Ndonëse të dhënat e të ardhurave tatimore për vitin 2012 sugjeronin që bizneset po kalonin një vit të vështirë, e konfirmuar dhe nga rritja ekonomike minimale prej 1.6%, – më e ulëta e dekadës së fundit – renditja e kompanive më të mëdha për 2012-n dhe krahasimi me një vit më parë tregon se kriza nuk e ka penguar rritjen e të mëdhenjve (që janë kontribuuesit kryesorë në buxhet), sidomos për sa i përket xhiros, ndërsa fitimet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Në total, sipas të dhënave që “Monitor” disponon nga Tatimet, xhiro e kombinuar e 100 sipërmarrjeve më të mëdha në vend shënoi rritje me bazë vjetore prej 11% në 2012-n.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga Tatimet e Doganat shënuan për herë të parë në 2012-n rënie në vlerë absolute prej 1.2%, me të ardhurat nga tatim fitimi që shënuan performancën më negative, me një tkurrje prej 14%, ndërsa ato nga TVSH dhe akciza ranë përkatësisht me 2.2 dhe 10%.
Në fakt, kompanitë e mëdha, ndonëse kanë shtuar ndjeshëm aktivitetin, kanë rezultuar me humbje, apo me fitime minimale, duke “justifikuar” tendencën e dobët të të ardhurave në buxhet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.