Vera në Londër karakterizohet pashmangshmërisht nga turneu që zhvillohet në All England Lawn Tennis and Croquet Club.
The Championships, Wimbledon, i njohur thjesht edhe si Wimbledon është turneu më i famshëm i tenisit në botë, i lindur që në vitin 1877. Ky turne është sot, gjithnjë e më shumë, një nga më fitimprurësit në botën e tenisit.
Këtë vit, totali i shpërblimeve shkon në 31,6 milionë sterlina (rreth 36 milionë euro) në rritje me 12,5% krahasuar me vitin 2016. Rritje gjithashtu ka shënuar edhe çmimi final për fituesin e lojës teke si për meshkuj dhe për femra. Kjo është një rritje konstante në dhjetëvjeçarin e fundit.
Këto para vijnë mbi të gjitha nga të drejtat televizive – ndër të tjera audienca shkon më shumë se 1,2 miliardë persona në botë dhe nuk është një rastësi që kanali televiziv amerikan Espn paguan rreth 25 milionë në vit (deri në vitin 2022) për të transmetuar këtë turne në SHBA.
Më pas përmendim shitjen e biletave që shkon nga 25 sterlina (çmimi minimum) deri në biletën më të shtrenjtë që shkon në 50 mijë sterlina, e cila ju garanton një vend të sigurt në fushat e Wimbledon-it për 5 vjet.
Në fakt, vullneti i organizatorëve të Wimbledon është që të kufizojnë ardhjen e sponsorëve të rinj, duke ua lënë këtë vetëm shoqërive që sponsorizojnë në mënyra të ndryshme turneun si për shembull Slazenger (marka e topave të tenisit), Rolex (tabelat elektronike dhe kronometri) dhe Lavazza që është furnitori zyrtar i kafesë në ambientet e Wimbledon. Një marketing më i gjerë do të rriste në mënyrë të ndjeshme të ardhurat, por konservatorët britanikë vështirë se do të arrinin në një marrëveshje.