Ish-ylli i Liverpool dhe Real Madridit, Xabi Alonso, është vënë nën akuzë për evazion fiskal nga autoritetet spanjolle dhe mund të dënohet me 5 vjet burgim. Prokurorët thonë se ish-lojtari nuk ka deklaruar rreth 2 milionë euro që lidhen me të ardhurat e fituara nga të drejtat e imazhit.
Të ardhurat lidhen me periudhën 2010 – 2012, kur Alonso aktivizohej për ekipin e Real Madridit. Megjithatë, Alonso, 36 vjeç, i ka mohuar këto akuza.
I njëjti dënim kërkohet edhe për këshilltarin financiar të lojtarit, Ivan Zaldua, si dhe për menaxherin e kompanisë portugeze që pretendohet se Alonso ka përdorur për të shmangur taksat.
Prokurorët kërkojnë të gjobisin ish-lojtarin e kombëtares spanjolle me një shumë prej 4 milionë eurosh, duke këmbëngulur që Alonso të paguajë shumën që i është mohuar zyrës spanjolle të taksave.
Gjykata e Madridit, e ngarkuar me çështjen në fjalë, rihapi hetimet në vitin 2017 dhe tha se akuzat e ngritura ndaj z. Alonso ishin “mjaftueshëm të vërtetuara”. Mesfushori, i cili u bashkua me ekipin e Real Madrid në vitin 2009, është rasti i fundit nga një mori futbollistësh të cilët ndiqen nga autoritetet tatimore në Spanjë.
Futbollistë të tjerë që janë akuzuar për evazion fiskal në Spanjë janë:
Marcelo, mbrojtësi aktual i Real Madrid, u akuzua për evazion fiskal që arrinte shifrën e 490,000 euro, rast që daton në vitin 2013.
Futbollisti i Barcelonës dhe Kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi, të cilit ju dorëzua një mandat pezullimi prej 21 muajsh. Babai i tij Jorge, i cili menaxhonte financat, u dënua gjithashtu.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Javier Mascherano, argjentinas, pranoi evazionin fiskal, duke i shpëtuar burgut me një dënim njëvjeçar të hequr përkohësisht.
Ish-presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, u arrestua në maj të 2017-s si pjesë e një hetimi për pastrim parash.
Lojtari i Real Madrid dhe kombëtares së Portugalisë, Cristiano Ronaldo, i ka mohuar akuzat për shmangien e taksave.
Menaxheri i Manchester United, Jose Mourinho, është akuzuar për disa parregullsi në kohën që ishte trajner i Real Madrid në periudhën 2011 – 2012. Ai gjithashtu i ka mohuar akuzat.
Burimi: BBC