Flet av.Sabina Lalaj, Deloitte Albania
Ligji i falimentimit sjell një sërë risish, por do të veçonim sidomos zgjedhjen e legjislatorit në lidhje me zgjerimin e rrethit të subjekteve tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi.
Në bazë të dispozitave ligjore në rrethin e subjekteve përfshihen dhe njësitë administrative vendore që ligji aktual i përjashton shprehimisht. Kjo mund të konsiderohet një aspekt pozitiv dhe për vetë njësitë administrative vendore, që tashmë të barabarta me subjektet e tjerë në treg rritet përgjegjësia për menaxhimin e aseteve të tyre dhe organizimin më të mirë të aktivitetit.
Ligji sjell dispozita që parashikojnë një radhë të posaçme preferimi për shlyerjen e detyrimeve para dhe pas rishpërndarjes, në ndryshim nga radha e preferimit që parashikohet në Kodin Civil.
Lidhur me falimentimin ndërkufitar, ligji i ri parashikon përfshirjen në një kapitull më vete me objektivin strategjik që adoptimi i ligjit model të UNCITRAL-it mbi procedimet e paaftësisë paguese ndërkufitare të ndikojë në rritjen e besimit tek investitorët e huaj.
Gjithashtu për t’u përmendur është shfuqizim i nenit 104 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilit administrata kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht. Por ai i kënaq ky ligj pritshmëritë e aktorëve?
Në fakt, kësaj pyetje mund t’i përgjigjesh duke u nisur nga disa këndvështrime. Po të nisemi nga këndvështrimi i legjislatorit, ky ligj është i mirëstrukturuar më i lehtë në të kuptuar dhe rrjedhimisht duhet të kënaqë pritshmëritë e aktorëve. Nga ana tjetër, gjyqtarët në fazën e diskutimit të ligjit kanë përcjellë shqetësimet e tyre në lidhje me zbatueshmërinë e afateve me pretendimin se këto afate janë tepër të ngushta për t’u respektuar.
I parë nga këndvështrimi i kreditorit dhe debitorit, ky ligj siç përmenda në fillim, ka meritën të përfshijë në rrethin e subjekteve ndaj të cilave mund të fillojë një procedurë falimentimi si njësitë administrative vendore por dhe individët, dy kategori që nuk janë të përfshira nga ligji në fuqi.
E thënë thjesht, për kreditorin qoftë bankë apo jo, fakti që në rast paaftësie paguese debitori, njësi administrative vendore apo individ, do të përballet me procedurën e falimentimit, i bën këta të fundit më të besueshëm për t’u financuar.
A mund të ketë vështirësi në zbatimin në praktikë të këtij kuadri ligjor dhe cilat mund të jenë ato?
Duke marrë parasysh se ky është një ligj tërësisht i ri, i cili sjell ndryshime të shumta krahasimesh me ligjin aktual, mendojmë se zbatimi i tij do të paraqesë vështirësi të ndryshme të paktën në fazën të tij. Vështirësitë, do të thoja, se nuk varen vetëm nga strukturimi dhe qartësia e një ligji në vetvete, por zakonisht lidhen me natyrën dhe rëndësinë e çështjeve të trajtuara në të. Pra për një ligj të një rëndësie të veçantë si ky që trajton çështjen delikate të falimentimit, zbatimi i mirë i dispozitave do të kërkojë kohën e tij, të paktën deri në momentin e krijimit të një praktike të konsoliduar në lidhje me zbatimin e tij.
A ka nene që krijojnë konfuzion dhe cilat janë?
Siç thamë më lart, një nga risitë që sjell ky ligj është edhe përfshirja e individëve në përkufizimin e debitorëve, të cilët mund t’i nënshtrohen procedurave të falimentimit.
Në përputhje me pjesën e shtatë të ligjit, një individ që kryen procedurën e falimentimit do të shkarkohet nga detyrimet e mbetura. Megjithatë, në përputhje me nenin 615 të Kodit të Procedurës Civile, në rastet e ekzekutimit të detyrueshëm, kur përmbaruesi gjyqësor nuk gjen pasuri të debitorit brenda 6 muajve nga fillimi i ekzekutimit, përmbaruesi pezullon ekzekutimin deri në momentin e evidentimit të një pasurie të re, e cila shkakton dhe rifillimin e procedurave të ekzekutimit. Nëse për personat fizikë tregtarë dhe personat juridikë, përfundimi i procedurës së falimentimit do të pasohej me çregjistrimin nga regjistri tregtar (pushojnë së ekzistuari), e kundërta ndodh me individin që në jetën e përditshme do të krijojë përsëri pasuri të re.
Sa më sipër mendoj seë do të jetë e paqartë nëse një detyrim i cili ishte përfshirë në procedurën e falimentimit por i papaguar do të shuhej dhe nuk do të mund të ekzekutohej në vijim mbi pasuritë e reja të individit dhe a do të konsiderohej kjo si një pasojë e cila është në kundërshtim me nenin 615 të Kodit të Procedurës Civile.
Proceset e falimentimit nuk realizoheshin, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, shoqëritë në faliment nuk kishin më asnjë pasuri, qoftë dhe për kostot e procesit, pavarësisht sa të larta ishin ato.
Në tentativën e parë të ndryshimit të ligjit u propozua mundësia e krijimit të një fondi publik, që do të mbulonte kostot e procedurës dhe do të administrohej nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit. Ligji aktual nuk e përfshin më këtë zgjidhje për të shmangur pushimin e procedurës së falimentimit në rastet kur nuk mundësohet mbulimi i shpenzimeve.
Sipas nenit 20 të projektligjit, në rastet kur masa e falimentimit nuk ka pasuri të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit, Gjykata e Falimentimit vendos për mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive, duke kryer paraprakisht disa konfirmime shtesë.
Gjykata e Falimentimit informon kreditorët dhe bën shpallje publike të situatës. Kreditorët dhe palët e tjera të interesuara kanë të drejtë që brenda 60 ditëve nga ky njoftim të paraqiten në Gjykatën e Falimentimit dhe të kundërshtojnë mbylljen e procedurës, për shkak të mungesës së pasurive nëse debitori ka pasuri ose nëse hetimi i mëtejshëm është i nevojshëm në lidhje me pasuritë që debitori ka transferuar dhe që mund të jetë subjekt i veprimit të shmangies.
Pretendimet e mësipërme, për nevojën e kryerjes së hetimeve të mëtejshme mbi veprimet e debitorit, Gjykata e Falimentimit, brenda 5 ditëve, ia komunikon prokurorit çdo pretendim të palës, e cila ka arsye të bazuara dhe pezullon procedurën për 6 muaj për kryerjen e hetimit.
Gjykata e Falimentimit vendos mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive nëse:
a) nuk ka pasur kundërshtime për mbylljen e procedurës nga palët që mund të kundërshtojnë, pas kalimit të afatit 60-ditor; b) prokurori vendos mosfillimin ose pushimin e çështjes penale;
c) kanë kaluar 6 muaj nga komunikimi që gjykata i bën prokurorit për pezullimin e procedurës.
Pavarësisht nga përfshirja e prokurorisë, është e vështirë të vlerësohet nëse do të ketë një impakt pozitiv në zbatimin e ligjit dhe ekzekutimit të procedurave të falimentimit, duke bërë një ndryshim nga situata që ka krijuar ligji aktual.
———
Procedura e falimentit do të realizohet përmes:
-likuidimit
-riorganizimit
-ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta
-ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga Gjykata e Falimentimit.
Kufijtë e zbatimit të ligjit për falimentin
-Ndaj çdo debitori, person fizik dhe juridik
-Edhe pas prishjes së personit juridik që ende nuk është likuiduar
-Ndaj shoqërive tregtare, të thjeshta, sipërmarrëse, tregtarëve si persona fizikë dhe individë, konsumatorë
-Ndaj shoqërive me kapital publik ose shtetëror, të organizuara si person juridik privat
-Ndaj subjektit që ushtron veprimtari në një sektor publik kur i është hequr licenca, ose nëse nuk rregullohet me ligj tjetër
-Nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, banka, institucionet që grumbullojnë depozita nga publiku, institucionet financiare
-Nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative
Synimet e ligjit
-Shlyerjen kolektive të detyrimeve
-Riorganizimin e aktivitetit
-Proces i rregullt dhe eficient
-Procedura nuk pezullohet apo ndërpritet
-Transparencë dhe informim publik
-Likuidim i pasurive të debitorit
-Shpërndarje e të ardhurave
-Afate të shpejta dhe të arsyeshme
-Gjykim mbi aktet
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.