Ministria e Financave me një udhëzim të posacëm ka qartësuar procedurat që duhet të përdorë biznesi për të përfituar nga shërbimet e reja online të tatimeve. Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë komunikimin elektronik të tatimpaguesit me administratën tatimore, kushtet, kriteret dhe procedurën për përdorimin e shërbimit të sistemit elektronik tatimor, nga ana e tatimpaguesve. Udhëzimi ka për qëllim të unifikojë dhe të vendosë standartet e përdorimit të shërbimit të sistemit elektronik tatimor, me anë të së cilit, administrata tatimore i njofton tatimpaguesit:
a)vlerësimet tatimore;
b)aktet e kontrollit tatimor, si procesverbale, projektraporte kontrolli, raporte përfundimtare të kontrollit etj.
c)vendimet e nxjerra nga Drejtoria e Apelimit; dhe
d)çdo dokument tjetër apo çdo akt administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore kundrejt tatimpaguesit.
1.1 Në komunikimet elektronike që transmetohen nëpërmjet shërbimit të sistemit elektronik tatimor, duhet të ruhet ekulibri ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve të tatimpaguesve dhe administratës tatimore. Administrata tatimore është e detyruar të ruajë konfidencialitetin e të gjitha të dhënave me natyrë tatimore dhe financiare, vlerësimet tatimore që ai ka kryer, kontrollet e ushtruara, si dhe çdo información tjetër të marrë vetë nga tatimpaguesi apo nga burime të tjera. Administrata tatimore nuk konsideron si të dhëna konfidenciale, ato të dhëna që nuk konsderohen të tilla sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të dhënat që kanë të bëjnë me detyrimet tatimore të papaguara, për të cilat ka filluar mbledhjen me forcë të tyre.
1.2Ky Udhëzim ka për qëllim të përcaktojë edhe kushtet dhe kriteret, që tatimpaguesit duhet të plotësojnë, për të komunikuar, nëpërmjet shërbimit të sistemit elektronik tatimor, me administratën tatimore, me qëllim për të dërguar, transmetuar deklaratat tatimore, si dhe çdo dokument tjetër që tatimpaguesi duhet të deklarojë, apo t’i komunikojë administratës tatimore.
2.Kushtet dhe kriteret
– Kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë Udhëzim, janë të vlefshme për t’i mundësuar tatimpaguesve marrjen e aksesit dhe për të përdorur sherbimin e sistemit elektronik tatimor. Për të patur akses në shërbimin e sistemit elektronik tatimor dhe për ta përdorur atë, tatimpaguesi është i lejuar, të përdorë shërbimet e ofruara nga sistemi elektronik tatimor, vetëm nëse ai bie dakort të pranojë kushtet dhe kriteteret e përdorimit të këtij sistemi.
– Kushtet dhe kriteret për të patur akses dhe për të përdorur shërbimin e sistemit elektronik tatimor, janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore që rregullojnë detyrimet e tatimpaguesit, të punonjësve të administratës tatimore, si dhe agjentëve tatimorë.
3. Sherbimi “e-tax”
-Per qëllim të këtij Udhëzimi, shërbimet nëpërmjet sistemit elektronik tatimor të tatimpaguesve, që në vijim të këtij Udhëzimi do t’i referohemi si shërbimi “e-tax”, janë shërbimet dhe funksionet që mundëson ky sistem, i cili konsiston në ofrimin e shërbimeve të mëposhtme, por jo duke e kufizuar vetëm në to:
a)-Regjistrimin e tatimpaguesit si përdorues për të patur akses në sistem, në vazhdim referuar “e-user”;
b) Regjistrimin e tatimpaguesit për llojin e tatimeve, referuar në vazhdim “e-registration”
c) Deklarimin, kompesimin dhe dokumentat e nevojshem, referuar në vazhdim “e-filing”.
d) Pagesat e detyrimit tatimor, referuar me poshte si “e –payment”.
-Të gjitha të drejtat për të hyrë dhe për të përdorur “e-tax”, tatimpaguesi i merr nëpërmjet përdorimit të një kompjuteri personal, dhe pasi ai të ketë konfirmuar se pranon dhe është dakort me të gjitha specifikimet që përmbajnë kushtet dhe kriteret e përdorimit të sistemit, si dhe çdo ndryshim të tyre, të bërë më vonë nga ana e administratës tatimore.
4.Përkufizime
Në kuptim të këtij Udhëzimi termat e mëposhtme do të kenë këto kuptime:
“e-tax”, nënkupton sistemin elektronik tatimor, i cili përbëhet prej pajisjeve, grup pajisjesh apo pajisje të lidhura, ku njëra ose më shumë prej tyre janë vazhduese dhe që kryejnë një proces automatik të transmetimit të të dhënave. Shërbimi “e-tax” konsiston në një sistem të mbyllur on-line ndërveprues me sistemin e proceseve të taksimit në back office të administratës tatimore.
“akses”, nënkupton bërjen të disponueshme të lehtësive dhe/ose shërbimeve të tatimpaguesit, sipas kushteve të përcaktuara, në baza ekskluzive ose joekskluzive, për sigurimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike nëpërmjet shërbimit “e-tax”
“Metoda e pranueshme e komunikimit”, nënkupton informacionin e shkëmbyer, transmetuar nga administrata tatimore me tatimpaguesit dhe anasjelltas, në mënyrë të shkruar, ose duke përdorur lehtësitë që sjell shërbimi “e-tax”, ku përfshihet komunikimi nëpërmjet e-mail-it, fax-it dhe formave të tjera të ofruara nga shërbimi “e-tax”.
“Kodi i aksesit”, nënkupton emrin, fjalëkalimin, dhe çdo kuptim tjetër për të patur akses në sistemin “e-tax”, të ofruar nga administrata tatimore të “e-user”, që i jep akses në sherbimet e ofruara nga “e-tax” .
“informacion konfidencial”, nënkupton çdo informacion që administrata tatimore, ka në lidhje me njësinë ekonomike të “e-user”, dhe në lidhje me informacione të tjera të dërguara, transmetuara në shërbimin “e –tax”, i cili përfshin, por jo vetëm duke u kufizuar në to, çdo informacion për llogarinë “e-user”-it, si dhe çdo informacion lehtësisht i aksesueshem që përfton organi tatimor nga tatimpaguesit.
“Instruksione” nënkupton të gjithë pyetjet dhe kërkesat për kryerjen e veprimit nga e-user tek administrata tatimore në çdo mënyrë lehtësisht të komunikueshme, sikurse parashikohet në këto kritere dhe kushte.
“DPT”, nënkupton administratën tatimore.
“Password”, nënkupton fjalëkalimin e “e-user”-it, për të hyrë dhe për të patur akses në shërbimin “e tax”.
“Tax account”, nënkupton çdo llogari të tatimeve që mbahet nga administrata tatimore, në lidhe me detyrimin tatimor të “e-user”.
“Kushte dhe kritere”, nënkupton kushtet dhe kriteret të dhëna në këtë Udhëzim, si dhe ato që mund të ndryshohen apo të rishikohen nga administrata tatimore në çdo kohë.
“Udhëzues për përdoruesit”, nënkupton dokumentin, që administrata tatimore i jep “e-user”, në mënyrë elektronike, digitale, me e-maile të rregullta ose në dorë. Në të përfshihet informacion, procedura dhe kërkesa në lidhje me përdorimin e shërbimit “e-tax”.
“User iD”, nënkupton nje kod identifikues i dhënë “e-user”-it dhe që përdoret bashkë me fjalëkalimin, dhe që siguron indetifikimin dhe autentitetin e një personi që kërkon të hyjë në shërbimin “e-tax”.
5- Regjistrimi në shërbimin “e-tax”.
-Personi, i cili kërkon të hyjë në shërbimin “e-tax”, për ta përdorur atë, duhet të plotësojë paraprakisht, formularin e aplikimit me të gjithë dokumentat shtesë të kërkuara nga sistemi, si dhe t’i nënshkruajë ato në formën e kërkuar. Kërkesat e mësipërme kryhen duke u paraqitur vetë në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, ose duke plotësuar të dhënat e kërkuara, me anë të shërbimit fillestar të regjistrimit, të dhëna në shërbimin “e- tax”.
-Për të kryer regjistrimin si e”e-user”, sipas parashikimit të pikës 5.1 të këtij Udhëzimi, personi duhet të paraqesë, aktin e regjistrimit të tij si si tatimpagues, dokumentin e identifikimit, nëse është person fizik, si dhe çdo dokument shtesë që i kërkohet nga sistemi i shërbimit ”e-tax”. Nëse personi që kërkon të hyjë në sistemin e shërbimit “e-tax” nuk është tatimpgaues, ai duhet të paraqesë kërkesën me anë të së cilës të shpjegojë faktin, se përse ai kërkon të jetë përdorues i sistemit, si dhe kopje të dokumentavetë tij të identifikimit.
-Personi përgjegjës i autorizuar i Drejtorisë Rajonale Tatimore, është personi, i cili bën vlerësimin e aplikimit për “e-user”-in, dhe që i bashkëngjit aplikimit dokumentat e kërkuara, sipas pikës 5.1 dhe 5.2 të këtij Udhëzimi.
-Aktivizimi i llogarise së regjistruar të “e-user”-it do të bëhet (hapet) mbas 24 orëve, nga momenti, që është bërë aprovimi i formularit të aplikimit, i plotësuar sipas kërkesave të pikës 5.1 të këtij Udhëzimi.
-Pas regjistrimit formal në shërbimin “e-tax”, “e-user”-it, tatimpaguesit i jepet një “User iD”, ose indetifikime të tjera të dhëna nga Drejtoria Rajonale Tatimore, në lidhje me regjistrimin e llogarisë së “e-user”-it.
-Pas miratimit të “e-user”-it, ai mund të përdorë nje passëord (fjalëkalim) të përkohshëm për të patur akses në shërbimin që është i regjistruar. “e-user”-i ka të drejtë, të ndryshojë passëordin (fjalëkalim) e përkohshëm të hyrjes për herë të parë në shërbimin “e-tax”.
-“User iD” së bashku me passëordin (fjalëkalimin), përdoren për të patur akses në regjistrimin në shërbimin “e-tax” të “e-user”-it.
6-Password (Fjalëkalimi)
Passëordi (fjalëkalimi) i jepet për përdorim eskluziv “e-user”-it të shërbimit “e-tax”, në përputhje me kushtet dhe kriteret dhe/ose udhëzimet e dhëna nga ana e Drejtoria Rajonale Tatimore. Passëordi (fjalëkalimi) nuk bëhet i njohur për publikun, apo për çdo person tjetër në çfarëdo rrethane. Administrata tatimore është e çliruar nga përgjegjësia e saj dhe nga çdo lloj detyrimi apo përgjegjësie, në rastet kur marrja dijeni e të tjerëve për passëordin (fjalëkalimin), është si rrjedhojë e dhënies së passëordit (fjalëkalimit) për përdorim nga persona të tretë, dhënie kjo e bërë me ose pa autorizimin e “e-user”-it.
-“e-user”-i duhet të tregojë dhe të veprojë me kujdesin e nevojshëm për mbajtjen dhe përdorimin e të dhënave të çertifikuara të “e-user”-it, si dhe është vetë përgjegjës për çdo pasojë që mund t’i vijë atij nga përdorimi prej tij, apo nga ndonjë person i tretë “e-user”.
-Çdo e dhënë, dokument apo informacion, të përcjella nga “e-user”-i, në çdo rrethanë ose kohë, me ose pa autorizimin e tij, janë ato që vendosen dhe dërgohen, transmetohen nga “e-user”-i. Admninistrata tatimore regjistron të gjitha trasaksionet e përdorimit, si dhe passëordin (fjalëkalimin) e aksesit në shërbimin “e-tax”, kur një gjë e tillë është kryer sipas instruksioneve të autorizuara të “e-user”-it. Administrata tatimore nuk është përgjegjëse në rastin e kryerjes së një transaksioni jo të autorizuar.
-Per sigurinë e “e-user”, administrata tatimore, në mënyrë atomatike, bën të pamundur aksesin në llogarinë e “e-user”-t ne rastin e përdorimit gabim 4 herë njera pas tjetrës të passëordit (fjalëkalimit). Në këtë rast, aksesi në shërbimin “e-tax” pezullohet dhe ndalohet në mënyrë automatike. Për t’u ripranuar si përdorues i shërbimit dhe për të riaktivizuar sherbimin, “e-user”-i duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, me anë të të cilës, të kërkojë riaktivizimin e llogarisë së tij nga administrata tatimore.
7-Procedurat e sigurisë
-Në përdorimin e shërbimit “e-tax”, “e-user”-i është i detyruar të ndjekë të gjitha procedurat e sigurisë dhe kerkesat e dhëna nga administrata tatimore ne instruksionet e përdoruesit, si dhe çdo ndryshimi në të ardhmen, që mund t’u bëhet kërkesave dhe procedurave.
-Të gjitha përgjegjësitë, që mund të vinë nga përdorimi i gabuar, apo nga persona të paautorizuar, janë në ngarkim të “e-user”-it, i cili është vetë përgjegjës, për të marrë të gjitha masat për parandalimin e përdorimit fallco ose të paautorizuar në “e-user” akses dhe/ose në të dhëna të tjera të siguruara.
– “e-user”-i duhet të marrë çdo masë me qëllim forcimin e sigurisë, integritetin e instruksioneve dhe veprimeve që ai kryhen gjatë përdorimit të shërbimit “e-tax”. Kjo përfshin, por jo duke u kufizuar vetëm në to, sigurimin që mjetet elektronike të “e-user”-it të mos lihen pa u parë gjatë hyrjes në shërbimin “e-tax”, sigurimi i mjeteve të daljes së menjëhershme, mbas kryerjes së veprimeve në çdo përdorim, dhe mos përdorimi i asnje informacioni personal indetifikues, gjatë krijimit të shkurtimeve ose të informacioneve te sigurisë së “e user”-it, me anët të të cilave ai krijon aksesin në shërbimin “e-tax”.
-“e user”-i duhet të njoftojë menjëherë organin tatimor, në rast se ai :
a)ka frikë ose dyshimin se passëordi (fjalëkalimi) i tij është i njohur për persona të tretë të paautorizuar prej tij;
b)ka gjetur, ose dyshon për parregullsi në përdorimin e shërbimit “e-tax”;
c)i ka humbur ose i është vjedhur kompjuteri, ose në çdo rast tjetër kur është përpara një rreziku të hapur për ndërhyrjen në kompjuterin e tij.
-“e user”-i nuk ka përgjegjësi për instruksionet e dhëna nga administrata tatimore nëpërmjet njoftimeve. Në momentin kur, administrata tatimore konstaton se problemi është zgjidhur, apo është kundërshtuar, si dhe kur konstaton se “e user”-i ka marrë njoftim për këtë zgjidhje, atëhere atij mund t’i kerkohet, që të bëjë ndryshime në emrin e përdoruesit (user name).
8-Disponueshmeria e Shërbimit “e-tax”
-Shërbimi “e tax” është i disponueshem si një interfaqe (ëebsite), e cila është e disponueshmë për t’u përdorur nga një PC adekuate. Kërkesat minimale per ekranin jane 1024×768 pixels. Sherbimi “e-tax” operon në versionet e internet Explorer, Google Chrome dhe Mozilla. Sherbimi “e-tax” nuk është i disponueshem në paisje të tjera, si telefona, pavarësisht nga lloji i tyre.
-Sherbimi “e-tax” është i disponueshëm per “e-user”-at 7 ditë të javës, 24 orë në ditë. Shërbimi “e-tax” mund të ndërpritet me ose pa lajmërim, për shkak të problemeve të sistemit, të telekomunikacionit, elektrike ose interneti dhe per çdo shkak tjetër, i cili është jashtë kontrollit të administrates tatimore. Problemet e sherbimit “e-tax” nuk shkarkojnë nga pergjegjesia “e-user”-in nga përmbushja e detyrimeve të tij kundrejt administrates tatimore.
-Kryerja e pagesave në formë elektronike nëpërmjet shërbimit “e-tax” sigurohet nga administrata tatimore nëpërmjet 4Cs karta kredit/debiti dhe shërbimeve të tjera bankare. “e-user”-i, i cili dëshiron të perdorë pagesën elektronike konsiderohet si personi, i cili ka pranuar kriteret e kushtet e 4Cs. Administrata tatimore në asnjë rrethanë nuk është përgjegjëse për çdo kosto, dëmtim të kartave, apo vonesë ose jo të disponibilitet të shërbimit 4Cs.
-Kushtet dhe kriteret e marrjes dhe përdorimit të kartave 4Cs janë në aneksin 1 të këtij Udhëzimi, të cilat i jepen “e-user”-it dhe janë pjesë përbërese e kushteve dhe kritereve të përdorimit të tyre. Në momentin e nënshkrimit këtij dokumenti nga “e-user”-i, konsiderohen se “e-user”-i i njeh dhe i pranon edhe kriteret dhe kushtet për përdorimin e pagesës nëpërmjet kartave 4Cs.
-Shërbimi “e-tax” është një shërbim, i cili sigurohet nga sistemi elektronik tatimor, që përbëhet prej pajisjeve, grup pajisjesh apo pajisje të lidhura, ku njëra ose më shumë prej tyre janë vazhduese dhe që kryejnë një proces automatik të transmetimit të të dhënave. Shërbimi “e-tax” konsiston në një sistem të mbyllur on line ndërveprues me sistemin e proceseve të taksimit në back office të administratës tatimore. Në rast se, back office nuk sjell lehtësira, shërbimi “e-tax”, administrata tatimore duhet të informojë “e-user”¬in, që instruksionet e marra nga “e-user”-i, do të procesohen në një periudhë të mëvonshme.
9-Mënyra e komunikimit dhe afatet
-Administrata tatimore pranon, pa asnjë kufizim, të gjitha veprimet e dërguara, transmetuara, nëpërmjet komunikimit elektronik të tatimpaguesit me administratën tatimore, duke i konsideruar këto komunikime me të njëjtën vlefshmëri sikurse komunikimi të ishte kryer me metodat tradicionale të dorëzimit të tyre në mënyrë personale tek administrata tatimore, apo nëpërmjet shërbimit postar.
-Tatimpaguesi, “e-user”-i, është i detyruar të pranojë pa asnjë kufizim, çdo vlerësim tatimor, aktet e kontrollit tatimor, duke përfshirë projektraporte kontrolli, raporte përfundimtare të kontrollit, etj., vendimet e nxjerra nga Drejtoria e Apelimit; dhe çdo dokument tjetër apo çdo akt administrativ të nxjerrë nga administrata tatimore kundrejt tatimpaguesit, të cilat i komunikohen në rrugë elektronike. Komunikimi i akteve apo dokumentave sa më sipër do të konsiderohen me të njëjtën vlerë, sikurse ato t’i ishin komunikuar tatimpaguesit me metodat tradicionale të dorëzimit në mënyrë personale, ose nëpërmjet shërbimit postar.
-Administrat tatimore dhe tatimpaguesi (“e-user”-i), nuk mund të paraqesin pretendime, dhe nuk mund të konsiderojnë si të mosmarrë nëpërmjet komunikimit elektronik, një veprim të kryer, kërkesë për kryerje veprimi, ose çdo mesazh, njoftim, dokument apo çdo akt administrativ, me përjashtim të rastit kur ky problem ka ardhur si pasojë e difekteve teknike të shërbimit “e-tax” .
-Me përjashtim të rastit të kryerjes së veprimet të pagesës elektronike (“e-payment”), çdo instruksion, veprim i kryer, kërkesë për kryerjen e një veprimi, pyetje, njoftim dhe çdo dokument të ardhur ose të dërguar nga shërbimi “e-tax” do të nënshkruhet elektronikisht nga ana e administratës tatimore për shërbimin “e-tax”.
-Konsiderohet si moment i dërgimit të dokumentit elektronik, koha kur dokumenti elektronik del nga sistemi kompjuterik i dërguesit dhe hyn në sistemin kompjuterik, që nuk është nën kontrollin e dërguesit apo nën kontrollin e një personi të autorizuar prej tij.
-Konsiderohet si moment i marrjes së dokumentit elektronik, koha kur dokumenti elektronik hyn në sistemin kompjuterik të marrësit dhe/ose në sistemin kompjuterik të personit të autorizuar prej tij.
-Konfirmimi i marjes së dokumentit nga ana e administrates tatimore dhe tatimpaguesit, do të konsiderohet momenti i dërgimit të konfirmimit, përfshirë këtu edhe konfirmimin automatik të marrjes nga sistemi kompjuterik si i marrë, por në çdo rast si afat i vlefshëm, që konsideron të marrë dokumentin, pavarësisht nga marrja apo jo e konfirmimit, do të jetë dita e 10 nga data e nisjes (dërgimit) së dokumentit.
-Si kohë e vlefshme, do të merret data dhe ora e sistemit elektronik tatimor sipas standardit të matjes së orës zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
10-Shërbimi elektronik tatimor (e-tax)
-Shërbimi elektronik tatimor konsiston në një sistem të mbyllur on line i cili përbëhet prej pajisjeve, grupi pajisjesh apo pajisje të lidhura, ku njëra ose më shumë prej tyre janë vazhduese dhe që kryejnë një proces automatik të transmetimit të të dhënave. Shërbimi “e-tax” konsiston në një sistem të mbyllur on line ndërveprues me sistemin e proceseve te taksimit në back office të administrates tatimore
-Sistemi elektronik tatimor i komunikimeve elektronike ofron shërbimet e mëposhtme:
– regjistrimin e tatimpaguesit si “e user”;
– regjistrimin on line të tatimpaguesit;
– plotësimin elektronik të deklaratave
– pagesën elektronike të tatimit
– dërgimin e informacionit elektronik
– shërbimin “e-tax të ndihmës” (Help Desk)
Regjistrimi i taimpaguesit si “e user”
-Ky funksion është i përdorshëm për çdo tatimpagues, që dëshiron të bëhet pjesë e funksioneve të shërbimit “e- tax”. Çdo subjekt tatimpagues, apo çdo individ i regjistruar në shërbimin “e-tax”, mund të përdor funksionet e shërbimit “e-tax”, në interesin e tij, ose të kryejë veprime të ndryshme, në emër dhe për llogari të një personi fizik a juridik , nëse është i autorizuar prej tyre.
-Administrata tatimore pranon të regjistrojë në shërbimin “e-tax”, çdo delegim ose autorizim për përfaqësim, të dhënë me prokurë apo çdo akt tejtër përfaqësimi, dhe ky regjistrim është i pakushtëzuar, nën përgjegjësinë e kërkesës për përfaqësim. Kjo përgjegjësi përfshin pa kufizime, nënshkrimin e aksesit të të drejtave të tatimpaguesit, dhe periudha e vlefshmërisë së këtij regjistrimi është deri në përfundimin e afatit të prokurës apo aktit të përfaqësimit të dhënë.
-Një “e-user” (tatimpagues) i regjistruar mund të kërkoj të përfaqësohet nga një “e-user” tjetër on line, duke dërguar kërkesën në formën e kërkuar tek administratori i shërbimit “e-tax” pranë administrates tatimore. Forma e kërkesës për përfaqësim sipas kësaj pike, është sipas modelit bashkangjitur këtij Udhëzimi. Revokimi i akteve të përfaqësimit për regjistrimin on line të tatimpaguesit si “e-user” bëhet sipas modelit të kërkesës bashkangjitur këtij Udhëzimi.
-Një subjekt tatimor i regjistruar si “e-user”, për të patur një përfaqësues, të njësisë së tij ligjore të regjistruar në administratën tatimore, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim për përfaqësim tek administratori i shërbimit “e-tax”. Kërkesa për regjistrimin e përfaqësimit sipas kësja pike, bëhet me anë të formularëve të parashikuar në pikën 10.3.3 të këtij Udhëzimi. Shëmbulli i plotësimit dhe i dërgimit të formularit jepet në shtojcën 1 të këtij Udhëzimi.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user” në shërbimin “e-tax”, ose një tatimpagues i regjistruar në administratën tatimore, mundet që në parim të kërkojë dhe të mbajë një numër të pakufizuar të përfaqësuesve, që janë përfshirë në piken 10.3.2. të këtij Udhëzimi P.sh një shoqëri tregtare mund të autorizojë një ose disa nga të punësuarit e saj, me të drejtën e aksesit të njëjtë, ose të ndryshëm të subjektit tatimpagues, kur ata përfaqësojnë këtë shoqëri tregtare.
-Personi, i cili përfaqëson një shoqëri tregtare me të drejtën e aksesit në shërbimin “e-tax”, mund të kërkojë dhe/ose të delegojë aktin e tij të përfaqësimit të tij, tek një “e-user” tjetër, pavarësisht faktit se ky “e-user” është i regjistruar si tatimpagues në administratën tatimore. Duke përdorur këtë mundësi të shërbimit “e-tax”, në mbështetje të parashikimeve te pikës 10.3.2 të këtij Udhëzimi, administratori i një shoqërie tregtare, mund të kërkojë shërbimin e përfaqësimit nga jashtë shoqërisë, si psh një kontabilist i miratuar, këshilltar ligjor etje..
-Çdo përfaqësues, i emëruar ose i caktuar, sipas parashikimeve të këtij Udhëzimi, bëhet aktiv në shërbimin “e-tax”, vetem nëpërmjet një konfirmimi me shkrim të dhënë nga ana e personit, që i është kërkuar që të bëhet përfaqësues i tij. Personit, të cilit i kërkohet dhënia e konformimit si më sipër, ka të drejtë të aprovojë, ose refuzojë çdo kërkesë për përfaqësim on line.
-Në parim, një “e-user”, i regjistruar, mund të përfaqësojë një numër të pakufizuar të “e-user”-ave të tjerë, si dhe/ose tatimpaguesit e paregjistruar si “e-user” në shërbimin “e-tax”. Administrata tatimore nuk është përgjegjëse në asnjë rast dhe rrethanë, për çfarëdo veprimi të kryer nga ana e personit, i cili përfaqëson një tatimpagues të regjistruar si “e-user”, në shërbimin “e-tax”.
Regjistrimi on line i tatimpaguesit
-Funksioni i shërbimit të regjstrimit on line në shërbimin“e-tax”, është një funksion, që i mundësohet vetëm tatimpaguesve, të cilët janë regjistruar më parë si “e-user”, pavarësisht faktit, nëse jane të lidhur me detyrimin e regjistrimit të tatimpaguesit në emër të vet, ose nëse ata janë regjistruar si përfaqësues të një “e-user” tjetër, ose të një tatimpaguesi të regjistruar në administratën tatimore.
-Për të përfituar shërbimin e regjistrimit on line, një “e-user” i regjistruar mund të përgatisë dhe të dërgoj on line tek administrata tatimore, formularin e aplikimit për regjistrimin për herë të parë si tatimpagues individual. Regjistrimi i një tatimpaguesi joindividual nuk mund të pranohet për regjistrim.
-Për të përftuar shërbimin e regjistrimit on line, një “e-user” i regjistruar mund të përgatisë dhe të dërgoj on line tek administrata tatimore, formularin e aplikimit, për regjistrimin e çdo tip tatimi specifik. Nëse regjistrimi për tipet e tatimeve rezulton i sukseshëm, moduli i regjistrimit të shërbimit “e-tax” i dergon elektronikisht aplikuesit konfirmimin e regjistrimit dhe çertifikatën e pranimit.
-Për të përftuar shërbimin e regjistrimit on line, një “e-user” i regjistruar mund të kërkojë edhe të shikojë të dhënat e regjistruara dhe dërguara në përputhje me pikat 10.4.2 dhe 10.4.3, si dhe ka të drejtë të ndryshojë fushat e përzgjedhura prej tij, sipas proceduarave të kërkuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
-Funksioni çregjistrimit të tatimpaguesit nuk mund te kryhet nëpërmjet shërbimit on line të sistemit “e-tax”.
-Plotësimi elektronik të deklaratave
-Funksioni i plotësimit on line i deklaratave tatimore, është një funksion, i cili i ofrohet vetem për “e user”-at e regjistruar, si në rastin kur përdorin këtë funksion për të deklaruar detyrimet e tyre, ashtu edhe kur ata veprojnë në emër të tyre, ose si përfaqësues të një “e-user”-i tjetër, ose të një tatimpaguesi tjetër të regjistruar në administratën tatimore.
-Një tatimpagues i regjistruar si “e-user” mund të përgatisë dhe të dërgojë on line tek administrata tatimore, tipe të ndryshme të deklaratave tatimore, që mund të përfshijnë deklaratën për të ardhurat personale, tatim fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar, listpagesat etj..
-Nëse subjekti tatimpagues i regjistruar si “e-user” në shërbimin “e-tax” ka vështirësi në përpilimin dhe plotësimin e deklaratave të tija tatimore, ai mund të bëjë përgatitjen dhe plotësimin e deklaratave të tija me disa faza, p,sh draft deklarata të plotësuar pjeserisht mund të ruhen për një kompletim të mevonshem, dhe dërgimet ose formulat e përgatitura më parë në formën e një drafti mund të fshihen, dhe të përgatisë apo të plotësojë nje draft të ri deklarimi.
-Funksioni i plotësimit elektronik të deklaratave, siguron një kontroll të plotë, formal, arithmetik dhe logjik, për të mundësuar përgatitjen sa më të lehtë të deklaratave tatimore në formë elektronike, nëpërmjet udhëzimeve apo instruksioneve më karakter ndihmues, që jep vetë shërbimi “e-tax”. Si nje tipar plotësues, për të bërë të thjeshtë përgatitjen e deklaratës, funksionet e plotësimit elektronik mundësohen nëpërmjet, plotësimit të formularëve të deklaratës me të gjithë të dhënat kërkuara nga ana e organit tatimor, si p.sh. emrin, adresën, numrin e telefonit dhe çdo informacion bazë të kërkueshëm.
-Gjatë procesit të dërgimit të suksesshëm të deklarimit të tatimeve, moduli i përmbushjes së shërbimit “e-tax” duhet të kthejë në llogarinë e përdoruesit në rrugë elektronike konfirmimin e pranimit të deklarimit, së bashku me komente përkatëse, nëse ka të tilla. i njëjti konfimim dhe koment do të dërgohet edhe në adresën elektronike postare (e-mail), nëse tatimpaguesi ka deklaruar një të tillë.
– Në kuptim të përdorimit të funksionit të deklarimit on line të deklaratave tatimore, një perdorues i regjistuar si “e-user”, ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë të marrë informacion për gjendjen e detyrimeve tatimore të tij. Në varësi të statusit që është në proces të sistemit të back office në organin tatimor, balanca e detyrimeve të dërguara kërkuesit përditësohet me veprimin e kryer të fundit. Në varësi të gjendjes operacionale të sistemit të back off në organin tatimor, “e user”-i mund të këshillohet, që të kërkojë gjendjen e balancës së detyrimeve tatimore në një kohë të mëvonshme.
-Nëpërmjet funksionit të deklarimit on line të deklaratave tatimore, një tatimpagues i regjistruar si “e-user” mund të ndryshojë një deklarim të dërguar, sipas procedurave të përgjithshme që kërkohen nga shërbimi “e-tax”, duke ju përmbajtur të njëjta parimeve dhe rregullave që parashikohen për ndryshimin e deklaratave të dërguara administratës tatimore në rrugën tradicionale, atë të dorëzimit të deklaratave tatimore në formën e një dokumenti shkresor tek administrata tatimore.
-Gjatë procesit kompletimit të deklaratës të procesuar, nga sistemi i shërbimit “e-tax”, “e-user”-it do t’i dërgohet në rrugë elektronike, Urdhër Pagesa, e cila do të përdoret për pagimin e detyrimit tatimor të nxjerrë, sipas vlerësimit të bërë në bazë të deklaratës tatimore, të dërguar nga tatimpaguesi (“e-user”). Në momentin e gjenerimit dhe dërgimit të Urdhër Pagesës, gjendja e detyrimeve tatimore të tatimpaguesit duhet të përditësohet, duke përfshirë edhe veprimin e fundit, që ka sjellë për pasojë dërgimin e Urdhër Pagesës, dhe që përmban pagesën që ka dalë sipas vlerësimit, që i është bërë detyrimit tatimor që do të paguhet.
Pagesa elektronike e tatimit
-Funksioni i shërbimit të pagesës elektronike të tatimit, është një funksion që i ofrohet tatimpaguesit të regjistruar si “e-user”, vetëm nëse ai ka deklaruar dhe ka pranuar të paguajë në formë elektronike detyrimet tatimore vetë, ose si një përfaqësues i një “e user” tjetër, ose i një tatimpaguesi të regjistruar në administratën tatimore.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e user”, në kuptim të funksionit të shërbimit të pagesës së tatimit on line, mund të përgatisë on line dhe të paguajë çdo tatim, për të cilin ai është regjistruar, pavarësisht vlerësimit të tatimit të marrë në rrugë elektronike, ose nëpërmjet dërgimit në formën shkresore të dokumentit të vlerësimit në adresën e tij.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user”, mund të përgatisë on line dhe të paguajë një sasi shumë më të madhe, e cila mund të përdoret për të shlyer detyrimet tatimore të papaguara më parë, në përputhje me procedurat ligjore të organit tatimor, si dhe për mbulime të detyrimeve të ardhshme të radhës dhe prioriteteve të tatimeve. Çdo shumë e paguar tepër nga tatimpaguesi, dhe që gjendet në llogarinë e tij të krijuar për pagesat online, konsiderohet si shumë që është e depozituar për t’u përdorur, me qëlllim kryerjen e pagesave për detyrimet e ardhshme tatimore.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user”, mund të zgjedhë për të paguar nëpërmjet përdorimit të një karte krediti ose debiti, ose nëpërmjet transferimit të shumës së detyrimit nga llogaria e tatimpaguesit. Pas kryerjes së pagesës, moduli i “e- payment” do të dërgojë automatikisht tek “e-user”-i, dokumentin, që vërteton kryerjen e pagesës , si dhe të dhënat e pagesës do të dërgohen për procesim tek back office i shërbimit të sistemit elektronik në administratën tatimore. Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user”, ka të drejtë të marrë në do kohë informacion, në lidhje me situatën e tij tatimore, si dhe për detyrimet e tij tatimore të ardhshme.
Dërgimi i informacionit elektronik
-Shërbimi i dërgimit të informacionit, është i vlefshëm dhe ofrohet vetëm për “e-user”-at e regjistruar, pavarësisht faktit, nëse ata veprojnë në emër dhe për llogari të tyre, apo si përfaqësues të një “e-user”-i tjetër, apo të një tatimpaguesi, i regjistruar si i tillë në administratën tatimore.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user”, ka të drejtë të marrë në çdo kohë çdo informacion të përgjithshëm, që administrata tatimore u dërgon “e-user”-ave të tjerë.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user” mund të marrë nëpërmjet shërbimit “e-tax”, njoftime personale formale, duke përfshirë, por jo kufizuar vetëm në to, vlerësim tatimor, informacione, kujtesa dhe formularë të ndryshëm nga ana e administratës tatimore.
-Tatimpaguesi i regjistruar si “e-user”, ka të drejtë t’i dërgojë në çdo kohë administratës tatimore informacion plotësues, çdo kërkesë nëpërmjet dërgimit të tyre nga adresa e tij e postës elektronike (e-mail), ose nëpërmjet llagarisë së tij si “e-user”, të hapur në sistemin elektronik të shërbimit tatimor (“e-tax”). Dërgimi nga ana e tatimpaguesit e informacionit të mësipërm është në varësi nga metoda e aplikueshme, që administrata tatimore mund të përfshijë në çdo kohë në versionet e ardhshme të shërbimit “e-tax”.
Shërbimi “e-tax” ndihmues” (Help Desk)
-Shërbimi i ndihmës, që ofron shërbimi “e-tax” është në parim një shërbim i kufizuar vetëm për “e-user”-at, qoftë në rastet kur ata veprojnë në emër dhe për llogari të tyre, ashtu edhe për rastet kur ata veprojnë si përfaqësues të një “e-user”-i tjetër ose të një tatimpaguesi, i regjistruar si i tillë në administratën tatimore.
-Shërbimi i ndihmës, që ofron shërbimi “e-tax”, mund të ndihmojë personat, që duan të regjistrohen si “e-user”. Disponibiliteti i shërbimit të ndihmës (help desk) mund të jetë i kufizuar në orët e punës së administratës tatimore, ose për periudha të tjera jashtë këtij orari, në ato raste kur do të konsiderohet e domosdoshme nga ana e administratës tatimore.
Pagesat e shërbimit “e-tax”
-Funksionet e ofruara nga sistemi elektronik i shërbimit tatimor “e-tax”, ju ofrohen përdoruesve të këtij sisitemi pa asnjë pagesë.
-Administrata tatimore rezervon të drejtën, për të dhënë kundrejt pagesës administrimin e çertifikatave dixhitale të tatimpagueve, si dhe për paisjen me karta krediti ose debiti përdoruesit e sistemit tatimor, me anë të të cilave ata kryejnë pagesat për detyrimet tatimore.
-Çregjistrimi i tatimpaguesve apo i përfaqësuesve të tyre nga sistemi i shërbimit elektronik tatimor kryhet pa asnjë pagesë.
-Çregjistrimi i përdoruesit nga shërbimi “e-tax”
-Administrata tatimore ka të drrjtë të çregjistrojë një “e-user”ose të pezullojë përdorimin e shërbimit “e tax” kundrejt çdo përdoruesi për çfarëdo arësye duke përfshirë sa më poshtë, por duke mos u kufizuar vetëm në to:
-në rastet e përdorimit të papërshtatshëm, të pa drejtë dhe jo për qëllimet e përdorimit të shërbimit “e-tax”;
-në rastet e vdekjes së një individi, i cili është i regjistruar si përdorues “e-user” me të dhënat personale të tij
-në rastet e konstatimit të shkeljeve të rregullave të përdorimit ose të çdo ndryshimi të këtyre rregullave nga ana e përdoruesit.
-Në rast se nga ana e administratës tatimore është vendosur për të çregjistruar nga shërbimi “e-tax”, apo për të pezulluar “e-user” nga e drejta e patjes akses apo për të përdorur shërbimin “e-tax” administrata tatimore njofton me shkrim për veprimin e mësipërm tatimpaguesin që është regjistruar si “e-user”. Njoftimi për çregjistrimin apo pezullimin e “e-user”-it, i njoftohen këtij të fundit brenda 15 ditëve, nga data që administratori i sistemit ka marrë vendimin.
Detyrimet e tatimpaguesit të regjistruar si “e-user”
-Në momentin e regjistrimit të tatimpaguesit si “e-user”, në shërbimin “e-tax”, ai duhet të deklarojë se bie dakort me të gjitha rregullat e përdorimit të sistemit, duke konfirmuar se i ka lexuar, kuptuar dhe se angazhohet të zbatojë të gjitha rregullat e përdorimit të sistemit.
– Në përputhje me parashikimet e bëra në pikat 9 dhe 10 të këtij Udhëzimi, “e-user”-i pranon se ka përgjegjësi të plotë, për të gjitha veprimet e tij të dërguara në shërbimin “e-tax”, dhe pranon se këto veprime shprehin vullnetin e tij, si dhe konsideron si të njohura dhe të pranuara prej tij të gjitha veprimet, që ai ka kryer me administratën tatimore në llogarinë e tij si “e-user”, dhe konsideron si të marrë e të njohur prej tij, çdo njoftim informacion, akt apo dokument që administrata tatimore i ka dërguar atij nëpërmjet shërbimit “e-tax”.
-Në rastin e ndryshimit të informacioneve apo të dhënave, që kanë të bëjnë me pikat dhe adresat e kontaktit, në krahasim me ato që ai ka dhënë gjatë fazës së regjistrimit të tij, “e-user”-i është i detyruar të njoftojë administratën tatimore. Në rastin e mosdërgimit të të dhënave, sipas parashikimit të kësaj pike, administrata tatimore nuk mban përgjegjësi për mosmarrjen dijeni të veprimeve të dërguara nëpërmjet shërbimit ”e-tax”, si dhe tatimpaguesi nuk mund të pretendojë dhe të kërkojë shkarkimin e tij nga përgjegjësia, kur ai nuk ka dërguar në administratën tatimore të dhënat sipas parashikimeve të kësaj pike.
-Pergjegjëgjësia e përdorimit të shërbimit “e-tax” është në kotrollin e “e-user” –it, i cili në momentin e pranimit të kushteve të përdorimit të këtij shërbimi, ka rënë dakort, që të marrë përsipër nën përgjegjësinë e tij, të gjitha rreziqet që mund të vinë nga gabimet gjatë përdorimit, lënie jashtë vemendjes për hapat që ai duhet të ndjekë në përdorimin e shërbimit “e-tax”, si dhe çdo pasojë, që mund të vijë nga përdorimi i vonuar i këtij shërbimi.
-Gjatë përdorimit të shërbimit “e-tax”, nga ana e “e-user”-it, ky i fundit duhet të tregojë kujdes maksimal për kontrollin e paisjes kompiuterike dhe programeve që ai përdor, duke kryer procedurat e pastrimit (skanimit), në mënyrë që të përfitojë hyrjen e rregullt, dhe që të ketë të drejtën e aksesit në shërbimin “e-tax”, në mënyrë zbulimin e viruseve dhe programeve (softëare) të tjerë të dëmshëm, si dhe duhet të marrë të gjitha hapat për të siguruar që:
-paisja kompjuterike dhe sistemi i programeve (softëareve) të jetë pa viruse;
-asnjë virus nuk mund të transferohet në paisjet kompiuterike dhe programet (softëare) e shërbimit “e-tax” të administratës tatimore;
-të sigurojë, që të ketë një lidhje interneti të sigurt dhe të shpejtë përpara se të aksesohet në shërbimin “e-tax”.
-Në rastin kur “e-user”-i ka dyshim, se një veprim i paautorizuar prej tij, i është transmetuar organit tatimor , ai duhet të njoftojë menjëherë organin tatimor. Në këto raste “e-user”-i autorizon dhe lejon administratën tatimore, me kërkesën e tij, që të kontrollojë paisjet kompiuterike dhe programet (softëare) që ai përdor, kontroll i cili mund të kërkojë kopje të dokumentave. Detyrimi i mësipërm nuk qëndron në rast se gabimi ka ardhur për shkak të vetë administratës tatimore.
– Në rastet kur kodi i aksesimit që i është dhënë “e-user”-it prej administratës tatimore, nuk i mundëson atij akses në shërbimin “e-tax”, “e user”-i njofton mënjëherë administratën tatimore. Në këtë rast, “e-user”-i, autorizon dhe lejon administratën tatimore, me kërkesën e tij, që të kontrollojë paisjet kompiuterike dhe programet (softëare) që përdor ai, kontroll i cili mund të kërkojë kopje të dokumentave.
Detyrimet e Administratës Tatimore
-Administrata tatimore nuk mban përgjegjësi për asnjë humbje, e cila ka ardhur si pasojë e rrethanave apo shkaqeve, që nuk janë në kontrollin direkt të tij, ku përfshihet, por pa u kufizuar vetëm në to, dështimi elektronik ose mekanik i pajisjeve si të e-user”-it ashtu edhe të atyre të shërbimit “e-tax” për të pranuar transmetimin e veprimeve, probleme ne linjën e internetit, probleme të tjera të paisjeve të transmetimeve elektronike ose fatkeqësi natyrore.
-Administrata tatimore nuk garanton saktësinë, mjaftueshmërinë ose përsosmërinë e informacionit dhe dokumentave të siguruara nga shërbimi “e-tax”, dhe në mënyrë të veçantë ajo është e perjashtuar nga përgjegjësia për gabime ose ndryshime në këto dokumenta.
-Administrata tatimore nuk garanton se e drejta e aksesit për në sistemin e shërbimit “e tax”, ose informacioni apo funksionet do të sigurohen të pandërprera dhe pa gabime, ose pa ndërhyrjen e një pale të tretë të paautorizuar në to.
– Administrata tatimore, nuk do të jenë përgjegjës në asnjë rast, që ka të bëje me humbje ose dëmtime sido që të jëtë shkaku i ardhjes së tyre.
-Ndryshimet dhe përmirësimet e kushteve të përdorimit të shërbimit “e-tax”
-Administrata tatimore mund të ndryshojë herë pas here kushtet e përdorimit të sistemit elektronik të shërbimit “e-tax”, me qëllim përmirësimin e tyre. Në rastet e ndryshimit të mënyrës dhe kushteve të përdorimit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton të gjithë përdoruesit, “e-user”-at, e regjistruar në këtë shërbim, të paktën 30 ditë para aplikimit të ndryshimeve që do të bëhen.
-Çdo ndryshim, që do të behët sipas parashikimeve të pikës 15.1 dhe çdo ndryshim që do t’i bëhet këtij Udhëzimi, do t’ju dërgohen të gjithë përdoruesve të regjstruar në shërbimin “e-tax”, 30 ditë para fillimit të zbatimit tyre. Mënyra e njoftimit do të jetë me anë të dërgimit të tij në postën elektronike të përdoruesit të regjistruar si “e-user”.
-Në raset kur një përdorues i regjistruar si “e-user” në shërbimin “e-tax”, nuk bie dakort me kushtet dhe procedurat e reja të përdorimit, apo me përmirësimin e kushteve dhe procedurave ekzistuese të përdorimit të shërbimit “e-tax”, administrata tatimore kryen çregjistrimin dhe fshirjen e këtij si përdorues nga shërbimi “e-tax”.
Njoftimet e shërbimit “e-tax” për “e-user”-at
Çdo njoftim, që bëhet nga administrata tatimore per “e-user”-at, do tu komunikohet nëpërmjet e-mail, dhe/ose postimit të këtyre njoftimeve në ëebsite e administrates tatimore dhe/ose në çdo vend të dukshëm në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ose në Drejtoritë Rajonale Tatimore, dhe do t’u bëhet i ditur me të gjitha format e komunikimit të akteve që nxjerr admnistrata tatimore, sipas procedurave dhe mënyrave të përcaktuara në Ligjin nr. 9920. Datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.