Që kur Edi Rama u bë Kryeministër dhe Ilir Meta u zgjodh President me votat e Rilindjes, pritej se çfarë do të ndodhte. Do të ndodhte ajo që po ndodh këto ditë, dy institucionet më të larta të shtetit, janë kthyer në skenat e humorit politik, pa përmbajtje, nëpër rrjetet sociale.
“Kriza” e dytë për mosdekretim të ministrit të Jashtëm, është një spektakël “tallava”, ku të dyja palët kujdesen për audiencën, dhe jo për përmbajtjen, kërkojnë fansa dhe pëlqime në “Facebook” dhe jo zgjidhjen e problemit. Të dy duket se kanë zhveshur kostumin e pushtetit që përfaqësojnë dhe po ushqejnë këto ditë shqiptarët me meme institucionale, duke zhvlerësuar problemet reale që ka vendi.
Arsimi është në zgrip dhe reforma e shkollës së lartë ka dështuar.
Studentët protestues provuan se Shqipëria është në një krizë të thellë sociale dhe të dijes, paçka se u pranua me shuplaka në faqen e Kryeministrit. Mijëra shqiptarë janë larguar dhe ekonomia po lëngon nga mungesa e fuqisë punëtore, ku dhe ajo që ka mbetur është e keqshpërblyer dhe me fuqi blerëse të ulët, pa u rritur prej kohësh.
Nga ana tjetër, zhbërja e Rilindjes dhe makijazhi i ri qeveritar me gjysmën e “ministrave të suksesshëm” të rrëzuar e kanë futur vendin në krizë përfaqësimi. Me gjithë këto probleme të mëdha, por që institucionet më të larta të shtetit nuk i janë qasur seriozisht. I pari, Kryeministri, sapo nisi viti i ri, shkoi tek Ermali për të luajtur xing me humor, për të gjitha çështjet që shqetësojnë shqiptarët. Tani po luan xing edhe me Presidentin, i cili do apo nuk do, pavarësisht çka ai përfaqëson, është pjellë e Rilindjes dhe me sa duket i ka pëlqyer më se një herë ta luajë këtë lojë me ftesë të Kryeministrit.
Disa mendojnë se mosdekretimi i ministrit të Jashtëm është një krizë institucionale. Ne mendojmë që ky është një spektakël politik. Të paktën për dy gjëra: vetë autorët nuk e kanë marrë seriozisht kur duket që në vend të foltoreve institucionale të komunikimit me publikun kanë zgjedhur forumet sociale. Twitter ka zëvendësuar edhe Presidencën, edhe Kryeministrinë.
Nga ana tjetër, të dyja institucionet janë larg problemeve reale që shqetësojnë shqiptarët. Pra kjo është një lojë qesharake politike, ku secila palë kërkon të ketë “fantin në dorë” që t’i mbledhë të gjitha letrat për vete.
Do të duhej të ishte ndryshe. Nëse Kryeministri dhe Presidenti kanë një problem siç është ngërçi për mosdekretimin e ministrit të Jashtëm, të riut nga Kosova, në atë moshë sa çka qenë kryeministër edhe zoti Meta, do të duhej të ishin takuar institucionalisht kokë më kokë për të sheshuar paraprakisht marrëveshjet dhe publikut duhet t’i komunikohej vetëm rezultati pozitiv.
Por, siç duket, asnjërit “profil” nuk i intereson produkti, por gjithë spektakli që shoqëron këto procese, pra “like”-t, që nesër ato të jenë “like” ose “dislike” edhe për votat në zgjedhje.
Ndërkohë fansat e palëve ngjajnë me publikun e televizioneve që paguhen për të duartrokitur. Pjesa e vërtetë e shqiptarëve të shqetësuar kanë mbetur në rrugët koncesionare të bllokuara nga dëbora apo në auditorët e boshatisur të universiteteve ku mungon drita.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.