Për të parandaluar ndërhyrjen e politikës në përdorimin e buxhetit për qëllime elektorale qeveria është detyruar sipas marrëveshjeve që ka me institucionet financare të miratojë në mes të vitit që vjen, një ligj të ri Organik për Buxhetin e Shtetit dhe të përgatisë ndryshimet në ligjin nr. 9936 të vitit 2008, “Mbi Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
Kjo masë e pranuar nga qeveria tashmë është propozuar nga Banka Botërore në strategjinë e menaxhimit të financave publike deri në vitin 2020.
Ndryshimet kërkohen me urgjencë periudhën afatshkurtër dhe shikohen si garanci kundër pragmatizmit afatshkurtër politik, i cili rrezikon qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike shqiptare.
Projektligji do të paraqitet në parlament në mes të vitit 2015, me objektivin për t’u miratuar para fundit të vitit.
Në vitet e mëparshme zgjedhore ka pasur një tendencë të qeverive në largim të rrisnin shpenzimet buxhetore në periudhën parazgjedhore, duke shkaktuar kështu një ezaurim të buxhetit të planifikuar vjetor në gjysmën e parë të vitit, duke sjellë një rritje të shpenzimeve vjetore në tërësi.
Ndryshimet ligjore synojnë, kufizimin i shpenzimeve gjatë tre tremujorëve të parë të vitit fiskal elektoral. Ligji do të ndryshohet duke përcaktuar jo më shumë se, 30, 55 dhe 80 për qind e buxhetit vjetor të mund të ekzekutohet përkatësisht në tre, gjashtë dhe nëntë muajt e parë të vitit fiskal elektoral, përveç rasteve të veçanta të shpenzimeve të pa-parashikuara, konform legjislacionit në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.