“Hakmarrja” e qyteteve të vogla. Edicioni 2018 i European Best Destination (EBD) mbyllet me disa konfirmime, por mbi të gjitha me surpriza të mëdha dhe kjo duket që në fillim të klasifikimit…
Në podium të asaj që mund ta cilësojmë si “Oskari i turizmit europian” gjejmë vende të rëndësishme. Vetëm se përfaqësohen nga qytete që nuk i prisni: Wroclaw (Poloni), Bilbao (Spanjë) dhe Colmar (Francë). Më pas renditen qytete të vogla mesjetare. Megjithatë në 15 Vendet më të Mira Europiane për 2018 nuk mungojnë metropole e kryeqytete të mëdha.
Ky është një tregues se si po ndryshojnë zakonet e shumë udhëtarëve. Destinacioni më i mirë europian për vitin 2018 – një vit më parë ishte Porto – me siguri u thotë pak shumë njerëzve: është Wroclaw, në Poloni – një nga qytetet në zhvillim në Bashkimin Europian, edhe pse është ndër më të vjetrit.
E njohur edhe si “Venecia polake” për shkak të më shumë se 100 urave mbi lumin Oder dhe degëzimeve e kanaleve të shumta. Ato bashkohen në zona të ndryshme të Wroclaw dhe lidhen me 12 ishuj (ndër to spikat Katedralja, një ndër vendet e arkitekturës së shenjtë mesjetare të ruajtura më mirë në Europë).
Simboli i Wroclaw është Sheshi Rynek, me ndërtesat shumëngjyrëshe. Një tjetër simbol është Pallati Municipio, në stilin gotik-rilindës dhe Centennial Hall, një kryevepër arkitekturore në fillim të shekullit XX. Ky peizazh kulturor plotësohet nga teatro, salla koncertesh, muze, festivale muzikorë dhe kinematografikë. Por Wroclaw nuk është vetëm kulturë. Qyteti ka mjaft hapësira të gjelbra: një kopsht zoologjik dhe botanik dhe dhjetëra parqe dhe kopshte.
Nëse ju merr uria, ju këshillojmë “Piwnica Świdnicka”, restoranti më i vjetër në votë. Ju këshillojmë një shëtitje në “Ostrów Tumski”, pjesa e vjetër e qytetit.
Vendi i dytë në klasifikim është qyteti më i madh i Vendeve Baske – Bilbao. Ky është një tjetër destinacion që ka për protagonist artin. E kush nuk e ka dëgjuar Muzeun Guggenheim apo Galerinë e tij të Arteve të Bukura. Ju këshillojmë po ashtu një vizitë në ‘Casco Viejo’, qendrën historike. Edhe Bilbao përshkohet nga lumi Nerviòn dhe laget nga ujërat e detit Cantabrico. Rajoni i verës Rioja dhe qarku i Goeirri janë destinacionet ideale për të gjithë të pasionuarit e turizmit ekologjik dhe eno-gastronomik.
Në vend të tretë është Colman, një qytet francez në rajonin Alsace. Muzeu i Lodrave tërheq çdo vit mijëra vizitorë. Këtu po ashtu është një mini replikë e Statujës së Lirisë. Arsyeja? Projektuesi i saj, Auguste Bartholdi, lindi pikërisht në Colmar.
Në vend të katërt është Ishulli Hvar në Kroaci. Hvar është ndoshta ishulli më i bukur në Europë. Në këtë ishull ndërthuren cilësia e jetës, peizazhet e mrekullueshme, ujërat e kristalta, dielli, gastronomia dhe trashëgimia kulturore.
Kryeqyteti i Letonisë, Riga, është në vend të pestë Riga. Qyteti baltik është për herë të parë pjesë e klasifikimit “European Best Destinations”. Kjo për shkak të natyrës e cila nuk është shkatërruar për të ndërtuar hapësira urbane, por përkundrazi, hapësirat e saj janë zgjeruar: ishuj, plazhe, pyje dhe kodra janë atraksione për turistët.
Sa u përket qyteteve të mëdha në Europë, në vend të 6 është Milano, i vetmi qytet që përfaqëson Italinë këtë vit (në 2017-n, Milano mori medaljen e argjendtë). Milano ka simbolet e saj, ndër të cilat Katedralen Duomo nga ku mund të shijoni gjithë qytetin nga lart. Mund të bëni shopping nga Galerinë Vittorio Emanuele II dhe në dyqanet e saj elegantë, të bëni një piknik në parqet e saj të shumtë dhe të bukur dhe të admironi “Darkpn e fundit” të Da Vinçit në Kishën Santa Maria delle Grazie. Ju mund të shkoni të pini diçka në zonën Navigli në mbrëmje ose në Teatrin “La Scala”.
Pas tij renditen Athina (në vend të shtatë), Budapesti (8), Lisbona (9) dhe Bohinj (Slloveni, 10).
Athina është një qytet historik dhe djep i filozofisë europiane. Turistët e pëlqejnë arkitekturën e saj, zonën Plaka, monumentet, gastronominë, dyqanet e modës si dhe jetën e saj të natës. Afërsia me detin (vetëm 15 minuta nga qendra) e bën Athinën mjaft tërheqëse për turistët.
Budapesti është destinacioni ideal për të shkuar me miqtë, çiftet e reja apo ato që janë bashkë prej shumë kohësh – për historinë, kulturën, muzetë por edhe për shopping natën. Krijues nga e gjithë bota, regjisorë të mëdhenj, por edhe designer, muzikantë frymëzohen nga Budapesti. Të gjithë ata që duan të arratisen për pak ditë, zgjedhin Budapestin. Është një ndër qytetet më të bukura në botë, kur ndërthuren monumente të famshme si Kështjella e Buda-s, Parlamenti, Széchenyi Lánchíd (ura më e vjetër dhe më e famshme në Budapest), Ishulli Margaret etj., dhe një sërë baresh, dyqanesh, kishash e parqesh.
Lisbona ka qenë një ndër destinacionet më të rëndësishme në Europë për shumë vite dhe është qyteti i parë që ka marrë çmimin “European Best Destination” në vitin 2010. Lisbona është një qytet që udhëtarët e zbulojnë dhe vazhdojnë ta zbulojnë – dhe është një destinacion i mrekullueshëm për të gjithë ata që adhurojnë Portugalinë.
Bohinj është klasifikuar ndër destinacionet më të mira europiane që duhet të vizitoni gjatë 2018-s. Janë gjithnjë e më të shumtë turistët që vizitojnë Slloveninë çdo vit – natyra e bukur, pyjet, liqenet, autenticiteti dhe aktivitetet në ajër të pastër – të gjitha këto do t’ju rigjenerojnë energjitë dhe do t’ju shkëpusin nga natyra. Bohinj vlerësohet nga Komisioni Europian për cilësinë e ofertës turistike, respektin për natyrën dhe turizmin e qëndrueshëm.
Në vend të 11 është Praga dhe Kotori (12). Praga nuk është një thesar i fshehur – njerëzit nga gjithë bota e kanë dashur këtë qytet gjithnjë. Është një nga qytetet më të bukura në botë – dhe me këtë është në një mendje edhe UNESCO që e ka shpallur qendrën historikë të Pragës – trashëgimi kulturore. Praga është magjepsëse me ndërtesat e saj, katedralet, kështjellën, muzeun e Kafkës, Urën e Karlit etj.
Kotori është sigurisht qyteti më i bukur në Mal të Zi. Në verë në Kotor mbahen International Summer Carnival me trupa karnavalesh nga gjithë Europa, ndërsa në gusht zhvillohet “parada e barkave në kostum” që e bën gjirin e Kotorit edhe më të bukur. Kotori është një qytet dinamik dhe për të gjithë familjen.
Tre vendet e fundit në “Best European Destination” për vitin 2018 janë Parisi, Vjena dhe Amsterdami.
Parisi nuk është vetëm një koleksion monumentesh, veprash arti por edhe një qytet i gjallë, i dashur me shumë hapësira të gjelbra për të shëtitur. Parisi është sinonim i kulturës, shopping-ut, gastronomisë dhe modës së lartë.
Ka mijëra arsye për ta dashur Vjenën: kultura e saj, monumentet, ndërtesat, muzikën, valsin. Vjena është një qytet që mund ta vizitoni me miq, me njeriun e zemrës, për ata që pëlqejnë të udhëtojnë vetën, ata që kanë pasion fotografinë, për gjithë të dashuruarit gjatë periudhës së Krishtlindjeve (mos humbni Vienna Christmas market i cili është vlerësuar ndër tregjet më të bukura në Europë gjatë periudhës së Krishtlindjeve). Vjena është magjike në çdo kohë të vitit, ka gjithçka gjithmonë diçka që mund të bëni dhe të shihni në Vjenë.
Amsterdami ka tërhequr turistë nga gjithë bota për dekada me radhë. Pse Amsterdami është kaq i suksesshëm? Falë kanaleve të saj romantike dhe mendjes së hapur. Amsterdami ka qenë dhe mbetet një laborator për qytetin e së nesërmes. Holandezët dinë si t’i presin me krahë hapur turistët dhe t’u tregojnë bukurinë e qytetit.