,51 milionë dollarë. Gjatë këtij sezoni, mbreti Roger po shfaq një formë fantastike. Nga 7 turne ku ka marrë pjesë, ka arritur të fitojë 5, duke kujtuar edhe triumfin në Australian Open.
Sa ka fituar Roger Federer në karrierën e tij?
Falë 2,7 milionë sterlinave që i takojnë fituesit të turneut, Federer është veç një hap larg rekordit të tenistit serb Novak Djokovic, i cili qëndron në vend të parë në klasifikimin e të gjithë kohërave me 109,44 milionë dollarë, falë rritjes së shpërblimeve në sezonet e fundit: për shembull, vetëm gjatë vitit 2015, Djokovic ka fituar 21 milionë dollarë.
Por Federer mund të ngushëllohet me të ardhurat që fiton nga sponsorët. Sipas Forbes, në vitin 2016, tenisti zviceran është sportisti i katërt më i paguar në botë, duke fituar më shumë se 60 milionë dollarë nga kontratat e ndryshme me Nike, Rolex, Mercedes-Benz e Credit Suisse.