Jo vetëm në majat e larta alpine, por sot mund të praktikosh sportin e skijimit edhe në jug të Italisë, madje gjatë skijimit mund të shijoni edhe pamjet e mrekullueshme që të ofron deti.
Një vend i tillë ku ndërthuren dy elementët e mësipërm është Etna, e cila u zgjua e veshur e gjitha në të bardhë. Skijimi, në një prej vulkaneve më aktivë të pjesës euroaziatike, është një eksperiencë unike dhe e papërshkrueshme.
Etna ndahet në dy pjesë, Etnën e Veriut ose Provenzana-Linguaglossa dhe Enta e Jugut ose Nicolosi. Në pjesën veriore ka 4 pista gjigante skijimi dhe mbi të gjitha një panoramë mbresëlënëse që rrallë e gjen në territorin italian gjatë periudhës së dimrit. Pista Anfiteatro gjendet 2300 metra mbi nivelin e detit, dhe është pikërisht vendndodhja e duhur ku duhet të shkoni nëse doni të mrekulloheni nga kontrasti spektakolar që të fal e bardha e dëborës me blunë e detit të Jonit. Ndërsa Etna e Jugut ka gjashtë pista skijimi.
Çmimet për të kaluar pushimet dimërore të paharrueshme janë vërtet shumë të lira, madje Etna konsiderohet si një prej vendeve më ekonomike, duke u bërë në këtë mënyrë e vizitueshme nga shumë veta. Çmimi për pajisjet dhe veshjet për ski shkon deri në 30 euro/ personi për një ditë të plotë. Ndërsa nëse ju i mbani pajisjet dhe veshjet vetëm për pjesën e parë të ditës, atëherë çmimi zbret në 20 euro/ personi. Çmimet e hoteleve afër zonës së skijimit shkojnë nga 45 në 60 euro/ nata.