Qeveria e Zelandës së Re ka ndaluar shitjen e shtëpive ekzistuese te blerësit e huaj, duke theksuar se e kishte marrë këtë masë pasi vendasve u kishte ardhur në majë të hundës që të ishin qiramarrës në vendin e tyre, ndërsa të huajt të bëheshin pronarë.
Ministri i Financave, David Parker tha se veprimi u ndërmor për t’u ardhur në ndihmë banorëve vendas, të cilët paguajnë taksat e tyre dhe mbi të gjitha, kanë edhe familjet në këtë shtet.
“Ne mendojmë se tregu për shtëpitë dhe fermat në Zelandën e Re duhet të vendoset nga blerësit po nga Zelanda e Re dhe jo nga blerësit që vijnë nga jashtë”, tha ai në një intervistë të dhënë për “The Guardian”. Ne duhet t’i përkrahim banorët e Zelandës së Re dhe jo t’i privojmë ata nga e drejta për të pasur një shtëpi, duke ua krijuar një mundësi të tillë të huajve. Gjatë seancës së sotme parlamentare ai tha se “Ne nuk duhet të jemi kurrsesi qiramarrës në vendin tonë”.
Vetëm një e katërta e banorëve në moshë madhore në Zelandën e Re kanë në pronësi një shtëpi, krahasuar me gjysmën e vitit 1991. Ndërkohë në pesë vitet e fundit, numri i personave të pastrehë është rritur, duke i detyruar një pjesë të mirë të tyre që të jetojnë në makina, në garazhe dhe më e keqja poshtë urave.
Në një raport të publikuar nga “The Economist” në vitin 2017 u citua se Zelanda e Re kishte çmimet më të larta për blerjen e shtëpive në të gjithë botën. Kjo masë ndaluese e qeverisë së Zelandës së Re do të zbatohet kundrejt të gjithë blerësve të huaj, me përjashtim të atyre nga Singapori dhe Australia.
Parker tha se në tremujorin e fundit, 10% e shtëpive në një prej zonave më të pëlqyera në Queenstown Lakes (ku një prej shtëpive është edhe ajo e bashkëthemeluesit të PayPal, Peter Thiel, vlera e së cilës është qindra miliona dollarë) dhe 20% e shtëpive në qendër të Aucklandit janë blerë nga të huajt.
Një vend larg gjithçkaje
Zelanda e Re është kthyer në një destinacion për blerësit kinezë, australianë dhe aziatikë, si dhe është shndërruar në një prej vendeve ku strehohen më të pasurit e botës, të cilët e shikojnë atë si një vend të sigurt nga ndonjë konflikt i mundshëm bërthamor, nga sulmet terroriste, nga trazirat civile apo edhe thjesht si një vend prej vendeve më të qeta, larg gjithçkaje.
Shitjet e tokës ndaj blerësve të huaj arritën nivelin e tyre më të lartë në kohën e qeverisë së mëparshme të qendrës së djathtë, me rreth 465,863 hektarë tokë e blerë në 2016, një rritje pothuajse gjashtëfish më e lartë në krahasim me një vit më parë. Kjo është e barabartë me 3.2% të tokës bujqësore në një vend prej 4.7 milionë banorësh.
Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Zelandë të Re, rreth 3.3% e shtëpive në tremujorin e fundit u ishin shitur të huajve, ku numrin më të lartë e shënonin blerësit kinezë, ndjekur nga ata australianë.