World Wide Web mbush 30 vjeç, si lindi dhe si mund ta përmirësojmë sot

18/03/2019 9:00 AM 0 komente

Në mars të vitit 1989, Tim Berners-Lee propozon idenë e një platforme për të ndarë përmbajtjet nëpërmjet internetit. Sot, gjysma e popullsisë në botë është e lidhur me internetin

 

30 vitet e World Wide Web

Ishte vetëm një ide. Vizionare, futuriste, por e mirëmenduar dhe projektuar. Një platformë e lirë – demokratike – për të ndarë çfarëdo lloj përmbajtje nëpërmjet internetit. World Wide Web, shpikja revolucionare, ka ndryshuar mënyrën se si ne komunikojmë, mësojmë, blejmë, dëgjojmë muzikë apo shohim filma. Ajo lindi në zemër të Europës, në mars të vitit 1989. Më 12 mars, në Organizatën Europiane për Kërkimin Nuklear, festuan 30-vjetorin e “WWW”.

“Historia e web nënvizon pasionin dhe kërkimin për inovacionin”, – tha drejtuesja e përgjithshme e CERN, Fabiola Gianotti. Ajo thekson se revolucioni i vërtetë ishte “vënia e tij në dispozicion të botës, pa pagesë”, në mënyrë që të gjithë të mund të përfitonin nga një instrument i fuqishëm, i cili pasuron njerëzimin dhe redukton pabarazitë”.
Por “WWW”është më shumë se një platformë, pasi është në evolucion të vazhdueshëm. Në CERN, objektivi nuk është vetëm festimi, por edhe reflektimi.

 

Mars 1989, ideja

Ideja lindi në CERN, në mars të vitit 1989. Në atë kohë, inxhinieri Tim Berners-Lee kishte një objektiv të thjeshtë. “Nëse të duhej një dokument – thotë ai – ishe i sigurt që në ndonjë cep të botës, dikush e kishte në tryezën e punës. Me shumë gjasa, pranë tij kishte një kompjuter të lidhur me internetin. Pra, përse të mos krijonte një sistem që ta ndante me të gjithë?”.

Berners-Lee shkruan më pas një dokument: “Menaxhimi i informacionit: një propozim”,të cilin ia paraqet shefit të tij, Mike Sendall, i cili e cilëson “Të paqartë, por emocionues”. Berners-Lee ia paraqet atë edhe kolegëve të tjerë,disa ishin skeptikë, të tjerë edhe më entuziastë. Mes këtyre të fundit, ishte Robert Cailliau. Të dy kujtohen sot si pionierët e World Wide Web.

“Atëherë kishte shumë projekte, por asnjëri prej tyre nuk ishte aq bindës sa ai i Berners-Lee – thotë Cailliau. E dinim që do të bëhej diçka e madhe”. Ideja ekzistonte, por mungonte realizimi. Kjo gjë i mori dy vjet kohë ekipit të sapolindur të komunikimit dixhital.

 

1991, lindja

Ishte e nevojshme një gjuhë (Html), një mënyrë për të krijuar “adresa” të ndryshme në rrjet (Url dhe Http). Me fjalë të tjera, nevojitej të ndërtohej një alfabet i ri.Dy vjet më vonë, Berners-Lee dhe Cailliau njoftojnë zyrtarisht në botë lindjen e World Wide Web. Më 6 gusht 1991, dy pionierët vënë online faqen e parë web në histori, info.cern.ch. Dokumenti që kishin zgjedhur që ta ndanin me botën ishin udhëzimet për përdoruesit se si të krijonin faqet e tyre në platformën e sapolindur.

 

1993, web-i është për të gjithë

Berners-Lee e krijoi browser-in e parë në“Next Cube” e tij, një ndër kompjuterët e prodhuar nga Steve Jobs, pas daljes së Apple. E quajti pikërisht, World Wide Web. Pika e kthesës erdhi dy vjet më vonë, në vitin 1993, kur falë miratimit të drejtorit të përgjithshëm të CERN, web bëhet një platformë tërësisht falas. Ndërkohë, në anën tjetër të Atlantikut, në Universitetin e Ilinoisit, po punohej për Mosaic, i cili do të bëhej browser i parë për masën.

“Ishte diçka e mrekullueshme – kujton Jean François Groff – nuk e prisnim që kaq shumë njerëz të kishin dëshirë të mësonin gjuhën e web. Dhe ata ishin njerëz normalë dhe jo studiues”. Edhe Groff, në atë kohë student, ka marrë pjesë në ndërtimin e “WWW”. Ai thotë me shaka se “erdha në vendin e duhur, rastësisht”. Që në fillim, përhapja e platformës ishte shumë e shpejtë. Në vitin 1995, në botë kishte 25 mijë faqe web. Një vit më pas, kjo shifër ishte dhjetë herë më e lartë. Në vitin 1999, numëroheshin 1 milion të tilla. Ndërsa 1 miliard faqe, në vitin 2014.

 

Web ka humbur magjinë

Rasti i 30-vjetorit të “WWW” për krijuesit e saj dhe për CERN është, mbi të gjitha, një moment reflektimi. Bukuria e një shpikje si ajo e web është njëkohësisht edhe dobësia e saj më e madhe. Ky sistem, gratis, i hapur, ka edhe anët e tij negative: keqinformimin, kriminalitetin, krijimin e “makinave të mbikëqyrjes” që përkthejnë çdo lëvizje tonën – çdo klik, çdo faqe të vizituar, çdo shkronjë apo foto të ndarë me të tjerët – në burime përfitimi.

“Ka humbur magjia” – thonë burime nga CERN. “Për çdo sfidë, mund të përdorim web – siguron Berners-Lee. Por njerëzit duhet të kuptojnë se në çfarë duhet të besojnë, shkenca, dhe çfarë duan të bëjnë, ose ndryshe, të ndërtojnë një demokraci”.

 

Qëllimi, web-i të bëhet global

Në vitin 2009, Tim Berners-Lee krijoi Web Foundation, me synimin për ta mbrojtur si një e mirë publike dhe si e drejtë kolektive. Që prej asaj kohe, angazhimi për të përmirësuar krijesën e tij është rritur. Me propozime dhe letra të hapura, ku çdo vit analizohen se çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëhet. Sfidat janë të shumta. Në vitin 2018, gjysma e popullsisë botërore është lidhur me internetin, pra me web.

Mungon ende gjysma tjetër, pjesa më e vështirë për t’u arritur, më e varfër, e cila do të përfitonte më shumë nga informacionet online. “Për çdo funksion të ri dhe faqe të re, hendeku mes atyre që janë online ose jo, rritet” – thekson Berners-Lee në letrën e 2019-s.

 

Një web i ri

Berners-Lee imagjinonte një web të ri për 30 vitet e ardhshme, ku të ndryshonte, mbi të gjitha, modeli i biznesit, problemi më i madh. Sot në qendër të çdo përfitimi online janë të dhënat e përdoruesve, të cilat mblidhen dhe më pas shkëmbehen, apo u jepen si ushqim algoritmeve për të parashikuar sjelljet tona të ardhshme. Në Gjenevë është duke u studiuar se si mund të jetë modeli i së ardhmes, se si të mos përqendrohemi më në “konsensusin” për mbledhjen e çdo veprimi tonin apo informacioni, por te vënia në diskutim e të gjithë sistemit.

“Ne kemi nevojë të decentralizojmë web-in e ri, – thotë Berners-Lee. Të gjithë ne kemi ndarë diçka në web dhe këto informacione kanë një vlerë. Këto informacione duhet të lirohen nga një kontroll i jashtëm”.

 

Burimi: Corriere della Sera

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of