Vera në Londër nuk ka kuptim pa All England Lawn Tennis and Croquet Club. Aty, në fushat me bar, zhvillohet që prej vitit 1877 një ndër turnetë më të famshëm të tenisit, The Championships, Wimbledon, i njohur thjesht edhe si Wimbledon. Një turne, që tashmë është gjithnjë e më shumë, një makinë parash.
Fitimet, e për pasojë edhe shpërblimet, për tenistët janë në rritje të vazhdueshme, nga viti në vit. Për vitin 2018, kompeticioni vë në dispozicion një total prej 34 milionë sterlinash (rreth 38,4 milionë euro), në rritje me 7,6% krahasuar me vitin 2017:
2,25 milionë sterlina (+2% krahasuar me 2017) për secilin nga fituesit, meshkuj dhe femra, të cilët, që prej vitit 2007, fitojnë të njëjtën shifër. Në 2007-n, ai që ngrinte trofeun, fitonte “vetëm” 700 mijë sterlina.
Rritja më e madhe, megjithatë ka të bëjë me shpërblimet për kualifikimet dhe për katër raundet e para: në tre raundet e para të kualifikimit, ai që humb përfiton 4.875 sterlina, 9.750 sterlina dhe 19.500 sterlina (të gjithë me rritje me 11,4%); në katër raundet e para të turneut, fitimet janë 39.000 sterlina (+11,4%), 63.000 sterlina (+10,5%), 100.000 sterlina (+11,1%) dhe 163.000 sterlina (+10,9%).
Nga çerekfinalet e më pas, shpërblimet janë rritur rreth 2,2/2,3%: 281.000 sterlina për raundin çerekfinal deri në 2,25 milionë sterlina për fituesit (562.000 sterlina për gjysmëfinalistët dhe 1,125 milionë sterlina për finalistin e mundur).
Në vitin 2017, fitimet e All England Lawn Tennis Club (Championship) Limited, shoqëria që organizon dhe menaxhon turneun, ishin 216,145 milionë sterlina, në rritje me 6% krahasuar me 203,102 milionë sterlina në vitin 2016.