Profesor Selami Xhepa thotë se, në afat të shkurtër, rregullimi i veprimtarisë së bankave në operacionet e tyre me euro duhet të relaksohet, duke ju krijuar atyre më shumë hapësira të ndërmjetësimit të euros dhe të krijojë besim për ruajtjen e vlerës së lekut në afat të gjatë. Ai është një mbështetës i zëvendësimit monetar, pra që vendi të kalojë në përdorimin zyrtar të euros si monedhë kombëtare
Cilat vlerësoni se janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e fortë të euros në tregun vendas dy vitet e fundit, sidomos në 5 muajt e parë të 2018-s.
Logjika e shpjegimit të sjelljes së kurseve të këmbimit që mbështetet tek fondamentet ekonomike argumenton se aktiviteti i tregtisë me jashtë, në mallra dhe shërbime bashkë me lëvizjet kapitale në hyrje dhe në dalje, duhet të përcaktojnë edhe kursin e këmbimit, që mban ekonominë në ekuilibër. Pra, në rast se në vendin tonë, prurjet valutore janë shumë të forta, kjo mbështet tezën se monedha e vendit duhet të jetë e fortë, pasi relativisht oferta e monedhave të huaja (euros) është shumë më e lartë. Në rast se aktivitetet ligjore – pra, tregtia dhe investimet – do të ishin në nivele të tilla të forta, kjo mund të konsiderohej si një zhvillim i natyrshëm.
Në fakt, në këto aktivitete “normale” (ligjore), nuk ka asgjë anormale, eksesive. Importet dhe eksportet, investimet e huaja dhe remitancat janë një normalitet statistikor. Prandaj besoj se sjellja anormale u atribuohet faktorëve anormalë – hyrjeve valutore të forta nga ekonomia e zezë dhe kriminale e trafiqeve të llojeve të ndryshme.
Njëlloj si “sëmundja holandeze” e mesit të viteve ’70, ku të ardhurat shumë të larta në dollarë, që u arkëtuan nga tregtia e naftës së sapozbuluar në Detin e Veriut, duke forcuar ndjeshëm monedhën e tyre, Gulden, rrezikuan të humbisnin bazën e eksporteve të manifakturës, edhe ne jemi duke rrezikuar me monedhën e fortë, të dëmtojmë shumë ekonominë e eksportit, që edhe kaq sa është, është shumë e vogël dhe problematike. Besoj se deri tani kemi pasur mundësinë të përjetojmë tre ndikimet më serioze negative të ekonomisë së kanabisit: dëmtimin e industrive të eksportit, rritjen e krimit në vend dhe rëndimin e problemeve sociale dhe deformimin e proceseve demokratike për shkak të manipulimit të proceseve zgjedhore.
Si një faktor tjetër të rëndësishëm në këto zhvillime monetare do të konsideroja edhe aksionin politik ndaj de-eurozimit të ekonomisë. Është e vërtetë se Shqipëria ka nivele të larta të euroizimit jozyrtar, ku depozitat e qytetarëve në euro zënë më shumë se gjysmën e totalit, ndërsa ato të biznesit më shumë se 60%. Po kështu edhe në krahun e aseteve të sistemit bankar: kredia në euro, edhe pse në rënie, vazhdon të dominojë mbi kredinë në monedhën e vendit. Në këto rrethana të një përdorimi kaq masiv të euros në vend, shqetësimi se politika monetare mund të jetë joefektive si në menaxhimin e cikleve të biznesit, ashtu dhe të krizave të mundshme financiare (pamundësohet funksioni i huadhënësit të radhës së fundit), krijojnë me të drejtë shqetësim mes autoriteteve monetare.
Por, veprimi politik duhet të jetë shumë më i matur dhe të menaxhojë në mënyrë të zbutur një proces riaxhustimi të kurseve, nëse kjo është shqetësuese. Nga njëra anë, Banka e Shqipërisë e ka bërë pothuaj të pamundur, ose shumë të kushtueshme, që bankat në vend të bëjnë biznes me euro – si nga depozitat ashtu dhe nga kredia. Pra, i gjithë ndërmjetësimi në euro në vend është bërë problem për bankat. Kjo bën që bankat të mos gjejnë alternativë përdorimi veçse duke i investuar ato jashtë, në mënyrë që të mbyllin pozicionet e hapura valutore.
Kjo lloj “hinke”, që është krijuar midis një baze të gjerë monetare në euro dhe një përdorimi shumë të kufizuar të saj në treg, nuk ka se si të mos krijonte një çekuilibër të tillë të fortë në tregun valutor. Ky kuadër i rreptë rregullator, bashkë me deklarimet e niveleve të larta për “luftë euros” dhe prurjet shumë të forta nga ekonomia kriminale, po rrezikojnë më shumë destabilitet në tregun monetar të vendit, duke prodhuar kosto të forta për qytetarët dhe ekonominë.
Çfarë masash duhen ndërmarrë në mënyrë që të reduktohet ekspozimi në ekonomi i luhatjeve të forta të kursit?
Kontributi më i mirë që Banka e Shqipërisë mund të bëjë në ekonomi është që të ruajë stabilitetin financiar në vend dhe të krijojë besim për ruajtjen e vlerës së lekut në afat të gjatë. Nëse qytetarët do të shikojnë se ekonomia po rritet shëndetshëm dhe disbalancat që krijohen menaxhohen në mënyrë “smooth”, besimi tek leku në afat të gjatë do të rikthehet. Kjo është rruga e vetme për të ndikuar në afat të gjatë. Në afat të shkurtër, rregullimi i veprimtarisë së bankave në operacionet e tyre me euro duhet të relaksohet, duke u krijuar atyre më shumë hapësira të ndërmjetësimit të euros.
Nga ana tjetër, rreziku i “currency mismatch” që ekziston për shkak se aktiviteti i firmave realizohet në lek, ndërsa kredia shlyhet në euro, kërkon që të zhvillohen instrumente të mbrojtjes nga rreziku i kurseve të këmbimit. Pra, zhvillimi i tregut të kapitaleve duhet të marrë një stimul më të madh. Bankat e huaja që operojnë në Shqipëri janë të familjarizuara me operacione të tilla ‘hedging’, prandaj mund të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtij segmenti të tregut. Për momentin, Banka e Shqipërisë duhet të jetë më aktive në tregun valutor për të mos lejuar që procesi i korrektimit të kursit të këmbimit nëpërmjet fuqizimit të monedhës të kryhet në një mënyrë kaq intensive, duke rrezikuar falimentimin e kompanive eksportuese, të cilat e kanë të pamundur të reduktojnë më tej kostot apo fitimet e tyre.
Si do ta vlerësonit idenë për të përshtatur euron si monedhë kombëtare (në mënyrë të njëanshme siç kanë bërë Kosova dhe Mali i Zi). A do të ishte e realizueshme konkretisht dhe cilat do të ishin avantazhet dhe dizavantazhet?
Personalisht, gjithnjë kam qenë dhe mbetem një mbështetës i fortë i zëvendësimit monetar, pra që vendi të kalojë në përdorimin zyrtar të euros si monedhë kombëtare. Në fakt, siç e thamë, qytetarët tashmë e kanë bërë këtë gjë, pasi kursimet dhe aktiviteti kreditues janë dominuar nga monedha euro. Po ashtu, procesi i formimit të çmimeve të brendshme ndjek logjikën e kursit të këmbimit të euros, pra çmimet efektivisht formohen në euro, pavarësisht se në çfarë monedhe kryhet pagesa. Vendet e vogla, me ekonomi të hapur dhe me tregje të cekëta valutore, vendet me nivele të ulëta të zhvillimit ekonomik dhe me probleme historike të destabiliteteve ekonomike e monetare [për shembull, në brenda një dekadë të viteve ’90, përjetuam vitin 1992 (liberalizimin e çmimeve), 1997 dhe 1998], e kanë një sjellje normale zëvendësimin monetar.
Prandaj, ky është një fenomen i përhapur në ekonomitë e rajonit tonë dhe në ato në tranzicion, në vendet e Amerikës Latine etj. Siç e ka provuar edhe përvoja e Kosovës dhe Malit të Zi, paraja nuk ka qenë as kura shëruese e problemeve të tyre të nënzhvillimit, por as edhe problemi serioz i menaxhimit të disbalancave makroekonomike. Në fakt, ato kanë pasur një problem më pak, atë të rreziqeve të kurseve të këmbimit dhe nevojës për të zhvilluar politika monetare, të cilat më shumë janë një luks i vendeve me kapacitete dhe mundësi për ta shfrytëzuar atë. Luksemburgu, një ndër më të pasurit në botë, nuk ka pasur asnjëherë bankë qendrore. Të pasurit e një banke qendrore gjithashtu nuk është se ka ndihmuar vendet e pazhvilluara të zhvillohen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.