Firmat arkitekturore janë gjithmonë në luftë të ashpër me njëra-tjetrën për të fituar projektet më të mira. Kjo është edhe arsyeja se përse ato gjithmonë mundohen të dalin me projekte sa më të veçanta duke përdorur materiale të ndryshme në forma sa më inovative apo duke projektuar ndërtesat më të mëdha dhe më të larta në të gjithë botën.
Edhe një prej firmave më të mirënjohura arkitekturore siç është ajo e Zaha Hadid nuk i ka shpëtuar dot kësaj lufte të ashpër brenda llojit.
Studjoja arkitekturore e cila mban emrin e themeluesit të saj, Zaha Hadid me bazë në Angli është ajo që i ka vënë vulën e emrit të saj një prej qiellgërvishtëseve më të larta në zemër të Pekinit, Leeza Soho, e cila ka filluar ndërtimin e një atriumi brenda saj, që do të jetë edhe një prej atriumeve më të larta.
Ai do të jetë 190 metra i lartë dhe duke qenë se kjo ka një formë të lakuar, atriumi do të harkohet 45 gradë dhe do të ketë përballë tij një prej rrugëve më të rëndësishme të Pekinit, Lize Road.
Qiellgërvishtësja Leeza SOHO, shënon edhe bashkëpunimin e katërt midis firmës së arkitektëve Zaha Hadid dhe zhvilluesve kineze SOHO.
Ky është një prej atyre projekteve ku si zhvilluesit ashtu edhe arkitektët synojnë që të marrin një certifikatë të artë LEED. Në këtë atrium që do të ndërtohet, do të përdoren software BIM, një sistem menaxhimi i energjisë në 3D, i cili do të krijojë shumë lehtësi si në monitorimin, ashtu edhe në kontrollimin e klimës brenda SOHO-s.
Punimet kanë filluar dhe pritet të përfundojnë në vitin 2018.