Shkencëtarët amerikanë, edhe një herë, na kanë lënë me gojë hapur, me zbulimin e tyre të radhës, të asgjë më shumë, asgjë më pak, sesa “virusin e mungesës së inteligjencës”, që është praktikisht shkaku kryesor i një koeficienti inteligjence më të ulët në disa persona. Kjo shpjegon shumë gjëra…
Janë studiuesit e Universitetit të Baltimorës në Nebraska që e zbuluan, në një kërkim të publikuar në Pnas, sipas të cilëve, miliona njerëz janë viktima të një infeksioni afatgjatë i cili provokon përkeqësimin e funksioneve njohëse.
I quajtur ndryshe edhe klorovirus (chlorovirus), ky tip virusi ishte tashmë i njohur si një prej agjentëve patogjenë më agresivë të algave jeshile që gjenden në liqene, por tashmë studiuesit e kanë identifikuar edhe në gojën e 44% të personave të analizuar, shifër e barabartë me atë të pjesëmarrësve që kanë marrë pikët më të ulëta në testet njohëse që iu bënë të gjithë grupit.
Në veçanti, virusi i quajtur ATCV-1 provokon një ndryshim në gjenet përgjegjëse për prodhimin e dopaminës, një hormon që ndikon kujtesën, njohjen hapësinore, emocionet dhe kënaqësinë.
“Sapo kemi nisur të zbulojmë miliona viruset që popullojnë trupin e njeriut – shpjegon profesori Robert Yolken, bashkautor i studimit – dhe tashmë po ndryshon mënyra e këndvështrimit të agjentëve infektivë: këta të fundit, në fakt, nuk janë vetëm mikroorganizma që penetrojnë në trup, shkaktojnë një mori dëmesh e pastaj largohen, si për shembull virusi Ebola ose ai i gripit. Më saktë bëhet fjalë për agjentë që i mbartim prej shumë kohësh dhe që mund të kenë shkaktuar disa efekte në kapacitetin tonë njohës dhe të sjelljes”.
Megjithatë, tani për tani, duket se nuk ka një lidhje mes pranisë së këtij virusi te njeriu dhe algave jeshile të infektuara, ndaj kërkuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që qeniet njerëzore të jenë prej kohësh mbartës të pavetëdijshëm të virusit, prania e të cilit gjithsesi nuk është vërtetuar ende. Mbetet fakt që, në botë, njerëz shumë pak inteligjentë ka mjaftueshëm. Ndoshta në të ardhmen do të zgjidhim gjithçka me një vaksinë “antibudallallëk”?
Burimi: Next.it