Në nismat sektoriale, dukshëm sektori i turizmit dhe industritë e teknologjive të komunikimit dhe informacionit (ICT) janë të favorizuara. Por turizmi është padyshim më i përkëdheluri, pasi përjashtimet tatimore janë të shumta. Megjithatë, duket se këto ndryshime, përjashtuar zbritjen e normës unike të TVSH-së, janë planifikuar të prekin vetëm një kategori të caktuar biznesi: hotelet me 4-5 yje, të cilat në Shqipëri përfshijnë një numër shumë të kufizuar biznesesh.
Për më tepër, ato që përfitojnë pritet të jenë firmat e mëdha që mund të vijnë në Shqipëri, si Hilton apo ndonjë markë tjetër. Mendoj se përjashtimet që janë dhënë, duke mos ndikuar pjesën më të madhe të operatorëve turistikë, do të kenë efekte modeste. Po kështu, pjesa më e madhe e turizmit në Shqipëri nuk është ajo elitare, por turizmi masiv.
Mënyra se si është konceptuar lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuar fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë siç është industria e shërbimit turistik.
Pra, nëse reduktimi normës së TVSH është pozitive dhe mund të ndikojë në konkurrueshmërinë e sektorit, përjashtimet e tjera janë diskriminuese në raport me segmentet dhe operatorët e tjerë ekzistues. Për shembull, një hotel me 5 yje që sapo është ndërtuar dhe ka filluar të operojë do të jetë subjekt i tatimit mbi fitimin, si dhe ka paguar taksat e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ato që mund të fillojnë vitin e ardhshëm do të jenë të përjashtuar nga këto detyrime.
Metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë gjetur se janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.