Wizz Air, shoqëria ajrore më e madhe me kosto të ulët në Europën Qendrore dhe Lindore, filloi sot fluturimet e reja që lidhin Tiranën me qytetin gjerman të Dortmundit, njoftoi Tirana International Airport.
Destinacioni me tarifa të ulëta fillon me dy fluturime javore, të martave dhe të shtunave. Shitjet e biletave kanë filluar nëpërmjet faqes zyrtare të kompanisë. Fluturimi i parë u shoqërua me një ceremoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
“E çmojmë bashkëpunimin tonë me Wizz Air. Gjatë dy viteve të fundit, kjo kompani ka rritur numrin e shërbimeve në Tirana International Airport me tre destinacione të reja: Budapest, Londër dhe tani, Dortmund. Lajm i mirë për të gjithë. Destinacione të tjera na presin, ndërkohë që Gjermania është më afër”, tha Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana International Airport, dr. Rolf Castro-Vasquez.
Andras Rado, Menaxher i Komunikimit në Wizz Air, u shpreh: “Ne kemi kënaqësinë të njoftojmë operimin e një destinacioni tjetër interesant nga Tirana i cili lidh Shqipërinë me qytetin e mrekullueshëm të Dortmund në Gjermani, një destinacion perfekt për një shkëputje në fundjavë. Dortmund është një mundësi shumë e mirë që klientët tanë të shijojnë një kulturë spektakolare në një qytet të gjallë, me birrari të paharrueshme dhe muze të bukur”.
Vendet për fluturimet nga Tirana drejt Dortmundit, janë në dispozicion në www.wizzair.com me çmime duke filluar nga 19.99 euro, sipas tarifave të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë. Çmimi i referohet një fluturimi dhe përfshin edhe taksat, njofton Wizz Air, sipas njoftimit zyrtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.